Banorët e përmbytur në protestë: PS-ja po ndan lekë për fushatë

Banorët e NënShkodrës u hodhën në protestë dje para Prefekturës, duke akuzuar qeverinë se po i mashtron për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Qindra banorë e nisën protestën me bllokimin e pedonales përpara Prefekturës së Shkodrës, duke mos lejuar kalimin e automjeteve. Bllokimi i rrugës nga protestuesit ka sjellë përplasje mes tyre dhe të Policisë së Shtetit.
Banorët e NënShkodrës kërkojnë dëmshpërblimet e përmbytjeve për vitet 2010-2011, ku vërshimi i ujërave u shkatërroi shtëpitë, të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Ato akuzojnë se premtimet e qeverisë nuk po mbahen dhe ditët e fundit për shkak të zgjedhjeve, po ndahen në mënyrë selektive nëpër fshatra, para nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
“Partia Socialiste po ndan lekë në mënyrë të njënashme për dëmshpërblimet e përmbytjeve. Po ju jepen lekët vetëm atyre që janë me Partinë Socialiste, ndërsa ne të tjerëve na mashtruan”, u shpreh një nga banorët e protestës para Prefekturës së Shkodrës.
Protestat e tyre kanë qenë të vazhdueshme dhe banorët janë të vendosur të mos ndalen, deri në marrjen e qindarkës së fundit, pasi dëmet e shkaktuara asokohe ishin të mëdha dhe pasojat po i vuajnë edhe sot.