Kandidati i PD Isaku fitore bindëse në Dibër

Dëshira për të konkurruar si deputet dhe përfaqësues i elektoratit të Bulqizës, buron nga dëshira për të ngritur në një shkallë më të lartë edhe rolin e kontributin e Partisë Demokratike. Kur mora përsipër të drejtoj Degën e PD-së Bulqizë, si nënkryetar i saj, ishte dëshirë për të kontribuar personalisht, në zhvillimin dhe zgjerimin e degës, motivimin e anëtarëve dhe simpatizantëve, afrimin e tyre dhe të gjithë votuesve që i kemi patur ndër vite, për të maksimalizuar pjesëmarrjen dhe rezultatin elektoral për partinë tonë, në betejën elektorale që po zhvillojmë tani.  Unë mora përsipër të kontribuoja në këtë degë, duke u mbështetur në mundësitë e mia intelektuale, morale, materiale, psikologjike dhe respektit të palëkundur që kam në vlerat e demokracisë, si përfaqësues i djathtë i saj nga viti ‘90-të e deri më sot.
Unë përkrah dhe vlerësoj alternativën e PD-së për mesazhin e saj demokratik e kombëtar, si alternativë e lirisë dhe demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kam punuar ndër vite në sektorin privat duke respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Jam i paimplikuar me detyra publike dhe afera me fonde publike. E dua qytetin tim Bulqizën dhe gjithë investimet e mia në fushën e medias, të ndërtimit dhe nxjerrjes së kromit, i kam fokusuar pikërisht në këtë qytet, duke punësuar dhe mbështetur qindra familje.
Edhe investimin tim politik, si përfaqësues i forcave të djathta, si këshilltar në bashki për katër mandate e kam dhënë në mbështetje të vazhdueshme të forcës kryesore politike, lokomotivës së forcave të djathta shqiptare, Partisë Demokratike. Kurrë nuk kam devijuar dhe nuk kam mbështetur forcat politike të majta për këto 25 vjet.
Jam i bindur se në gjendjen aktuale që është dega jonë garanton fitoren e thellë të PD-së, duke parë këtë përkushtim të shumëfishuar të strukturave, të mirorganizuar dhe të motivuara nga kryesia e degës dhe kryetari, zoti Defrim Fiku. Mesazhet e fitores po përcillen përmes një organizimi që në qelizë, në të gjithë strukturën, duke i marrë seksionet një për një, duke shpalosur programin tek çdo familje, duke u mbështetur dhe evidentuar kontributet, vlerat dhe arritjet e mëparshme, duke kërkuar dhe vënë në lëvizje gjithë potencialin intelektual të zonës, si dhe duke afruar potenciale të reja njerëzore që na mbështesin, duke zgjeruar dhe krijuar frymëmarrje përtej strukturave, duke motivuar një dialog me anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe votuesit gri, që nuk janë pak, por kanë nevojë t’u gjendemi afër dhe t’ju rrisim besimin dhe shpresën, me premtimin se do të jemi në krah të tyre dhe nuk do t’i zhgënjejmë. Fushata elektorale tregon se po ndizet një shpresë e re, fitore e thellë e të djathtëve në Qarkun e Dibrës, me në krye Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, kryeministrin e ardhshëm, zotin Lulzim Basha. Programi ekonomik i Partisë Demokratike është aktualisht i pakonkurrueshëm nga asnjë forcë politike dhe i vetmi që siguron zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të Shqipërisë në Europë. Zoti Basha po shpalos një program elektoral të realizueshëm dhe premtues për të ndryshuar jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve shqiptarë. Konkretisht, në zonën e Bulqizës dhe në të gjithë Qarkun e Dibrës po komunikojmë me njerëzit dhe hallet e tyre për të mundësuar zgjidhje dhe afruar përkrahje për të gjithë ata që ndjehen të pambështetur dhe gjatë këtyre katër viteve kanë rënie të theksuar në ekonominë e tyre familjare. Me përkushtim dhe këmbëngulje stafi elektoral po përçon në seksione dhe në masën e gjerë të votuesve mesazhet madhore demokratike të alternativës sonë që na vijnë nga qendra.
Duhen falënderuar për motivimin e fuqishëm të gjitha strukturat e degës, kryetarët dhe sekretarët e seksioneve dhe së bashku me ato të partive aleate të djathta po shumëfishojmë mbështetjen e PD-së dhe të elektoratit të djathtë. Objektivi ynë për zgjedhjet elektorale të 25 qershorit është që e djathta e bashkuar të marrë katër deputetë nga gjashtë që ka Qarku i Dibrës. Unë e kam përvojën, moshën, fuqinë intelektuale, morale, materiale që t’i përkushtohem detyrës së deputetit, duke premtuar se, nëse do të më votoni si përfaqësues të listës së Partisë Demokratike, unë nuk do t’ju zhgënjej, këtë e them edhe në emër të kandidatëve të tjerë të listës që i konsideroj vlera të çmuara intelektuale të brezit të ri të politikanëve të këtij qarku, të cilët janë të gjithë vendalinj, me një integritet shumë të lartë moral dhe intelektual. Një bashkëpunim shumë të mirë kemi me aleatët tanë të djathtë ku i  trajtojmë problemet me tolerancë, me diversitet mendimi, e pranojmë njëri-tjetrin të ndryshëm brenda programit tonë madhor.
Po bashkëpunojmë dhe afrojmë njerëz që kanë ndikim dhe me reputacion shoqëror duke krijuar një hapje ndaj vlerave për një frymë të re në degën tonë të PD–së. Kjo frymë dhe të bashkuar të realizojmë objektivin e fitores së thellë të PD-së në Bulqizë dhe në gjithë Qarkun e Dibrës, për të realizuar modelin e ri politik siç po punon kryesia qendrore e PD-së, nën drejtimin e zotit Lulzim Basha.
Gara vazhdon me besim të thellë te fitorja jonë si në vitet e para të demokracisë, plot besim dhe optimizëm te e djathta. Besimi lëviz malet, thotë një shprehje dhe këtë besim ne e bazojmë te alternativa jonë programore për një ekonomi të fortë që e çliron individin nga skamja, pasiguria, varfëria dhe papunësia.

