BB shfryn rritjen ekonomike: Është më e ulët nga sa thotë qeveria

Banka Botërore ka shfryrë vlerësimet e qeverisë shqiptare për rritjen ekonomike. Në raportin e sapopublikuar mbi perspektivën e ekonomisë globale, BB thotë se vitin e kaluar rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 3.2 për qind, nga 3.5 për qind që është vlerësimi paraprak zyrtar i qeverisë dhe Institutit të Statistikave.
Por Banka Botërore nuk ka shfryrë vetëm rritjen e 2016-ës. Ajo ka një vlerësim më të ulët se qeveria edhe për vitin aktual duke parashikuar se rritja ekonomike do të jetë 3.5 për qind, nga 3.8 për qind që thotë qeveria.
Parashikimet e Bankës Botërore vijnë vetëm pak ditë pasi INSTAT uli shifrat e rritjes ekonomike për dy vite të mëparshme, përkatësisht 2015-ës dhe 2014-ën. Vlerësimet e fundit, tregojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë në tre vitet e fundit është raportuar e fryrë, ndërkohë që në realitet ajo ka qenë thuajse mediokre.

Përmirësohen të tjerët

Ndërsa për Shqipërinë vlerësimet e Bankës Botërore kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me ato paraardhëset, për vendet e tjera vlerësimet për rritjen ekonomike janë përmirësuar thuajse për të gjithë rajonin.
Sipas raportit, për rritjen ekonomike të këtij viti, përmirësimin më të fortë krahasuar me vlerësimet paraardhëse e ka Maqedonia. Për fqinjin tonë lindor, projeksionet janë rritur me 0.4%, për Serbinë me 0.3%, ndërkohë që për Malin e Zi janë ulur me plot 0.7 pikë përqindje.
Ndërsa në total për horizontin afatmesëm është Kosova ajo që ka parë përmirësimin më të fortë të perspektivës së ekonomisë. Sipas Bankës Botërore, Kosova, do të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon jo vetëm përgjatë këtij viti, por edhe përgjatë vitit të ardhshëm dhe vitit 2019, pasi projeksionet janë rritur me 0.5 pikë për 2018 dhe 0.8 pikë për 2019-ën.