United rrit ofertën, 52 milionë euro për Perisiç

Manchester United nuk heq dorë nga Ivan Perisiç. Djajtë e Kuq pas propozimit fillestar të refuzuar nga Interi e kanë rritur në plot 52 milionë euro ofertën për sulmuesin kroat të zikaltërve. Jose Mourinho ua ka bërë të qartë drejtuesve të United se e dëshiron me çdo kusht 28-vjeçarin në skuadrën e tij dhe klubi nga “Old Trafford” po përgatit tashmë një ofertë të parefuzueshme për Interin që ka nevojë për të shitur një futbollist të rëndësishëm përpara datës 30 qershor për të rregulluar bilancin dhe për të evituar ndëshkimet nga fair play financiar në mënyrë që më pas të futet fuqishëm në merkato. Oferta e parë e United për Perisiç u konsiderua qesharake nga drejtuesit e Interit, sepse Djajtë e Kuq ofruan vetëm 30 milionë euro për kroatin, ndërkohë që zikaltërit ulën çmimin e futbollistit nga 60 në 55 milionë euro.
Nëse gjithçka do të rezultojë e vërtetë dhe United do t’i ofrojë Interit 52 milionë euro për Perisiç gjasat janë që marrëveshja të arrihet edhe pse trajneri i ri i zikaltërve që me shumë gjasa do të jetë Luciano Spalletti dëshiron ta mbajë në skuadër anësorin kroat. Për Perisiç, Interi shpenzoi 17 milionë euro për ta blerë nga Wolfsburgu përpara 2 sezonesh, por falë paraqitjeve që ka bërë me skuadrën italiane, 28-vjeçari e ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në merkato. E vemtja mënyrë për të mbajtur Perisiç në skuadër është që Interi të shesë 2 apo 3 lojtarë mes Handanoviç, Brozoviç, Jovetiç, Ranocchias e Murillos, për të cilin Villareali ofron 10 milionë euro, por zikaltërit kërkojnë 20 milionë euro dhe janë në pritje të një oferte nga Zeniti i Roberto Mançinit.