FIFA: Taulant Seferi, zyrtarisht kuqezi

Pas Elvir Malokut, edhe Taulant Seferi është gati për të luajtur me kombëtares Shpresa në ndeshjet zyrtare të kualifikueseve të Europianit 2019. FIFA aprovoi kërkesën e vetë futbollistit dhe të Federatës shqiptare të Futbollit, që Seferi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi. Lejekalimi ishte i nevojshëm, sepse në të kaluarën mesfushori i lindur në Kumanovë kishte luajtur me përfaqësueset e moshave të Maqedonisë.
Departamenti i Statusit të Lojtarit në selinë e FIFA-s dha “dritën jeshile” që 20-vjeçari të luajë prej ndeshjes së parë kualifikuese të Shpresave në Kampionatin Europian, të hënën më 12 qershor përballë Estonisë në “Elbasan Arena”.
Vetëm pak ditë pasi u pajis me pasaportën shqiptare, Taulant Seferi ka debutuar me kombëtaren e 21-vjeçarëve gjatë muajit mars, në dy miqësoret e luajtura përballë Moldavisë. Lojtari i Young Boys në superligën zvicerane është një përforcim i rëndësishëm për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi dhe një alternativë më tepër për manovrat sulmuese të skuadrës.