Berisha: Rama i futur në rreth të kuq, drejt greminës

Pas bartërdisë mjedisore të Sheshit fshihen kullat e Ramës

– Z.Berisha, si ndiheni jashtë zhurmës së fushatës?
Komod, pa asnjë keqardhje.

– Pse?
Sepse unë më 26 korrik të 2013 vendosa për t’i thënë lamtumirë lidershipit të PD, një vendim i marrë me ndërgjegje të plotë dhe realisht pa keqardhje.

– Dhe pa asnjë imponim?
Unë gjithnjë kisha deklaruar që në zgjedhje të lira unë do të thosha mirupashim, erdhi moment që unë i humba zgjedhjet dhe shpalla vendimin të largohesha.

– Por keni qenë në aktivitet parlamentar…
Unë kam qenë në aktivitet të plotë parlamentar, se unë dorëzova drejtimin e PD, por jo kurrë Sali Berishën. Unë mbetem aktiv në Parlament dhe jashtë Parlamentit në mbrojtje të interesit publik, ashtu siç e gjykoj unë që duhet mbrojtur.

– Sali Berisha është prezent në jetën politike shqiptare dhe në Parlament, por nuk është thjesht individ Sali Berisha, por edhe një histori. Është zhbërë kjo frymë që ne e cilësojmë si berishizëm?
Së pari, nuk ka fushatë që udhëhiqet. Fushatat janë beteja që udhëhiqen nga një lider dhe ky është Lulzim Basha. Kjo është e prerë. Së dyti, absolutisht mund të isha edhe tri vende më lart në listë, por asnjë domethënie të veçantë kjo nuk ka për mua. Lidhur me listën, kjo është listë e PD, e përpiluar nga kryetari i PD, me të cilin ai mendon dhe beson se është lista më e mirë për të fituar zgjedhjet. Çdo njeri po të bënte listë do të bënte listën e vet. Ai në përpjekjet e tij ka menduar të bëjë më të mirën e mundshme për të çuar PD drejt fitores dhe ai nuk e ka mohuar që listën e ka ndërtuar vetë. Kryetari e ka deklaruar që kjo do të jetë lista e fundit në këtë formë. Rëndësi ka fitorja e datës 25 qershor, një fitore e cila duket në horizont, e cila është plotësisht e mundshme ndaj një kundërshtari, i cili është i futur në një rreth të kuq. Edi Rama është një politikan në rreth të kuq. Një njeri i dështuar në të gjitha premtimet e tij, nuk i thotë dot shqiptarëve se ka ndërtuar një km rrugë. Kemi të bëjmë në rrafshin kombëtar me një njeri që ndërtoi narkoshtet dhe që opozita e fitoi betejën, me një kryeministër, të cilin opozita e gjymtoi në mënyrë të pashembull në historinë e Europës, ai shëtit si kryeministër gjysmagjel apo i sakatosur për shkak të asaj që pësoi nga opozita.

– Çfarë pësoi nga opozita, ai mori një marrëveshje?
Ai dorëzoi lëkurën. E nëse roli i komandantit është që të humbasë ekipin e tij, ky nuk është fati i komandantit. Ai është lloji i politikanit në rreth të kuq në rrafsh ndërkombëtar. “Financial Times” e cilësoi si njeriun që po bën narkoshtet, të gjitha kancelaritë e etiketojnë të tillë.

– Por nuk po akuzohet si i tillë në fushatë?
Në fushatë janë grupet e mbështetësve pa kushte të të dyja anëve, ata falin shumë gjëra, janë grupe të tjera, të cilët përcaktojnë fatin e zgjdhjeve e të cilët kanë një set preokupimesh të tjera. Në fushatë elektorale, secili aktor është detyruar të përqendrohet tek preokupimet e tyre që të fitojë zemrat e tyre. Lulzim Basha e denoncon në çdo takim drogën dhe krimin. Ai ka vepruar shumë drejt, ka shndërruar në strumbullar të fushatës së tij ekonominë, punësimin, gjenerimin e të ardhurave me masa konkrete. Ai e shndërroi Ramën në gjysmagjel. Edi Rama ia bëri vetes, Rama do të dilte më i nderuar po të jepte dorëheqjen e të mos lëshonte kabinetin, por për hir të karriges me të cilën ai gjykon se nuk i shqitet dot ai bëri atë veprim. Tani, natyrisht ai po adreson në fushatën e tij në mënyrën më konkrete problemet më serioze të qytetarëve shqiptarë, që janë punësimi, pensionet, ekonomia, lufta kundër korrupsionit, shëndetësia.

