Ulje taksash, vende të reja pune, 10 mijë stazhe në vit për të sapodiplomuarit

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik para banorëve të Tiranës në Njësinë 8 dhe 4. Basha tha se Republika e re do të ulë taksat, do të hapë fabrika për të krijuar vende pune, do të investohet në shkolla me drekë për fëmijët shqiptarë, 10 mijë stazhe për të sapodiplomuarit, ndihmë direkte për familjet në nevojë, pension minimal 250 mijë lekë, si dhe 100 milionë euro subvencione për fermerët. “Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave dhe çlirimi i qindra milionë eurove në ekonominë shqiptare. 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë stazhe të paguara nga Republika e re me rrogë 200 mijë lekë të muaj për të bërë urën nga bankat e universitetit tek tregu i punës. Do të luftojmë fuqishëm që sipërmarrja e madhe të hapë fabrika e të hapë vende pune. Mbështetje direkte financiare për ata që hapin vende pune. Do të konkurrojmë në rajon e kudo. Lufta ime e përnatshme dhe e përditshme do të jetë për të hapur vende pune. E nesërmja e sigurtë do të fillojë me fëmijët e shqiptarëve. Investimi më i madh i Republikës së re do të jenë shkollat publike ku, nga kopshti deri në maturë, shkollat do të përgatiten me infrastrukturë, me mësues, me kuzhina për drekën falas për çdo fëmijë shqiptar. E nesërme e sigurtë do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet në nevojë ekonomike dhe do të thotë pagesa e faturës së energjisë dhe të ujit si shtesë dhe jo t’ia japësh me një dorë dhe me tjetrën t’ia zhdukësh me faturat e larta”, tha Basha.

Njësia 8 bashkohet me projektin e Republikës së re

Në një takim me banorët e Njësisë 8 në Tiranë, lagje ku ka lindur dhe është rritur kryetari i PD, Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve të braktisin PS dhe LSI, duke i cilësuar parti të pazareve. Basha ftoi shqiptarët të bashkohen me PD, duke premtuar sesi kryeministër do të harxhojë çdo minutë në shërbim të tyre. “Bashkohuni me mua Lulzim Bashën sepse do të jem kryeministri i njerëzve të thjeshtë, i halleve dhe problemeve tuaja, i zgjidhjeve për ju, braktisni partitë e tepsisë së pushtetit, ktheheni pushtetin tek vetja juaj, për fëmijët tuaj. Merreni Tiranën në dorë, bëjeni natën ditë këto tre javë dhe ju jap fjalën se do të shkrij çdo minutë, çdo orë të jetës time si kryeministër për t’ju shërbyer dhe për të bërë realitet premtimet që sot ju dhashë këtu”. 25 qershori tha Basha do të jetë dita e llogaridhënies së kësaj mazhorance për premtimet e pambajtura. Basha: “Prandaj i ikën dhe debatit, refuzon debatin. Keni parë dhe do të shikoni spektakël, estradë, batuta. Tani ja ku jam këtu në këtë rrugë të lagjes time të vjetër, duke ju parë në sy dhe duke ju thënë që nuk kam ndërmend ta lejoj që ta marrë këtë fushatë prej hunde, që ju nuk keni ndërmend ta lejoni t’ju marrë për hunde, sepse më 25 qershor është dita e llogaridhënies për 300 mijë vendet  e punës që nuk i hapi, për taksat që rriti, për faturat e energjisë që i rriti, për shëndetësinë në kolaps, për qindra premtime që i mori votat dhe braktisi qytetarët”. Kryetari i opozitës tha se Rama dhe Meta në 4 vjet bënë vetëm spektakël politik. Basha: “E shikoni Edi Ramën nga mëngjesi deri në darkë do në qendër të vëmendjes veten e  tij, me batutë, me barsaletë, me karikaturë, me veshjen e tij do veten e tij në qendër të vëmendjes. Ai tjetri mori daullen në Kukës e patë. Ky tjetri kërcen valle, gjithçka vetëm për veten e tyre. Spektakël politik, si Ezeli, 4 vjet telenovelë. Por ndërkohë njerëzit me tavolina bosh, pa punë, me rroga copë-copë”. Basha tha se Rama refuzon debatin pasi nuk ka bilanc dhe ka braktisur çdo premtim.