Gjykata vendos: Tahiri do të thirret në gjyq për krimet e Shullazit

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për të pyetur dëshmitarët e kërkuar prej saj në gjyqin ndaj Emiliano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë. Është vendosur që të dëshmojnë ish-ministri Saimir Tahiri, ish-ministrja Lindita Nikolla, drejtuesi i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Sipas Prokurorisë, ata do pyeten për kërcënimet nga Emiljano Shullazi ndaj Mynyr Konit, në mënyrë që ky i fundit të tërheqej nga gara si rektor universiteti.
Koni u kërcënua në muajin prill të 2016-ës që të tërhiqej nga gara për rektor në UT, jashtë një hoteli në Tiranë, ndërsa rastin e denoncoi në Policinë e Tiranës, e më pas ka marrë kontakte me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.
“Jam kërcënuar personalisht dhe është gjithçka e vërtetë, pavarësisht akuzave që janë hedhur se është inskenim, aspak. Kërcënimi ka qenë që të largohem nga kandidimi për rektor”, ka thënë rektori Koni.
Kujtojmë se Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule. Në mbrëmje të po asaj dite, Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin për Shullazin e miqtë e tij, Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin, me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve.
Krimet e Rënda kanë pranuar të administrojnë edhe dëshminë e biznesmenit të kërcënuar, Ylvi Beqaj. Gjithashtu ditën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për deklarim të papërdorshëm të përgjimeve të kryera gjatë hetimit.
Si dëshmitarë do të pyeten edhe dy ish-avokatët e të 5 të pandehurve në fazën paraprake të hetimit, Nexhdet Kambo e Alban Qafa si dhe noterja Aida Spahiu, para të cilës Ylvi Beqja i ka kaluar 35% të pronës Emiljano Shullazi. Por një nga dëshmitë kryesore në këtë proces dhe që për akuzën provohen krimet e Emiljano Shullazit, është pyetja në sallën e gjyqit me cilësinë e dëshmitarit të biznesmenit të mbrojtur nga drejtësia Ylvi Beqja. Seanca u ndërpre, për të njoftuar dëshmitarët e parë të akuzës, të cilët do të pyetën të martën e ardhshme nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Sipas Prokurorisë, Emiljano Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij, Gilmando Dani, Endri Zela, Blerim Shullazi dhe Endrit Qyqja, akuzohen për 9 vepra të rënda penale. Atë të “gjobëvënies” ndaj 3 biznesmenëve të ndryshëm, ku vetëm Ylvi Beqja mendohet se ka paguar rreth 500 mijë euro nga frika e kërcënimit. Të pandehurit akuzohen se kanë vendosur tritol në bizneset e Adriatik Kërçuku dhe Jani Zakës, si dhe kanë kërcënuar dy profesorët për t’u tërhequr nga gara e zgjedhjeve në Universitet.