Pengmarrja në Lezhë e grave të PS dhe hipokrizia e Ramës me gratë

Armand MAHO

Edi Rama ishte ai që për të futur Arben Ndokën në Parlament, njeriun e akuzuar për trafik prostitucioni dhe i dënuar me shtatë vjet burg në Itali, lejoi shantazhin ndaj dy grave në listat e Lezhës në vitin 2013. Bëhet fjalë për Merjeme Delishin dhe Mirela Nelin, të cilat nuk u lejuan të marrin mandatin e deputetes pas dorëheqjes së Mimi Kodhelit, e cila mori Ministrinë e Mbrojtjes. I dyti në listë ishte Armando Prenga dhe ky i akuzuar për vepra penale të mëparshme dhe gjatë kohës që mbante mandatin e deputetit plagosi një qytetar në këtë qytet. Një listë bandash që do e kish zili çdo kapo mafie në ndonjë qytet siçilian. Sot Edi Rama del qytet më qytet dhe flet për listën e PD dhe mungesën e grave aty, ndërkohë që në listën e kësaj force politike më shumë se 40 për qind janë gra të nderuara. Mesa shihet Ramës s’i ka mbetur më asnjë alternativë tjetër nga mashtrimet e vitit 2013 dhe tashmë merret me listat e kundërshtarit, ndërkohë që në listat e tij janë të gjithë përgjegjësit për situatën në të cilën ndodhet vendi sot.

Tërheqjet

Por çfarë ndodhi? Merjeme Delishi ishte e pesta në listën e Lezhës. Në bazë të ligjit të përfaqësimit gjinor, Delishit i kaloi mandati, megjithëse i treti në radhë ishte Arben Ndoka i famshëm, i cili tashmë është angazhuar seriozisht për fitoren e Lindita Nikollës dhe mikut të tij të armëve Pjerin Ndreut. Më datë 20 dhjetor në vitit 2013, Delishi në seancën e fundit të legjislaturës për vitin 2013 do të bënte betimin si deputete. Madje në një intervistë në media shprehej e kënaqur se do të përfaqësonte qytetin e Lezhës e të tjera si këto. Por çudia ndodhi me hapjen e legjislaturës së Kuvendit të ri, atij të vitit 2014. Në media njoftohet se Delishi dha dorëheqjen nga ky post për shkak të arsyeve shëndetësore. Sipas justifikimit të saj, ajo nuk mund të përballonte seancat e Kuvendit dhe punimet e komisionit për shkak se kryente dializën në spital. Në fakt, Delishi nuk shkeli në asnjë seancë parlamentare dhe në asnjë mbledhje komisioni. Katër ditë më vonë, KQZ në mbledhjen e saj të radhës do ia kalonte mandatin e Kodhelit numrit tetë të listës së PS-së së Lezhës, Mirela Neli. Por kjo e fundit menjëherë dorëzoi në KQZ një letër ku refuzonte të merrte mandatin. Madje për këtë çështje as nuk pranoi të prononcohej në media. Kjo ishte dhe femra e fundit në listën e Lezhës. Gazeta “Panorama” e datës 20 janar shkruante: “Ish-kryetarja e Gjykatës së Qarkut të Lezhës, Merjeme Delishi, theksoi disa ditë më parë për ‘Panorama’ se arsyeja e dorëheqjes vjen vetëm për arsye shëndetësore dhe se nuk ka pasur asnjë presion për të lënë mandatin e deputetes. Ndërkohë, me ‘deputeten në tentativë’ Mirela Neli, ka qenë i pamundur kontakti. ‘Panorama’ tentoi disa herë për t’u lidhur në telefon, por ka qenë e pamundur”.

Akuzat

Por çfarë kishte ndodhur? Në seancën e datës 23 janar deputetja e PD-së, Jozefina Topalli do të hidhte akuza të rënda në lidhje me këtë çështje. E para që do e ngrinte si problem ishte ish-deputetja e PD-së, Mesila Doda, e cila u kërkoi grave në Parlament të protestonin ndaj kësaj maskarade që po u bëhej dy zonjave, ndërkohë që zonja Topalli do të shkonte dhe më tej. “Ajo që po ndodh sot është e rëndë. Kodi i heshtjes është kodi i mafies. Nuk janë të sëmura, por u kanë kërcënuar fëmijët. Nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit”. Rama i pranishëm në sallë e dëgjonte këtë dhe heshtte ose qeshte. Për të bërë avokatin e Ndokës nxori një tjetë gura, Mimi Kodhelin e cila do të shprehej se Delishaj dha dorëheqjen për arsye shëndetësore, por s’diti të shpjegojë heshtjen dhe dorëheqjen e Mirela Nelit. Pas kësaj, Arben Ndoka do të shkonte i qetë të bënte betimin si deputet i Shqipërisë, mandatin e të cilit do e dorëzonte dy vjet më vonë, pas akuzave që dolën për përfshirjen e tij në rrjetet e prostitucionit në Itali.

