Ulja e taksave, 400 milionë euro futen në xhepat e qytetarëve në vit

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin ekonomik të Republikës së re në Kukës. Basha tha se do të ulë taksat, duke shtuar paratë në xhepat e qytetarëve. Do kemi taksë të sheshtë vetëm 9%, ndërsa fermerët do të përfitojnë të gjithë subvencion me një fond prej 100 milionë eurosh në vit. Të rinjtë e sapodiplomuar, 10 mijë prej tyre në vit, do të kenë stazhe të paguara nga Republika e re.
“Me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së, e cila do të gjenerojë çdo vit 400 milionë euro më shumë në xhepat e shqiptarëve me rritje konsumi, rritje të fuqisë blerëse, me taksën e sheshtë 9%, do të sigurojmë qindra milionë euro kapitale dhe kreditime të ekonomisë. Këto do të kthehen në vende pune, në punësim, në pozitivitet dhe rritje ekonomike. Hapi im i dytë do të jenë 10 mijë stazhe për 10 mijë të sapodiplomuar, drita e syrit të prindërve të Kukësit. Me përfundimin e universitetit, për 1 vit me radhë 10 mijë të rinj shqiptarë do të kenë mundësi të kenë stazhe, praktika të paguara me 200 mijë lekë në muaj 1 vit me radhë. Fermerët e Kukësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se në Republikën e re kanë 100 milionë euro subvencione çdo vit për ta. 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të destinohet për të financuar fermerët, pa sekserë, pa burokraci, pa NIPT. Ne do të hapim vende pune, do të hapen fabrika për shkak të taksës më të ulët në Ballkan”, tha Basha.
Vendimet e para që do të marr janë vendime që ju mbështesin ju dhe njerëzit e punës. Ulja e TVSH-së do të sjellë 400 milionë euro në vit më shumë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë, në xhepat tuaja. TVSH-ja është taksa që paguan gjithsecili prej jush, nga bebja e sapolindur tek më i moshuari në këtë qytet. Të gjithë paguani 20% më shumë TVSH, tek buka e gojës, tek nafta, tek gjithçka tjetër. Unë do ta ul TVSH-në, 400 milionë euro do të rritet konsumi, fuqia juaj blerëse. Paratë që do të qarkullojnë në ekonomi. Taksa e sheshtë 9% do të gjenerojë miliona euro investime. Taksa Rama mbi naftën. Plot 240 lekë për litër, do të anulohet që ditën time të parë si kryeministër, sepse nafta është gjaku i ekonomisë dhe ekonomia e fortë është detyra e parë e kryeministrit tuaj të ardhshëm. Nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë, nuk ka shtet të fortë me qytetarë të varfër. Fund fasadave dhe estradave. I gjithë investimi do të jetë për hapjen e vendeve të punës, për fabrika të reja, për mbështetje për rininë”, tha Basha.
Në Belsh, Basha tha se do të punojë për shqiptarët, duke u dhënë shansin të shkollohen, punojnë dhe të kenë jetë më dinjitoze. Të kenë të njëjtat mundësi që ai pati kur njohu dhe preku ëndrrën europiane.
“Ju jap fjalën se nuk jam në këtë betejë për veten time, as për egon time, as për rehatinë e jetës sime, as për rehatinë e familjes sime, ju e dini kam patur shanse në jetë fare i ri. Kam studiuar, kam ndërtuar jetën time. Kisha mundësinë të ndërtoja një jetë të rehatshme kudo që ta dëshiroja, nga Holanda në Amerikë, por kam zgjedhur të bëj këtë betejë, sepse tani që ma priu fati në jetë të realizoj gjithçka që kam realizuar në rini, tani është radha ime të bëj gjithçka që këta të rinj të kenë të njëjtat mundësi se edhe unë bir prindërish të thjeshtë jam. Jam ky që jam për shkak të mundësive që m’u ofruan dhe punës sime dhe do të bëj gjithçka që të njëjtat mundësi t’i kenë edhe të rinjtë e Belshit”, tha Basha.
Për kryetarin e Partisë Demokratike prioritet i Republikës së re është punësimi i shqiptarëve dhe e ardhmja e sigurtë e fëmijëve të tyre.
Nga Kukësi, ku hapi fushatën elektorale kryetari i opozitës Lulzim Basha, tha se dy partitë e koalicionit qeveritar janë sot para qytetarëve vetëm për teatër pasi vijnë në këto zgjedhje pa bilanc. Basha nuk i kurseu ironitë për kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e zgjedhur Ilir Meta. “Priteni kur të vijë të bëjë vertikalen këtu në Kukës. Se ai tjetri erdhi me daulle. Ky me daulle dhe ky tjetri do të fillojë të kërcejë. Estradë. Teatër kukullash për t’u hequr vëmendjen njerëzve nga detyra numër një e politikës që t’u shërbejë njerëzve dhe jo të bëjë spektakël, ndërkohë që mbush xhepat”. Akuzat i përqendroi tek Lëvizja Socialiste për Integrim, duke theksuar se më 25 qershor merr fund ajo që ai e quan SHPK. “Le t’i bjerë sa të dojë Ilir Meta daulleve, nuk ka për të pasur më shi për tokat e SHPK-së. Pazari i vjetër politik i Republikës së vjetër merr fund”. Basha shkoi në Kukës me tezën e diskriminimit krahinor, duke theksuar se nuk ka lëvruar asnjë fond për këtë bashki. “Kukësi është kthyer në simbol të diskriminimit, duke i ndëshkuar sikur të ishte një regjim aparteidi, prandaj i ka ngel makina pa motor dhe me një timon në Mirditë dhe s’i vjen dot deri në Kukës”. Kryetari i opozitës Lulzim Basha premtoi se do të jetë një kryeministër i ekonomisë dhe i punës dhe jo kryeministër i fasadave apo ekraneve.