Unë besoj në një fitore të thellë: E djathta me në krye PD-në fiton bindshëm

Me ne janë rinia, gratë, pensionistët, veteranët e minierës, invalidët, të përndjekurit politikë, mësuesit dhe intelektualët, shoqatat civile dhe kulturore, pasi PD-ja është partia e hapësirave të mëdha, e hapësirave të lirisë individuale dhe e zhvillimit të personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Unë si deputet do t’i kem në qendër të vëmendjes dhe do të punoj për gjallërimin e jetës të rinisë, të gruas, të pensionistëve, të veteranëve të minierës, të shoqatave të ndryshme; si atë të invalidëve të punës, të të përndjekurve politikë, ato kulturore, letrare dhe të shoqërisë civile, për t’i patur partnerë në programin tonë për ngritjen e cilësisë së jetës në qytete dhe skajet më të largëta të Qarkut të Dibrës.
Kështu dhe vetëm me një vizion gjithëpërfshirës, me tolerancë dhe në zbatim të normave demokratike do të jemi të fituar të gjithë. Do të mbroj dhe do të jem mbështetësi juaj në të gjitha problemet që do të kemi në qarkun tonë duke u bërë interpret dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave tuaja. Si deputet i ardhshëm nëse do të votohem nga elektorati i Qarkut Dibër, premtoj se do të jem në ballë të luftës antikorrupsion për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të ndershme, ku çdo qytetar të ndjehet i vlerësuar dhe dinjitoz në vendin e tij.

