Konflikti i ri dhe baza amerikane në Katar

Presidenti amerikan, Donald Trump e vendosi veten në qendër të një mosmarrëveshjeje diplomatike mes Katarit dhe disa shteteve të tjera me peshë. Në një sërë postimesh në Twitter, zoti Trump vlerësoi përpjekjet rajonale për të izoluar Katarin për shkak të mbështetjes që mendohet se po u jep grupeve ekstremiste. Deklaratat bien në sy duke pasur parasysh se Katari është një aleat i afërt i Shteteve të Bashkuara.
Kur presidenti Donald Trump u takua me emirin e Katarit muajin e kaluar, ai e cilësoi marrëdhënien si “jashtëzakonisht të mirë”. “Jemi miq, kemi qenë miq në distancë për një kohë të gjatë”. Është një gjuhë e përdorur shpesh nga dy aleatët dhe për këtë arsye shumë vetë u befasuan kur zoti Trump në një mesazh në Twitter, shprehu mbështetjen për izolimin e Katarit nga disa vende arabe.
Arabia Saudite dhe tri vende të tjera arabe ndërprenë këtë javë lidhjet diplomatike dhe udhëtimet për në Katar për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me mbështetjen për Iranin dhe grupet ekstremiste islamike. Ishte një përshkallëzim i menjëhershëm i një acarimi që ekzistonte prej kohësh mes Katarit dhe fqinjëve të tij. Dhe ka implikime të mëdha për Shtetet e Bashkuara.
Arsyeja është se në Katar ka një personel ushtarak amerikan prej 11 mijë trupash në një bazë ajrore që është jetike për luftën kundër Shtetit Islamik, thotë Andreas Krieg, që ndihmon me stërvitjen e forcave të armatosura të Katarit.
“Është një bazë ushtarake masive. Është baza më e madhe për mbështetje taktike e ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme. Shumica e operacioneve në Afganistan, Irak, Jemen, Siri e kanë fillesën atje. Ka një rëndësi kritike”. Analisti shtron pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara në fakt ndihmuan në koordinimin e planit për të izoluar Katarin, siç la të kuptohej zoti Trump.
Janë ngritur gjithashtu pyetje nëse vetë ekipi i Sigurisë Kombëtare i zotit Trump e mbështet qëndrimin e tij të ashpër ndaj Katarit, thotë analisti Anthony Cordesman, që ka qenë këshilltar i Pentagonit për një kohë të gjatë.
“Nuk është shumë e qartë nëse ky qëndrim ka mbështetjen e sekretarit të Mbrojtjes, sekretarit të Shtetit dhe këshilltarit për siguri kombëtare. Mendoj se duhet të jemi pak të duruar”. Në një deklaratë për “Zërin e Amerikës”, një zëdhënës i Pentagonit e pranoi për “Zërin e Amerikës” se ka “pikëpamje të ndryshme” mes aleatëve arabë, por tha se Shtetet e Bashkuara ishin “mirënjohëse për mbështetjen e tyre të vazhdueshme” për praninë ushtarake amerikane.
Departamenti i Shtetit ka një reagim të ngjashëm, duke thënë se Katari ka bërë përparim në masat kundër financimit të grupeve ekstremiste, por shton se duhet më shumë përparim në këtë drejtim.