– Jeni në vendin e 7 në listë dhe thatë se jeni komod, si ndiheni realisht kur ajo filozofi e juaj drejtimi është zhbërë?
Unë nuk gjykoj se duhet të jem i përsëritshëm. PD është aty dhe PD është aty pas një beteje 90 ditore, është në këmbë dhe në progres drejt fitores, si lloj lidershipi unë do ta quaja fatkeqësi nëse pasardhësi do të më vijonte. Lulzim Basha po konturon lidershipin e tij. E vërteta është që ai që muajin e parë ka drejtuar PD në mënyrën e tij, çka unë e kam pëlqyer, atë që do të pëlqeja më pak do të ishte nëse do të shihja imitime, të një modeli që mbyllet me Sali Berishën. Nëse unë doja që të vazhdonte modeli im unë rrija kryetar. Unë doja që të ishte një ndërprerje. Pse? Sepse çdo model është një shans.

– Po modeli Basha?
Modeli Lulzim Basha e ka paraqitur absolutisht që muajt e parë të lidershipit. Fatkeqësisht jo të paktë ishin opinionistët që e mohonin këtë, e mohonin gabim. Ai ka modelin e tij. Nuk duhet harruar që Lulzim Basha ka një mijë e një të drejta të ketë modelin e tij, ndryshimi në PD është ndryshim gjeneracional. Nuk ndodhi në PS kjo, iku Fatos Nano, por gjenerata mbeti e njëjtë gjeneratë. Kurse në PD ndodhi ndryshim gjenerate.

– A po imiton Basha Edi Ramën?
Përsa i përket krijimit të ekipit të ardhshëm unë gjykoj se çdo kryetar për përpjekje, mënyrat se si, unë nuk marr veten time si model sepse kam qëndruar shumë gjatë, kam pasur rrethana të tjera, kurse në krijimin e ekipit çdo kryetar përpiqet të krijojë ekipin për të ecur drejt fitores, ndërsa në fushatë janë absolutisht të pangjashëm me fushatën e Edi Ramës. Nëse Basha kalon nga sheshi në shesh dhe flet për një Republikë të re me ndryshime institucionale me të cilat do të çmontojë narkoshtetin, nëse ai thotë se problem kryeministror është ekonomia, punësimi, ulja e TVSH, taksat për bizneset, Edi Rama kalon nga sheshi në shesh duke përmendur veçse timonin, si një njeri që nuk mendon gjë tjetër veçse karriges dhe timonin. Kanabizimin e Shqipërisë e bëri LSI apo ai me Saje qorrin dhe Haki Çakon? Nuk ka patur akses tek rendi LSI. Do të mbetet e regjistruar deklarata e Petrit Vasilit deputetëve të tij që të kontrollonin makinat se mos u fusnin drogë. Roje të armatosura me armë, pa licencë qarkullonin rrugëve, ndaj e quajtën narkoshtet. Nuk ngjasojnë askërkund fushatat. Rama duke mos patur asnjë sukses të vërtetë, duke dështuar në planin kombëtar merret me fjalë kazani, me një zhargon ordiner dhe flet e flet me gjëra boshe, përpiqet se mund të kalojë në harresë, abuzon në mënyrë të padenjë me audiencën e grave, në pamje të parë duket sikur i respekton, por në të vërtetë aspak, mendon se mund t’i mashtrojë në retorikën e tij.

– Zoti Basha nuk i vë të përfaqësohen gratë në lista?
E vërteta është se 28 gra janë në listat e PD, një problem ka patur, pasi është një koalicion i gjerë. Unë ftoj çdo grua shqiptare të mos harrojë aktin brutal ndaj dy zonjave të nderuara të Lezhës që ishin në listat e PS dhe bandat e Ramës i thanë se do të dalin të të marrin peng nëse nuk dorëzon mandatin, e tjetrës do të marrim ty peng, ndaj dhe ato dhanë dorëheqjen.

– Keqardhje për lënien jashtë të Topallit, Bregut, Imamit, Patozit?
Cili është kodi im? Këta janë ish-bashkëpunëtorë, por unë nuk kam ndërhyrë në probleme të brendshme të PD. Unë kam një status të veçantë. Çdo prononcim, çdo hap që unë mund të bëj qoftë në njërin drejtim apo tjetrin më nxjerr nga statusi im. Ndaj dhe unë s’do të jem ai që deklarova më 26 korrik kur dhashë dorëheqjen.