Ndoka në Parlament, i duhej Ramës për shantazh dhe trafikun e drogës

Po për çfarë i duhej Arben Ndoka Ramës në Kuvend sa të lejonte të shantazhoheshin dy zonja të spikatura në profesionet e tyre? Në fakt Ndoka nuk do të mbahet mend ndonjëherë të ketë folur për hallet e lezhjanëve, sepse në fakt ai nuk ishte aty për atë punë. Nard Ndoka mbahet mend për goditjen që i bëri deputetit të PD-së, Gent Strazimiri me urdhër të Edi Ramës, madje këtij veprimi iu bashkua dhe Pjerin Ndreu, që me këtë akt siguroi një vend në listat e Qarkut të Lezhës. Gjëja tjetër që mbahet mend Ndoka është e kaluara e tij si trafikant, sa kjo gjë u ngrit si shqetësim dhe nga ambasadori amerikan në Tiranë. E treta është përfshirja e emrit të tij në trafikun e hashashit me magazinat në Rrëshen. Këto janë bëmat dhe vlerat që Ndoka shpalosi në Parlament dhe mesa duket për këto i duhej Edi Ramës aty. Atij nuk i duhej as ish-gjyqtarja Delishaj dhe as ekonomistja Neli, sepse për kontributin e tyre nuk kish nevojë. Atij i duhej Ndoka që të shantazhonte dhe të mblidhte ku ishin dhe ku nuk ishin horrat e Lezhës, për të siguruar rrugët dhe parcelat e hashashit, për t’i bërë shantazh opozitës dhe për të blerë votat në fushatë. Sepse rilindja e Edi Ramës kështu u ndërtua dhe mesa duket në rast se nuk ndëshkohet me votë më 25 qershor nuk do të ndryshojë.

Marrëdhëniet e vështira të Ramës me femrat, jo vetëm në Parlament

Por dhe vetë Rama nuk i ka mirë punët me gratë dhe jo vetëm me ato të opozitës. Për shembull janë ende të freskëta pamjet kur i hakërrehej ministres Kumbaro në Kuvend, e cila largohej për tek vendi i saj duke qarë. Madje dhe me deputeten e Shkodrës, Mimoza Hafizi ka pasur përplasje. Ndërkohë për sa i përket atyre të opozitës incidentet ku Kryeministri kërkon të shfaqë trimërinë e tij janë pa fund. Pre e fjalorit të tij banal kanë rënë thuajse të gjitha gratë e grupit parlamentar të opozitës. Mimoza Hajdarmataj, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Jozefina Topalli, Albina Dedja etj. Rama, i cili shprehet për respekt ndaj grave duket se s’ka një komunikim për t’u pasur zili me to dhe në jetën private. Ndoshta nuk është e rastit t’i kujtojmë numrin e grave që e kanë braktisur për shkak të sjelljes së tij arrogante me to.

Një histori e çuditshme me listën e Lezhës, që vetëm Ramës mund t’i ndodhë

Historia e Ramës me listën e Lezhës është nga më të çuditshmet dhe të pazakontat që mund t’i ndodhë ndonjë Parlamenti në botë. Në vitin 2013 kjo forcë politike mori 28 mijë vota në rang qarku dhe megjithëse lista e dorëzuar kishte jo pak, por 7 kandidatë të PS-së, sërish ajo mbeti pa asnjë. Tri femra dhe tre meshkuj dhanë dorëheqjen. E para Mimi Kodheli për një veprim qesharak të Ramës ku detyroi ministrat të hiqnin dorë nga mandati kur merrnin detyrën. Mimi Kodheli është ministre e Mbrojtjes. E dyta, Merjeme Delishaj dhe e treta, Mirela Neli për shkak të presioneve nuk pranuan të merrnin mandatin që i kaloi Arben Ndoka. I katërti për nga radha, por në listë i dyti Armando Prenga u detyrua të linte mandatin për shkak të dekriminalizimit dhe dënimit të tij. I treti, në listë Arben Ndoka gjithashtu la mandatin për t’i shpëtuar hetimit të dekriminalizimit. Kastriot Piroli, i cili ishte i gjashti në listë dhe ishte dënuar për shpërdorim detyre kur ishte në krye të hipotekave të Kurbinit. Mandati i kaloi më pas Eduard Ndocajt që kandidonte brenda listës së PS, por tashmë është kryetar i Partisë Bashkimi Demokristian. Mandatin tjetër që mbetej, pas mbarimit të listës së kandidatëve e mori LSI si partia e dytë më e madhe e koalicionit. Aktualisht me Parlamentin e vitit 2013, Lezha nuk ka asnjë mandat përfaqësimi nga Partia Socialiste, megjithëse kanë votuar 28 mijë persona për këtë sigël.