Ballina Politikë 400 mijë euro fishekzjarre, asnjë kacidhe fermerëve e pensionistëve

400 mijë euro fishekzjarre, asnjë kacidhe fermerëve e pensionistëve

Lulzim Basha me banorët e Libofshës. “Plani im ekonomik është konkret, i zbatueshëm. Nxit konsumin, rrit prodhimin, mbështet fermerët, mundin e djersën e tyre”, tha ai.
Lulzim Basha paraqiti planin e tij ekonomik para qytetarëve të Libofshës, një plan konkrekt, i zbatueshëm dhe realist që do të ndikojë në shtimin e parave në xhepat e qytetarëve, në rritjen e konsumit, të prodhimit. Një plan ekonomik që do të ndezë dhe vërë në lëvizje ekonominë shqiptare, do të krijojë vende pune e sigurojë mirëqenie për qytetarët.
“Unë vij me një plan ekonomik. Asnjë pjesë e këtij plani ekonomik nuk funksionon si një premtim veç nga të tjerët. Plani ekonomik përbëhet nga shtylla të veçanta, por të lidhura me njëra-tjetrën. Një, ulja e taksave, ulja e TVSH-së. Vetëm me uljen e TVSH-së tek xhepat e konsumatorit mbeten 400 milionë euro. Me taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të naftës, me eliminimin e taksës Rama 240 lekë për litër, me uljen e çmimit të energjisë, ne krijojmë një ambient të favorshëm për sipërmarrjen dhe për fermerët. Vetëm me TVSH-në rrisim fuqinë blerëse me 400 milionë euro në vit. Imagjinoni, 400 milionë euro më shumë, për njerëzit për të blerë qumështin, bulmetin, fruta, perimet, bukën, mishin. 400 milionë euro më shumë se sot”, tha Basha.
Lulzim Basha u tha banorëve se Edi Rama jo vetëm nuk mbajti asnjë premtim, por nuk bëri asnjë përpjekje dhe që ditën e parë në pushtet zgjodhi prioritete të tjera, jo interesat e hallet e qytetarëve.
“Fshati dhe fermerët janë të përjashtuarit e mëdhenj të republikës së vjetër. Ju premtoi naftën pa akcizë apo jo? Ju premtoi subvencione, ju premtoi vaditje, kullim, lehtësim për imputet bujqësore. A kishte mundësi t’i bënte? Katër vite ka harxhuar 16 miliardë euro buxhet. Rilindja urbane, 400 mln euro. Shfaqja me fishekzjarre tek Sheshi Skënderbej ka kushtuar qindra mijë euro. 16 mln euro ka kushtuar sheshi. Vetëm fishekzjarret kanë kushtuar midis 200 dhe 400 mijë euro sipas ekspertëve. Sa vetë do të kishin marrë subvencione me këto para po të kishin shkuar për fermerët? Sa familje do të kishin marrë ndihmë ekonomike? Sa pensione do të ishin rritur për një vit nëse këto para nuk do të kishin shkuar për fishekzjarret e lali Erit?”, u shpreh Basha.

Rritje e konsumit, rritje e punësimit

Lulzim Basha u ka shpjeguar nga afër të dielën qytetarëve të Unazës së re planin e tij ekonomik që do të çlirojë energji, do të rrisë konsumin, do të sjellë të ardhura në xhepin e shqiptarëve, do të krijojë vende pune e do të nxisë prodhimin. Në zonën e Unazës së re, Basha u takua me pronarë të biznesit të vogël, të cilët i siguroi se detyrimi i tyre do të jetë vetëm 1.5 për qind e xhiros vjetore dhe një pullë në xham që tregon shlyerjen e kësaj shume, do të mbajë larg tatimorët dhe abuzuesit që kanë lodhur e grabitur dyqanet e njësitë tregtare gjithë këto vite. Studentët dëgjuan nga Basha planin për ta anuluar ligjin e arsimit të lartë dhe ardhjen në fuqi të një ligji të ri që do të sjellë studentin në vendimmarrje, do të ulë tarifat e do ta bëjë të mundur për këdo që të ndjekë shkollën e lartë, pavarësisht gjendjes së tij ekonomike. Kryetari i opozitës u tha qytetarëve se Shqipëria po vuan jo vetëm mosmbajtjen e premtimeve nga Edi Rama, por sidomos faktin se ai nuk bëri asnjë përpjekje në 4 vite dhe i braktisi premtimet që ditën e parë dhe zgjodhi prioritete të gabuara që nuk ishin në interesin e njerëzve, por të lidhura me tekat e tij. Ekonomia, do të jetë prioriteti im i palëkundur, tha Basha.

Ulje të taksave, subvencione për fermerët

Lulzim Basha gjatë gjatë prezantimit të programit ekonomik në Dibër, u ndal në Burrel ku takoi tregtarë të biznesit të vogël. Basha dëgjoi ankesat e tyre dhe u tha se plani i tij me ulje taksash, do të nxisë konsumin e do të rrisë prodhimin në vend. “Ulje të taksave, subvencione për fermerët, sepse këtu kemi më shumë fermerë. Rritje konsumi që sjell rritje të kërkesës në treg, rritje të prodhimit, rritje të kreditimit dhe paratë e shtetit nuk do të hidhen më për investime koti për palma, do të hidhen për investime që ndihmojnë ekonominë”. Basha gjatë takimeve me qytetarët shpjegoi projektin e tij për biznesin e vogël. Basha i shpjegon pronarit të një dyqani të vogël, se si pulla që do të vërë ai në xham që tregon se ka shlyer detyrimet, do të mbajë larg çdo tatimor a përfaqësues të shtetit që shkojnë për të abuzuar e bërë presion. “Biznesi i vogël pullën këtu. 1.5% e xhiros, kombinim i të gjitha detyrimeve ndaj shtetit, lokal dhe qëndror, maksimumi, tavani. Po të jeni poshtë tavanit, bravo ju qoftë, por sipër 1.5%-shit nuk keni për shkuar dot kurrë me detyrime. Kur të marrin frymë farmacisti, tregtari, kur të marrë frymë biznesi i vogël dhe në veçanti biznesi prodhues, atëherë fillon dhe rigjenerohet ekonomia. Qëllimi nuk do të jenë taksat dhe terrori, qëllimi do të jetë punësimi. Pullën këtu Agim, u gjet tatimor lokal apo qëndror përtej pullës, (tregon prangat me duar) do të thotë është vetëm për korrupsion. Nuk do të ketë më tatimorë rrugëve. Rrugëve duhen konsumatorë, duhen punëtorë, fermerë, tregtarë, sipërmarrës. Tatimorët të gjithë në kazermë”.

Exit mobile version