– Po reagimet e tyre pas largimit?
Unë ftoj të gjithë demokratët për fitoren e PD, beteja duhet të fitohet.

– Marrëveshja e 18 majit… A po zhvillohet fushata nën hijen e kësaj marrëveshjeje?
Së pari, çfarë ishte marrëveshja? Ajo ishte kapitullimi i Edi Ramës. Sepse ai pranoi të dorëzonte qeverinë. Një kryeministër që pretendon të bëjë shtet, që pretendon të bëjë ligj nuk e dorëzon kurrë qeverinë. Kjo është në konceptin civil të qeverisë, bie kryeministri, bie qeveria. Ai pranoi të rrëzonte qeverinë për hir të karriges së vet. Basha kishte çdo ditë që i kërkonte takim, edhe nga çadra. Edi Rama duke u zotuar se kjo s’do të ndodhte dhe më në fund, po të kujtojmë se si pësoi rupturën psikike gjatë kalimit të tunelit nga Elbasani në Tiranë dhe unë e kam thënë që ai fitoi personalisht se shpëtoi veten nga gremina. Humbi politikisht, personalisht nuk mbetet si njeriu që bëri zgjedhje moniste në Shqipëri. Kemi dy palë krejtësisht të ndryshme me atë marrëveshje. Nuk është e vërtetë se fushata, njeriu që acaronte fushatat ishte Edi Rama. Fleckeninstein, një gjeni i fushatës negative, e ka patur edhe Fatos Nano këshilltar, ai është magjistari i fushatës negative, e përdori me të gjitha mjetet kundër Sali Berishës, me një stoicizëm të hekurt. Unë nuk ia lejoja kurrë vetes të kalojë 20% e negativizmit. Por fushata për shkak të përzgjedhjes që kishte bërë PS nxiste një fushatë agresive. Basha po bën fushatën e tij dhe e bën ashtu siç ai i vetë, me civilitet. Ai po jep frymë civile. Ky është Lulzim Basha. Edhe në diskursin e tij, ai anët negative Ramës nuk ia kursen, por jep më shumë theksin tek zgjidhjet që ai do të gjejë, si për vendet e punës për shembull. Nuk ka synim të konsumojë kohën duke sulmuar kundërshtarin. Edi Rama ka ndryshuar sepse ai nga 42 premtime në mënyrë absolute ka realizuar vetëm njërin dhe pa asnjë rezultat, që është heqja e TVSH për ilaçet dhe ato sot kushtojnë 30% më shumë, por e hoqi. Ai e mbajti premtimin pavarësisht se doli me këpucë të kuqe. Kurse me premtimet e tjera, ai ka përjashtuar në mënyrë të tmerrshme shqiptarët. Shqipëria kurrë nuk do të jetë vend i zhvilluar po nuk zhvilloi fshatin. Shkoni shihni fshatrat e Kosovës me ato tonat, Rama i ka përjashtuar këta sikur të ishin skllevër, kur ata janë 44% e shqiptarëve. Nëse nuk zhvillojmë fshatin do të mbetemi një vend i pazhvilluar.

– Qëndrimi i Bashës me Metën…
Sulmet i ka më të struktuara ndaj Edi Ramës, Ilir Metën ai nuk mund ta bëjë përgjegjës për programin e qeverisë, nuk mund t’i thuash Ilir Metës përgjegjës për mashtrimet e Edi Ramës. Nuk premtoi Meta 300 mijë vende pune, heqjen e TVSH për ushqimet, rrogën e 13, barazimin e pensionit të qytetit me fshatin, të gjitha këto janë premtimet e Ramës. Basha synon të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, ai ka programin e tij me të cilin do të bindë shqiptarët. Njeriu, i cili ka probleme me identitetin nuk di se ku përplaset, kjo qëndron në biologji. Kjo qëndron edhe në politikë. E sheh që tezat e Lulzim Bashës po ngjisin gjithnjë e më shumë. Socialistët janë të lënduar me Edi Ramën sepse u mashtruan, sepse s’u tregon dot asgjë se çfarë ka bërë, as shkolla, as rrugë, asnjë zhvillim madhor, as se çfarë të bëjnë në të ardhmen dhe mbi të gjitha socialistët janë të revoltuar për marrëveshjen që nënshkroi Lulzim Basha. Rama e ka kuptuar që po bie në greminë personalisht dhe u tërhoq, por socialistët lidershipin e Edi Ramës e kanë vënë gjithnjë në diskutim. Ai është njeriu i pashpresë.

