Shkarkime dhe ndjekje penale 7 zyrtarëve në dogana dhe arsim

Penalizimet për zyrtarët dhe punonjësit e administratës që përfshihen në fushatë elektorale gjatë orarit zyrtar të punës sa vijnë dhe rriten. Listës së të shkarkuarve dhe të dërguar për ndjekje penale i janë shtuar dje edhe 7 zyrtarë të tjerë. Ata janë zyrtarë të doganave dhe zyrave arsimore në vend. Ministrja e Financave, Helga Vukaj ka kërkuar nga Prokuroria hetim për dy punonjës të doganës së Tiranës dhe asaj të Kakavijës. Sipas njoftimit të publikuar nga Ministria e Financave thuhet se, Adriatik Hamza, punonjës i degës doganore Tiranë, si dhe Misto Kano, punonjës i doganës Kakavijë janë përfshirë në fushatë elektorale. Ministria e Financave ka publikuar edhe dy foto ku shfaqen se si punonjësit e doganës mbajnë flamuj të PS. Ministria e Financave ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejnë veprimet e nevojshme për hetimin, respektivisht të z. Adriatik Hamza, punonjës i degës doganore Tiranë, si dhe të z. Misto Kano, punonjës i Doganës Kakavijë. Nisur nga informacionet, z. Hamza dhe z. Kano, rezultojnë të jenë përfshirë në mënyrë aktive dhe të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017. Nisur nga ky rast, Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë që të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërkohë Ministria e Financave përshëndet operacionin që çoi në kapjen e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, mbrëmë në Portin e Durrësit. Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës doganore në punën e tyre dhe vlerëson rolin e madh që ata kanë në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Ministria e Financave ka kërkuar nga Prokuroria hetim për drejtorin rajonal të Tatimeve në Kukës, Albert Halilaj, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në fushatë elektorale. Ministria e Financave në një njoftim për mediat sqaron se, “ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin e z. Albert Halilaj, drejtor rajonal i Tatimeve në Kukës. Nisur nga informacionet, z. Halilaj, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017”. Nisur nga ky rast, Ministria e Financave thotë se kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë që të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Ministria e Financave përfiton nga rasti t’ju bëjë thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Whatsapp, Viber)”, mbyllet njoftimi i ministrisë.

Kreu i Zyrës Arsimore në Has dhe 3 zyrtarë të tjerë kallëzohen penalisht

Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka kallëzuar në Prokurori kreun e Zyrës Arsimore në Has, Selman Qemanë, pasi mori pjesë në fushatë elektorale. Përmes një njoftimi, Ministria e Arsimit sqaron se kreu i Zyrës Arsimore në Has përfshiu edhe punonjësit në varësi të tij, personel të zyrës arsimore: Specialisti i Burimeve Njerëzore, Erlis Dibra, specialisti i Kurrikulës, Jetmir Qaushi dhe drejtorin e shkollës 9-vjeçare Zahrishtë, Veli Ibraj. Informacioni i është dërguar për dijeni edhe Prokurorisë së Përgjithshme Tiranë. Ministria e Arsimit dhe Sportit konfirmon gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me organet kompetente duke vlerësuar çdo provë të depozituar të përfshirjes së paligjshme të administratës shtetërore në fushatën zgjedhore në sigurimin e një procesi zgjedhor duke zbatuar detyrimet ligjore.

Hetimet për korrupsion, pezullohet drejtori i Albpetrol-it

Gjykata e Vlorës ka pezulluar nga detyra drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka. Vendimi është marrë në datën 2 qershor 2017 dhe firmosur nga gjyqtari Albert Spiro, pas një kërkese të paraqitur nga Prokuroria, e cila po e heton Endri Pukën për shpërdorim detyre me pasoja të rënda financiare.
Ndonëse gjykatësi ka firmosur vendimin për pezullimin e Pukës më datën 2, autoritetet shtetërore kanë injoruar verdiktin e gjykatës dhe Puka ka shkuar në zyrë rregullisht. Endri Puka po hetohet nga organi i akuzës në lidhje me shkeljen e disa kontratave koncesionare në mënyrë arbitrare, duke sjellë barrë për financat shtetërore, por dhe me pasojë ndotjen e mjedisit.
Endri Puka konsiderohet si drejtori i “hambarit të jugut”, drejtues i një prej kompanive më të mëdha publike të vendit, Albpetrol. Puka u vendos në këtë post në vitin 2013 si një sugjerim i deputetit Koço Kokëdhima, por prej afro një viti ai ka besimin direkt të kryeministrit Rama dhe ministrit Gjiknuri dhe punon ngushtësisht vetëm me ta.
Puka dyshohet për një sërë shkeljesh të rënda të kryera javët e fundit gjatë ushtrimit të detyrës. Endri Puka është i angazhuar dhe në fushatën elektorale të PS-së e në mënyrë informale, atij i është besuar zona delikate e Delvinës.