Kolasinaç zyrtarisht futbollit i Arsenalit

Arsenal realizon goditjen e parë në merkato. Sezon për t’u harruar ku sapo ka përfunduar për Topçinjtë e Londrës, pas 21 vitesh ata mbetën jashtë Champions League. Situatë kjo që solli në drejtim të trajnerit Arsen Wenger, protesta të shumta, por në fund atij iu dha sërish besimi nga ana e drejtuesve të klubit, duke i rinovuar kontratën. Tashmë vëmendja do të jetë e gjitha në merkato, për të përforcuar skuadrën. Nuk ka vonuar dhe goditja e parë. Arsenali ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të krahut të majtë Sead Kolasinaç. Boshnjaku i ka dhënë lamtumirën tashmë ish-skuadrës së tij Schalke 04 dhe ka firmosur me ekipin e Wenger.
Londinezët kanë arritur të mposhtin konkurrencën me Milanin. Këta të fundit prej kohësh ishin vënë në ndjekje të 23-vjeçarit, por në fund nuk ia dolën dot. Transferimi i Kolasinaç nuk i kushtoi asnjë cent arkave të Arsenalit, për shkak se mbrojtësit i kishte përfunduar kontrata me “Blutë Mbretërorë”. Ardhja e boshnjakut detyron Kieran Gibbs, të bëjë gati valixhet dhe gjasat janë që sezonin e ardhshëm ai të jetë pjesë e Newcastle.