Raporti: Shqipëria po bëhet rrugë kryesore e trafikimit në Europë

Shqipëria përmendet për herë të parë me shqetësim në Raportin vjetor europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së djeshme nga Qendra europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA).
Raporti bazohet në informacionin që EMCDDA merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017-s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit, ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabisit, ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.
Në një publikim të mëparshëm të EMCDDA, “Raporti i Tregjeve të Drogave në Europë 2016”, në bashkëpunim me Europol, që botohet një herë të tre vjet, thuhet se vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në njëfarë mase Kosovën, furnizojnë tregjet e Europës Qendrore dhe Europës Lindore. Shqipëria duket të ketë qenë një prodhues i rëndësishëm (raporti i referohet dhe zhvillimeve në Lazarat dhe mbylljes së prodhimit aty).
Greqia, ku prodhohet gjithashtu kanabisi, është një pikë e rëndësishme hyrëse në BE për kanabisin shqiptar, që shpërndahet në disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Kroacinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Austrinë. Një pjesë e kanabisit shqiptar mund të shitet dhe në Europën Perëndimore, si në Gjermani ose Francë. Për më tepër, Europol bën të ditur se kanabisi me fuqi të ulët trafikohet në Holandë dhe përdoret për të prodhues kanabis të fortë, që më pas destinohet për tregjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit (Europol, 2015), sipas Raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016.
Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit.
Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit afgan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Demiraj: Luftë pa kompromis ndaj drogës

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj u njoh me gjetjet e Raportit vjetor europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së djeshme nga Qendra europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), ku Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj shprehet thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si drejtorin e Shërbimit Informativ, prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.
Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë.
Ministri Demiraj përgëzon punën goditëse të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe garanton mbështetje të plotë të të gjitha strukturave për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017–2020.

Trafiku i drogës Shqipëri-Itali, 1 ton drogë e sekuestruar, 61 të arrestuar

Policia italiane përmes një operacioni antidrogë ka goditur në Catania, organizatën e trafikut të drogës Shqipëri-Itali. Një operacion i madh është ndërmarrë nga policia e Ragusa-s në Itali dhe Guardia di Finanza e Comos, kundër një rrjeti që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali.
Në vazhdën e operacionit të koduar “Balkan” janë nën hetim 61 persona, 37 mes të cilëve shqiptarë (6 ende në kërkim) dhe 24 italianë, të gjithë me origjinë siçiliane. Gjatë hetimeve, që nisën në vitin 2012, ka pasur bastisje në shumë qytete italiane; më e rëndësishmja në Catania, ku u sekuestruan 1,000 kg marijuanë.
Ditët e fundit janë arrestuar promotorët dhe organizatorët e trafikut, të gjithë shqiptarë. Në pranga është vënë: Fation Hoxhaj, 40 vjeç; Mandi Hoxha i njohur edhe si Gentian Hoxhaj, 37 vjeç, Erson Zhuka, 41 vjeç dhe Roland Kalemaj, 41 vjeç, raportojnë mediat lokale.
Hetimi zgjati disa vite dhe në të janë përfshirë dhjetëra hetues, të cilët kanë arritur të rindërtojnë të gjithë zinxhirin e trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Itali. Ngarkesa të mëdha janë nisur nga Shqipëria për në Itali.
Policia e shtetit në Itali dhe Guardia di Finanza, për më shumë se një vit e gjysmë kanë punuar veç e veç dhe pastaj kanë kombinuar hetimet në fazën përfundimtare, për të identifikuar furnizuesit shqiptarë. Një total, 61 persona do të gjykohen me akuzën se kanë qenë pjesë e organizatës kriminale të dedikuar për trafikimin e drogës.