E majta nuk mund të vrasë sërish

Pranvera SHEHAJ

Demokracia është termi ndaj të cilit ne shqiptarët kemi një kontraditë të theksuar ndjenjash që reflektojnë një miks të çuditshëm mes dashurisë dhe urrejtjes. Dashuri për atë çka premtoi, urrejtje për atë çka mohoi. Dashuri për shpresën, mundësinë, integritetin, lirinë multidimensionale, meritokracinë dhe rrugët drejt zhvillimit. Urrejtje ndaj dështimit, kufizimeve, censurës së moderuar, arrogancës politike, kriminalizimit parlamentar dhe reformave politike të bazuara në filozofinë se shteti ringrihet vetëm nën perden e frikës.
Eksperienca dhe historia politike 25-vjeçare në Shqipëri është padyshim konkretizimi i mendimit të famshëm të John Adams mbi demokracinë: “Demokracia kurrë nuk zgjat përjetësisht. Ajo konsumohet, lodhet dhe vritet. Nuk ka asnjë demokaci që mos të ketë tentuar vetëvrasjen”.
Në kundërshtim me Adams besoj me bindje se demokracia ka qenë terreni më komod i zhvillimit të shteteve më potenciale sot në botë, ka qenë avokati i të drejtave themelore të njeriut, burimi i mundësive individuale dhe emblema e civilizimit shoqëror dhe politik. Eksportimi i saj nga vendet e zhvilluara drejt atyre në zhvillim, ka qenë pjesërisht një mision suksesi, përpos dinamikave problematike të politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare.
Do të bija dakord me Adams, nëse definicionet klasike të demokracisë në botë do t’i konkretizonim në skenën shoqërore dhe politike në Shqipëri, aty ku konteksti i zgjedhjeve elektorale shpalos kreativitetin e dy kampeve politike, duke krijuar terrenin më mikpritës për një lumë premtimesh. Analizat politike në median shqiptare kanë pasur gjithmonë një efektivitet të dyshimtë sepse përpara zgjedhjeve elektorale, tendenca për të qenë “profesionistë” i bën të tejzgjaten në kohë dhe të analizojnë problemet e Shqipërisë në 20 apo 25 vitet e fundit. Është fillimi më i gabuar për të korrigjuar deficitet aktuale, sepse sa më shumë një analizë politike shtrihet në kohë, aq më shumë aktorë përfshihen, aq më shumë hapësirë për justifikime lë, aq më pak efektive dhe e dobishme është. Ky është motivi përse përpara 25 qershorit, duhet të jemi më koherentë, racionalë, aktualë dhe konkretë në zgjedhjen e votës.
Përtej ngjyrimeve politike, është logjike se pozicioni i sulmit i përket gjithmonë opozitës, përsa kohë një mazhorancë perfekte në drejtimin dhe administrimin e shtetit nuk ka ekzistuar kurrë. Por, në rastin konkret, opozita shqiptare dhe kampi i djathtë do të mund ta luajë rolin e sulmuesit me një të drejtë të plotë dhe legjitime, përsa kohë e majta vjen në këto zgjedhje si mishërim i dështimit, arrogancës, lojës së pistë politike dhe reformave të dështuara. Në kundërshtim me Adams, demokracia tek ne nuk është vetëvrarë ndonjëherë, është zvarritur dhe marrë peng, por kurrë nuk është vrarë sepse hija e saj ka qenë e nevojshme për të bërë karrierë politike.
Katër vite më parë premtimet dhe reformat e së majtës ishin mëse vizionare. Flitej për vende të reja pune, rimëkëmbje ekonomike, mundësi investimi dhe ecuri progresive në procesin e integrimit në BE. Problemi është se rrugës dolën detyra të reja, aktorë të rinj dhe kushte jetësore të nevojshme për të mos humbur legjitimitetin e pushtetit.
Katër vite më parë, një qytetar shqiptar votoi një program politik që premtoi 300.000 vende të reja pune, rritje të asistencave sociale dhe pagave, bashkëpunim në vendimmarrje dhe përkrahje për biznesin e vogël. Ashtu si përherë, kur mjeshtëria politike kamuflon qëllimin dhe suksesi i mashtrimit legjitimon regresin, ashtu edhe këtë herë shqiptarët përsëritën leksionin e famshëm të politikës sonë: se lutja për votë pason arrogancën, se premtimi për progres pason regresin, se reforma në drejtësi nënkupton një Parlament që strehon krimin, ashtu sikurse integrimi në BE nënkupton shitje të sovranitetit si rrugë për mbajtjen e pushtetit, në një kohë kur kaosi politik rrezikon karrigen.
Sot, përpara raundit tjetër elektoral jemi përballë një të majte që mban pas vetes katër vite të një Shqipërie depresive në dimensionin shoqëror, ekonomik dhe politik. Ka meritë absolute në firmosjen e largimit të qindra shqiptarëve që këto katër vite konkurruan sirianët në kërkesat për azil politik, me një diferencë fare të vogël sa i përket motivit: sirianët linin pas krahëve luftën, shqiptarët linin pas krahëve papunësinë, arrogancën dhe demotivimin.
