Shembet manastiri mbi 400-vjeçar, paratë për luksin e zyrave

Nga Telnis Skuqi

Ishte i inatosur, gati të shpërthente si vullkan, madje doli nga vetja, duke pohuar edhe të drejtën e tij si gazetar, për të denoncuar shembjen e manastirit mbi 400-vjeçar të Shën Athanasios, objekt i kategorisë së parë, ndodhur disa ditë më parë në fshatin Dhivër, rreth 40 km larg qendrës administrative të Bashkisë Finiq.
“Gjithmonë kam respektuar parimet e profesionit, por kurrë ndjenjat e mia”, shkruan gazetari minoritar Dhimitër Qiqi, në Facebook-un e tij.
“Në djall gazetaria. Shkoj për të realizuar një reportazh dhe gjej manastirin gërmadhë”, shton ai dhe sakaq nuk i fshen lotët teksa komunikoj me të.
Sipas tij, Manastiri i Shën Athanasios ndodhet saktësisht në fshatin Leshnicë të Poshtme dhe mbishkrimi në hyrje të tempullit daton nga viti 1797.
“Banorët vendas këmbëngulin që kjo datë përkon me rindërtimin e dytë dhe se tempulli është shumë më i vjetër”, më thotë Qiqi.
“Kisha është e tipit bazilikë me një kupolë”, tregon ai.
Më tej, gazetari Qiqi thotë se në anën perëndimore, tempulli është i lidhur me të parën ose narteks, i cili në formën e tij fillestare, ishte e hapur, me tri hapa në fasadën jashtë. Muret janë ndërtuar me gurë uniformë dhe afër kulmit, gurët janë gdhendur në formën e dantellave.
Ndërsa, Vasil Kaliva nga Saranda, kolegu i Dhimitër Qiqit, tregon më hollësisht për objektin e shembur.
“Tempulli është i ndarë nga shenjtërorja me një ikonostasi të gdhendur prej druri, ku mund të dallohen ikonat e Shën Atanas dhe shenjtorëve të tjerë”, thotë ai.
Brenda, vijon Kaliva, muret ishin të zbukuruara me ikona të rrallë që përfaqësojnë një mrekulli të paçmuar kulturore, ndërsa në pjesën veriore të tempullit, ishin ndërtuar qeliza në të cilat jetonin murgjit.
“Të na rrojë rilindja urbane, se objektet shumëshekullore po shemben përpara syve tanë, si të ishin ndërtime pa leje”, shprehet i inatosur, Kaliva.
Si për t’i vënë kapak gjërave, Kaliva tregon një detaj që është akoma më troditës se shembja e objektit.
“Institucionet shtetërore ishin vënë në dijeni, dy muaj më parë, se objekti mbi 400-vjeçar rrezikonte shembjen, por preferuan ta mbajnë të fshehur, për shkak të fushatës elektorale”, thotë Kaliva.
“Përpara se të ndërtojnë rilindjen urbane, institucionet ligjzbatuese duhen të investojnë dhe të mbështesin trashëgiminë që gjyshërit tanë na kanë lënë, pastaj të hedhin sytë nga e ardhmja. Kjo që po ndodh është çmenduri”, përfundon Kaliva.

Ministrja në fushatë

Përkundër pretendimeve të vazhdueshme se trashëgimia kulturore në Shqipëri po mbrohet, gjatë drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga Mirela Kumbaro, trashëgimia kulturore dhe arkeologjike është shkatërruar masivisht.
Shembulli më i fundit është shembja e Manastirit të Shën Athanasit në Leshnicën e Ulët, një monument i kategorisë së parë në Sarandë, që daton të paktën që prej vitit 1797.
Fotot e publikuara nga Melsi Labi, ish-drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, që u shkarkua pas kritikave ndaj ministres Kumbato, tregojnë se kupola e manastirit është shkatërruar plotësisht.
Manastiri është një nga 77 monumentet e kultit që i shpëtoi shembjes gjatë Revolucionit Kulturor e Ideologjik të vitit 1967. Monumenti gjithsesi nuk arriti t’i mbijetojë indiferencës dhe harresës së qeverisë.
Ministrja Kumbaro, e cila është në fushatë elektorale për herë të parë, për të siguruar mandatin e saj në Qarkun e Gjirokastrës, nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë për shembjen e manastirit. Në qytetin e Gjirokastrës, ministrja ka aprovuar planin e paligjshëm të urbanizimit, që vë në rrezik qytetin që bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Po ashtu, Arta Dollani, drejtoresha e Institutit për Monumentet e Kulturës nuk ka arritur ta ndalojë rrënimin e manastirit.