ISIS atentate në Iran

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet e djeshme në Iran që kishin si objektiv Parlamentin e vendit dhe objektin e shenjtë ku ndodhen eshtrat e ish-udhëheqësit shpirtëror të Iranit, Ayatollah Ruhollah Khomeini.
Njoftimin për marrjen e përgjegjësisë e dha agjencia e lajmeve e Shtetit Islamik, “Amaq”, disa orë pas sulmeve.
Njoftimet e shtypit iranian venë në dukje se në sulmin ndaj objektit ku është varrosur ish-udhëheqësi shpirtëror i Iranit morën pjesë tri persona të armatosur dhe njëri hodhi veten në erë. Gjatë sulmit u vra një person dhe u plagosën disa të tjerë. Njoftimet thonë se policia ka arrestuar të paktën një prej autorëve dhe ka vrarë një tjetër.
Sulmi tjetër ishte ndaj ndërtesës së Parlamentit. Edhe aty morën pjesë tri persona të armatosur dhe një që hodhi veten në erë. Shtypi iranian njofton se një prej rojeve të Parlamentit u vra dhe disa persona të tjerë janë plagosur.
Grupi ekstremist i Shtetit Islamik është në luftë me grupet që mbështeten nga Irani në Siri dhe ai i konsideron besimtarët shi’ite si tradhtarë që meritojnë vdekjen.