Nuk ka investime, bien kreditë

Huaja për ekonominë nuk po arrin të gjallërohet, në një tregues që kryesisht bizneset kanë stepur investimet, por as individët nuk po kërkojnë më kredi për blerje të mëdha apo konsumatore. Kjo po ndodh, pavarësisht se normat e interesit janë pranë niveleve më të ulëta historike. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 545 miliardë lekë, duke u reduktuar me 2.5 miliardë lekë apo rreth 0.5% në raport me muajin e mëparshëm. Tkurrja e stokut në prill ka ardhur nga rënia e zërit kredia për korporatat jo financiare në valutë (-2.2 miliardë lekë) dhe reflekton deri në njëfarë mase edhe zhvlerësimin e euros ndaj monedhës vendase. Por, edhe huaja në lekë për këtë kategori është zvogëluar me 340 milionë lekë. Huaja për korporatat financiare ka hyrë në një trend të dukshëm rënës që prej dhjetorit të vitit 2014, pra prej më shumë se dy vitesh, teksa biznesi duket se i ka frenuar investimet, por edhe bankat janë më të kujdesshme. Këtu ka ndikuar gjithashtu dhe fshirja e huave që nuk ktheheshin prej të paktën 3 vjet në bilancet e bankave, një proces që është intensifikuar dy vitet e fundit. Këtë muaj, në rënie ka qenë dhe huaja për individët, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kur ky segment njohu zgjerim, duke sinjalizuar një rritje të konsumit. Huaja në valutë për individët ka qenë në rënia, ndërsa ajo në lekë ka shënuar një rritje fare minimale. Ndonëse bankat kanë publikuar oferta shumë të mira për individët sërish ata nuk duket se janë në humor për të marrë kredi për blerje të vogla apo për pasuri të paluajtshme. Edhe vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat kanë lehtësuar standardet e huasë për individët, në krahasim me bizneset, ku vijojnë t’i mbajnë të shtrënguara. Me bazë vjetore (prill 2017/prill 2016), kredia për ekonominë i është rikthyer rënies, duke u reduktuar me 0.4%.