Messi akord për rinovimin, klauzolë 400 milionë euro

Rinovimi i kontratës së Lionel Messit me Barcelonën mbetet thjesht një formalitet. Palët kanë rënë dalord për të gjitha pikat e marrëveshjes dhe pritet thjesht zyrtarizimi i saj. Në fakt orët e fundit është zbuluar një detaj që lidhet me klauzolën e largimit. Nëse një klub elitar dëshiron të blejë argjentinasin duhet ta paguajë 400 milionë euro, ndërkohë që në kontratën aktuale kjo klauzolë është 250 milionë euro. Një çmim që e bën praktikisht të pashitshëm 5 herë fituesin e Topit të Artë. Argjentinasi në bazë të kontratës së re do të jetë i lidhur me ngjyrat blaugrana minimalisht deri në vitin 2021, me të drejtë rinovimi edhe një sezon tjetër. Pikërisht në këtë periudhë përfundon mandatin e tij presidencial Josep Maria Bartomeu, por shkojnë drejt fundit edhe kontratat e Neymar dhe Luiz Suarezit.
Tifozët e Barcelonës, gjithsesi do të jenë plotësisht të qetë vetëm kur Messi të shfaqet përkrah Bartomeut duke nënshkruar kontratën e re. Diçka e tillë mund të ndodhë në fund të këtij muaji ose pasi të përfundojë periudha e pushimeve.
Përsa i përket merkatos, drejtuesit e Barçës po studiojnë mundësinë për ta përforcuar skuadrën me lojtarë cilësorë sidomos në repartin e mesfushës. Marco Verrati mbetet objektiv kryesor, por PSG do të rezistojë deri në fund për të mos e lejuar italianin të largohet, përtej dëshirës së tij për të provuar një eksperiencë të re.
Në skenë orët e fundit ka dalë edhe emri i Ryad Mahrez, aktualisht pjesë e Leicecter City-t. 26-vjeçari shihet si një nga alternativat për sulmin, por për momentin nuk bëhet fjalë për lëvizje konkrete që mund ta transferojnë algjerianin në “Camp Nou”.