Ballina Bota & Rajoni Vritet terroristi Lavdrim Muhaxhiri

Vritet terroristi Lavdrim Muhaxhiri

Lavdrim Muhaxhiri, nga Kosova, pjesëtar i grupit militant, Shteti Islamik, thuhet të jetë vrarë në Siri. Mediat në Kosovë cituan të vëllanë e tij, Bajram Muhaxheri të ketë postuar në Facebook një njoftim në të cilin thuhet: “vëllai im ra shehid (dëshmor)”, dhe lutet që “Allahu ta pranojë atë në mesin e shehidëve, pejgamberëve e njerëzve të mirë”.
Autoritetet në Kosovë nuk deshën të komentojnë njoftimin, ndonëse thanë që kanë informacion për vrasjen e një shqiptari nga Kosova në Siri, por për shkak të rrethanave nuk mund të flasin për hollësi të tjera.
Lavdrim Muhaxheri, nga qyteti i Kaçanikut në Kosovë, u bë i njohur në korrik të vitit 2014, pasi postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij.
Emri i Muhaxherit i njohur edhe si Abu Abdullah al Kosova, u rishfaq në nëntor të vitit 2016, kur policia e Kosovës tha se në një varg operacionesh janë arrestuar 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti Islamik dhe planifikim sulmesh në Kosovë dhe në rajon. Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit. Sipas autoriteteve “persona të caktuar ishin në kontakt me të dyshuarin Lavdrim Muhaxheri, nga i cili merrnin udhëzime për përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve terroriste në rajonin e Ballkanit”. Në dhjetor, mediat italiane shkruan se ai kishte qëndruar në Kosovë, por kjo u mohua nga autoritetet.
Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë kthyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.
Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e Mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.

Exit mobile version