E gjithë administrata e Lezhës në fushatë për PS në orarin e punës

E gjithë administrata e Arsimit, Hipotekës, Prefekturës, Postës në Lezhë bëjnë fushatë për Partinë Socialiste në orarin e punës dhe në mes të ditës në kundërshtim flagrant të ligjeve. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar nga Lezha.
“Administratë e partisë-shtet! Narko-administrata e Arsimit, Hipotekës, Prefekturës, Postës në Lezhë në dhunim flagrant të ligjeve bëjnë fushatë për Narko-kandidatin Ndreu, që është nënkampion pas Gjicit në fitimin korruptiv të tenderave të qeverisë në emër të vëllait dhe ndrikull Vilës, që i bëhen paratë e takspaguesve të Lezhës dhe mbarë Shqipërisë vilë luksoze në Lundër si në ëndërr! Lexoni denoncimin dhe shikoni fotot që ka dërguar qytetari dixhital!”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha përshëndetje. Po ju dërgoj disa foto si po bën fushatë PS në Lezhë, në mes të javës, në mes të ditës. Foto sa për 1 mijë fjalë. Na thoni ku duhet të besojmë. Zoti Berisha aty në fotot e Lezhës në fushatën ditën për diell të PS të drejtuar nga Lindita Nikolla dhe Pjerin Ndreu janë Prefekti Eduart Ndreca, Nëndrejtori i Hipotekës, Eraldo Smaci, nusja e Eraldos, punonjëse e Prefekturës, Adrian Ceka, mësues, Lirika Golemi, inspektore në Drejtorinë Arsimore, Astrit Berthamzaj tek Posta, Marjan Ndoci, në Drejtorinë Arsimore. Këta janë eksponentët kryesorë kudo në fushatë. Ju lutem anomim. Respekte”, shkruan qytetari nga Lezha.
Po ashtu, ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij në Facebook dhe foto dhe mesazhe të qytetarëve që denoncojnë drejtuesit e Drejtorive Arsimore dhe të shkollave nga Tropoja në Sarandë që bëjnë fushatë për Partinë Socialiste në kundërshim me ligjin. “Shkelje masive e ligjit për arsimin dhe e Kodit Elektoral! Narko-drejtorë të Arsimit, të shkollave dhe arsimtarë nga Tropoja në Sarandë, marrin pjesë në kundërshtim me ligjet e vendit në fushatën elektorale të Noriegës dhe narko-deputetëve të tij. Qytetarët dixhitalë kanë denoncuar këta shkelës të ligjit në Delvinë, Fier, Përmet, Librazhd, Tropojë, Has, Kukës, Kuçovë, Kamëz, Tiranë, Berat, Lushnjë, Kolonjë, Zall Herr, Bushat, Klos! Shikoni fotot dhe lexoni mesazhet e tyre”, shkruan Berisha.