Kryeministrit aktual, mishërim të pseudoborgjezisë, iu desh të përballej me zërat kundërshtues brenda partisë. Ashtu si pritej, lidershipi sipas konceptit të tij nënkupton nënshtrim dhe dakordësi inerte. Logjika është e thjeshtë. Nëse kjo mënyrë komunikimi reflekton termin respekt për bashkëpunëtorin politik, është e lehtë të imagjinojmë se ç’mund të reflektojë termi bashkëpunim me elektoratin. Ka mundësi të ketë qenë si rezultat i dëshirës që ka e majta për punë, por qeverisë aktuale iu desh të triumfonte në sfida që i projektoi aq mjeshtërisht katër vite më parë. Intensiteti i punës për rimëkëmbjen e ekonomisë u zëvendësua nga sipërmarrja e spastrimit të Parlamentit nga portretet e të fortëve, që kishin uzurpuar listat e së majtës katër vite më parë. Të përdhosësh tempullin e demokracisë. Parlamentin, me misionin e marrjes së pushtetit, është më shumë se krim politik, është shkelje e dinjitetit të qytetarit të thjeshtë, të atij që beson se delegimi i pushtetit është imun ndaj kriminalitetit.
E majta erdhi në pushtet me të fortët, me ata që janë heronj të dramës dhe tragjedisë së tyre, legjenda të mitizuara të triumfit konkret kundrejt kauzave të paprekshme nga pjesa mazhoritare e shoqërisë. Me ta, e majta ironizoi vigjilencën e shqiptarëve, e ndihmuar nga një sistem elektoral me listë të mbyllur, hyri në kryeministri me modelin e “katundarit të shkathët”, të atij që nëpër Evropë mësoi se sa shpejt rreckat e grisura mund të fshiheshin në bagazhin e një makine luksi.
E majta në këto zgjedhje mund të shkojë kudo për të rrëmbyer votën e 25 qershorit, por jam e bindur se asnjë prej kandidatëve të saj nuk do të trokasë në dyert e atyre kryefamiljarëve, vetëvrasja e të cilëve kishte një kauzë mediokre, pamundësia për të paguar energjinë elektrike. Nuk do të trokasë as në dyert e atyre që refuzuan jetën sepse reforma e ndërtimeve pa leje u mori të vetmen pasuri që puna e krahut u kishte siguruar, katër muret për t’u strehuar. Mos prisni t’i shihni as aty ku shkaku i vetëvrasjes së kryefamiljarit ishte papunësia dhe rrënimi ekonomik sepse kioska me të cilën mbante frymën bezdiste më shumë se sa hoteli luksoz i të fortëve në brigjet e rivierës së Jugut. Gjithçka mund të mohojë e majta për këtë katërvjeçar të saj, por kurrsesi faktin se solli në këtë vend të strukur në një cep të Evropës atë lloj depresioni që superfuqia botërore, SHBA, përjetoi në vitin 1929, ku vetëvrasjet për arsye ekonomike u kthyen në krim që nuk mund të luftohej.
Ja pse e majta e vrau edhe një herë demokracinë. Sepse zgjodhi metodën e reformave fasadë, zgjodhi të tërheqë zvarrë të varfrin, zgjodhi të bëjë shtet të pjesshëm tek ajo pjesë e shoqërisë që nuk di mënyrë tjetër të jetuari përveç punës së ndershme, rraskapitjes për një të nesërme më pozitive dhe sakrificës për ata që vijnë pas. E vrau demokracinë kur tregoi se karrigia është e lehtë për t’u marrë kur narkotrafikantin e shet si sipërmarrës, kur tutorin e prostitucionit e shet si kandidat për kryetar bashkie, kur perversin e zyrave e shet si model për komunitetin.
Punë, shtet, mirëqenie…?!
Kur shteti vdes dhe investitorët e huaj zhduken, vendet e punës nuk mbijnë nga hiçi. Shteti nuk bëhet me reforma të pjesshme, as me spostim të fshatrave të kultivimit të drogës, as me diktatorë partiakë që e kanë të vështirë të menaxhojnë skizofreninë patologjike. Reformat ekonomike radikale nuk bëhen aty ku e vetmja frymë e ekonomisë janë bizneset e vogla, fitimet prej të cilave mbajnë gjallë frymën e mijëra familjeve. Mirëqenia nuk është shifër e manipuluar nga institucionet e drejtuara prej militantëve. Mirëqenia është fakt i evidentueshëm në terren. Në një vend që boshatiset çdo ditë e më shumë, në një vend ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po shkon drejt infinitit, nuk mund të flitet për mirëqenie.
Një vrasës mund ta kryejë krimin me qindra herë, por jo të njëjtin krim dhe jo mbi të njëjtën viktimë.
E majta është rast unik. Sa herë kandidon vret me trafikantin, me tutorin, me imoralin. Vret duke shitur copë të sovranitetit tek lobistët e huaj që e sjellin në pushtet. Vret duke bërë “kurban” të varfrin, të ndershmin, të pambrojturin, të frikurin. Vret në emër të pushtetit, vret në emër të reformave të dështuara, vret sepse dikush e ka bindur se arroganca mbjell dashurinë.
Në këto zgjedhje elektorale e majta ka harruar një detaj kyç në lojën e pistë që pretendon të luajë me elektoratin. Ky detaj mund të shprehet duke përshtatur një thënie të famshme të poetes britanike Edith Sitwell: “Jam e duruar me dështakët, por jo me ata që dështimin e kanë krenari.

Pranvera SHEHAJ
Master degree: “Economics and Political Science”
“Università degli Studi di Milano”, Milano, Italia