Shqipëria, një “labirint” fiskal

Shqipëria është një ndër vendet më të vështira në botë kur bëhet fjalë për burokracitë e taksave dhe ambientit fiskal. Indeksi financiar global 2017 i grupit TMF i publikuar më 6 qershor, e rendit vendin tonë të 13-tin në botë sa i përket kompleksitetit të taksave dhe pajtueshmërisë financiare, duke e vendosur pranë vendeve si Italia apo Greqia, që njihen për burokraci dhe vështirësi të tepërta për sipërmarrjen. Madje, vendi ynë është përkeqësuar ndjeshëm në renditje në krahasim me indeksin e kaluar, kur renditej në vendin e 31-të në botë. Në të kundërt, Kosova, Serbia dhe Maqedonia janë ndër vendet me ambientin më të favorshëm të taksave në nivel global. Në analizë merren në total 94 shtete, të cilat renditen në bazë të një sërë faktorësh, si kompeksiteti i taksave në nivel qendror dhe lokal, transparenca, ndryshimet e shpeshta të sistemit të taksimit, etj. Vendi më i vështirë në botë për sipërmarrjen kur bëhet fjalë për të paguar taksat është Turqia, e ndjekur nga Brazili, Italia dhe Greqia. Vendet më të mira në botë ndërkohë janë ishujt Cayman. Renditja e Shqipërisë në pozita aspak të favorshme ndërkohë nuk është aspak surprizë. Kompleksiteti i sistemit fiskal lidhet ngushtë me ndryshimin e politikave dhe mungesën e reformave reale në këtë drejtim. Mungesa e një debati politik, institucional dhe publik mbi lehtësimin e burokracive dhe ndërtimin e një sistemi jetëgjatë, pashmangshmërisht që do të prodhojë një ambient të tillë, i cili penalizon jo vetëm investitorin vendas, por edhe atë të huaj.