– Rama po bën humor gjatë fushatës, por nga ana tjetër Meta përsërit se ju jeni pika e tij dobët…
Rama është konfuz dhe po përgatitet për t’u larguar. Ai dha sinjalin se po s’mori 71 mandate do të ikë, por a mund të pretendojë ai që i sjell vendit vetëm kriza dhe drama. Ai në ikje është, në përpëlitje elektorale. Kishte shkuar në Shkodër, kishte vetëm 150 vetë dhe thoshte më pritën 5 mijë vetë.
Për Metën, si të përgjigjem unë për shpotitë e tij. Marrëdhëniet me të gjatë periudhës që ka qenë në qeveri kanë qenë korrekte. Në rastin e problemit me Edi Ramën ata s’kishin pse të ishin luajalë me Berishën dhe jo me Ramën, është Rama ai që nuk di ç’është luajaliteti, qeverisja dhe se nuk mund të qëndrojë në postin e kryeministrit vetëm për karrigen.

– A ka gjasë të kemi një qeverisje PD-PS?
Ju i dini qëndrimet e mia. Ky është një model që ka funksionuar dhe funksionon për hir të së vërtetës në Gjermani funksionon fare mirë. Por nuk besoj që të ketë qytetar që të zbatojë ligjin si gjermanët, dija e ligjit mbretëron në shoqërinë gjermane nga sëmundjet siç është korrupsioni masiv. U aplikua në Kosovë, u ndërpre mandati. Personalisht nuk shoh se do të ketë një koalicion me bazë të gjerë.

– Janë tre parti të fuqishme që pretendojnë shumicën, sondazhet flasin për asnjë prej të triave se do të marrin shumicën secila, ka aludim për një marrëveshje PD—PS? Sa e mundur është?
Me çfarë nuhas unë politikisht Edi Rama ka pranuar Bashën kryeministër. Nëse e ndjek, fushatën e tij, ai në mënyra nga më të ndryshmet, ai e ka pranuar atë për kryeministër. Ai po përgatit dhe socialistët për dorëzimin e vetes. Ka një bilanc dramatik, nuk thotë dot asnjë gjë se çfarë ka bërë. Ka bërë vetëm 10.6 kilometra rrugë, sheshet që i atriubon vetes janë të Fondit shqiptaro-amerikan përveç kësaj shëmtire që ndërtuan në qendër të Tiranës, sheshit të rrasave të gurit, në të cilin, unë kam qenë bllokues i këtij projekti që në embrion. Ky projekt është 90% në konflikt interesi. Studioja që ka bërë vilën e Surrelit është studioja që ka bërë sheshin. Unë i prita ata në Bruksel, problemi më kryesor ishte çështja madhore mjedisore që krijohej duke përjashtuar sheshin nga trafiku. Ata thanë se kjo kërkonte unazën e ndërmjetme, unaza që bie midis Unazës së Vogël dhe asaj tek 21 dhjetori, diku afër kishave, ajo prishte me qindra banesa. Pra, ata ranë dakord pothuajse plotësisht, sheshit nuk mund t’i hiqej funksioni i transportit, sheshi nuk është absolutisht në funksion të qytetarëve, por në funksion të kullave të Edi Ramës. Aty është e gjitha. Pastaj të shohim një shesh të përmasave që nuk e gjen kurrë në rrasa guri, një koncept kur sheshi ndërtohet për diktatorin, për mitingje, parada, por qytetarin. Çfarë i duhet qytetarëve një shesh kaq i madh? Krijohen disa gryka shishesh me rritjen e trafikut, të cilat rrisin nivelin e karbonit, squfurit dhe gazit. Është një batërdi urbanistike mjedisore, por edhe estetike, çfarë e lidh gurin në qendër. Rama është dhe thjeshtër, është vajza e Linda Ramës në borderonë e kompanisë që ka bërë sheshin. Kompania që e ka ndërtuar ka një koklavitje të paimagjinueshme të zinxhirit të pafund të konfliktit të interesit. Pastaj, festa elektorale është një goditje fatale e Kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira. Kanë tre ditë që festojnë nga fakti se mendojnë se do të mbulojnë dëmin e madh që i krijuan qytetit. Edi Rama është njeri pa shije. Po të shohësh pikturat e tij e ka të vështirë të abstragojë bukurinë e natyrës. Abstraksioni i tij është proces psikik.

Marrë me shkurtime nga Abc News