Dështimi i Financave me investimet publike

Investimet kapitale kanë qenë padyshim pika më e dobët e qeverisjes, ku përveç uljes së fondeve si rrjedhojë e politikave shtrënguese fiskale, realizimi i planit ka hasur dobësi të theksuara pa vënë në diskutim eficencën e investimeve.
Edhe ky vit ka vijuar në të njëjtat shina edhe pse në sfond janë zgjedhjet e përgjithshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave plani i investimeve kapitale për 4-mujorin rezultoi 8 për qind më i ulët se programi. Muaji prill shfaqi shumë dobësi me një mosrealizim nga plani me 22%.
Investimet janë mjeti kryesor i qeverisë për të stimuluar rritjen ekonomike. Përvoja ka treguar se investimet në rrugë ndikojnë drejtpërsëdrejti rritjen ekonomike. Sidomos në vitet zgjedhore për shkak të ndjeshmërisë që kanë rrugët tek votuesit, investimet në këtë sektor kanë kapërcyer gjithmonë parashikimet, por këtë vit jo vetëm që tejkalim nuk ka po nuk po shpenzohen as fondet në dispozicion.
Sipas të dhënave zyrtare shpenzimet për investimet kapitale arritën 14.4 miliardë lekë nga 15.7 miliardë lekë që ishin planifikuar me një mosrealizim prej 8%. Investimet anemike u shndërruan në një fenomen të viteve të fundit ku sipas të dhënave të Ministrisë së Transportit vitin e kaluar janë ndërtuar vetëm 29 kilometra rrugë.
Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave në tremujorin e parë janë financuar rreth 10 miliardë lekë të shpërndara në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla.
Projekti më i financuar këtë vit është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës–Qafë Plloqë që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milionë lekësh ose 6.8 milionë euro.