Ministrja e Mirëqenies Sociale firmos dy masa disiplinore

Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha ka firmosur dje propozimin për nisjen e procedurës disiplinore ndaj znj. Mariana Jorgji, me detyrë “Drejtoreshë në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Sociale Shtetëror” në qytetin e Korçës.
Propozimi për nisjen e procedurës disiplinore ndaj znj. Jorgji vjen për shkak se kjo e fundit nuk ka lejuar grupin e punës të ushtrojë kontrollin e autorizuar nga ministrja, duke shkelur parimet e etikës në punë.
Propozimi i ministres Kërtusha, bazohet në Ligjin nr. 90/2012 për “Organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, vendimit nr. 473, datë 1.6.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2017”, si dhe vendimit nr. 452, datë 27.7.2005 “Për miratimin e statusit të shërbimit Social Shtetëror” të ndryshuar.
Me këtë rast, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë kërkon edhe një herë bashkëpunimin e gjithë drejtuesve dhe punonjësve të administratës, nëpunësve civilë, si dhe personelit të institucioneve në varësi, në qendër dhe në qarqe, për repektimin e ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. Çdo tentativë për pengimin e aktivitetit të “grupeve të punës”, që janë autorizuar nga ministria, do të vlerësohet konform kuadrit ligjor të lartpërmendur dhe do të merren masat e nevojshme.
Ndërkohë në kuadër të masave të marra për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës, ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Xhulieta Kërtusha ka firmosur propozimin për masë disiplinore “Largim nga puna” për përgjegjësen e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Vlorës.
Ministrja Kërtusha i ka propozuar z. Astrit Hado, drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, largimin nga puna të znj. Jonida Hysenaj me detyrë, “Përgjegjëse e Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore” Vlorë, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se znj. Hysenaj ka marrë pjesë në fushatën elektorale, gjatë orarit zyrtar të punës.