Integrimi në strukturat e PD-së

Në teoritë konstruktiviste moderne njeriu jo vetëm duhet të dijë gjëra, por duhet të bëjë gjëra. Edmond Isaku është kompetent që t’i zbatojë njohuritë e tij në situatë kontekstuale.
Kur u hap fushata për zgjedhjet në strukturat e Partisë Demokratike në Bulqizë, Edmond Isaku shfaqi interes politik për të kontribuar në strukturat drejtuese të Degës së PD-së Bulqizë. Po bëheshin analizat për humbjen e PD-së në zgjedhjet e 2013 dhe për ristrukturimin e Partisë Demokratike në bazë.
Fushata zgjedhore për organet drejtuese të kësaj dege shërbeu për të rifreskuar strukturat pas humbjes që PD-ja pësoi në zgjedhjet e pushtetit vendor. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë ka patur me të vërtetë një garë reale dhe të fortë për kryetarin e kësaj dege. Një nga kandidatët përfaqësues të strukturave ekzistuese, Defrim Fiku, me detyrën e sekretarit të degës do të përballej me një kandidat që kishte pak muaj që ish pranuar anëtar i PD-së, i cili vinte me kontribute elektorale të arritura në forcat e djathta politike, Edmond Isaku. Hyrja e Isakut në këtë garë, vuri në lëvizje tërë mbështetësit e PD-së Bulqizë dhe i dha një hov të ri zhvillimit dhe gjallërimit të strukturave duke ngjallur interes të veçantë.
Edmond Isaku, drejtues i një firme kromi, drejtori i “TV Bulqiza” dhe i gazetës së këtij rrethi, kryetar i Shoqatës të TV Kabllore Kombëtare dhe njëkohësisht këshilltar në Bashkinë e Bulqizës, ka mjaft reputacion dhe një emër të mirë në këtë rreth.
Karizmatik dhe me një dashamirësi të admirueshme, ai siguroi një diferencë të vogël me kandidatin alternativ që mbështetej nga përfaqësuesit më trashëgues të degës. Pavarësisht se fitoi kandidati alternativ Defrim Fiku, këto zgjedhje në Bulqizë u lexuan si një proces pozitiv që kapërcen formalizmin dhe konformizmin politik si sëmundje e vjetër e PD-së, ku zakonisht zgjedhjet bëheshin me kandidatë të projektuar. Fryma konstruktive e garës ishte dëshmi e interesit dhe seriozitetit që strukturat e PD-së u kushtojnë zhvillimeve të brendshme demokratike.
Për herë të parë në këtë degë kandidati për kryetar i Degës së PD-së Bulqizë, Edmond Isaku u paraqit para konferencës me një alternativë të shkruar ku objektivizoheshin synimet dhe alternativat e kandidatit përballë delegatëve të konferencës.
Përfaqësuesit e PD nga qendra e vlerësuan dhe e inkurajuan përfshirjen e Edmond Isakut si një intelektual me vizion dhe me reputacion publik, për angazhimin e tij në fuqizimin e Degës së PD-së Bulqizë. Një nga detyrat e kësaj dege është bashkëpunimi për të rritur dhe fuqizuar seksionet dhe krijimin e një klime të mirë bashkëpunimi dhe besimi në vlerat e alternativës së Partisë Demokratike, gjallërimi i punës me rininë dhe gruan, si dhe me të gjitha grupet e interesit që mbështesin alternativën e qendrës së djathtë, vlerat e lirisë dhe të demokracisë, shtetin ligjor duke i shpallur luftë krimit dhe korrupsionit për të ndërtuar një shoqëri njerëzish të lirë dhe të demokratizuar, me ekonomi të zhvilluar, një rend të drejtë shoqëror ku njerëzve t’u rikthehet besimi për të sotme më të sigurtë dhe të ardhme më të begatë. Aktualisht Edmondi mban detyrën e nënkryetarit të Degës së PD-së Bulqizë.

Përgatiti: Arlind RAMA