Ballina Politikë Rritet prania e vëzhguesve në terren, monitorim fushatës dhe ditës së votimit

Rritet prania e vëzhguesve në terren, monitorim fushatës dhe ditës së votimit

Në Shqipëri, sa vjen e rritet numri i vëzhguesve vendas e të huaj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Deri tani janë regjistruar rreth 500 vëzhgues të pavarur, pa përfshirë këtu vëzhguesit partiakë, të cilët edhe ata pritet të jenë më të shumtë sivjet. KQZ miratoi dje pjesëmarrjen e grupeve të reja të vëzhguesve afatshkurtër nga Asambleja parlamentare e OSBE-së dhe organizatave vendase. Regjistrimet e djeshme e ngritën në afro 500 numrin e vëzhguesve të pavarur vendas e të huaj, pa përfshirë këtu qindra vëzhgues të partive në zgjedhjet e 25 qershorit. Fushata zgjedhore ka përfshirë gjithë vendin edhe zyrtarisht, ndonëse faktikisht, sipas vëzhguesve ajo ka nisur 6 muaj më parë, edhe për shkak të zgjatjes së krizës politike dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Koalicioni i vëzhguesve vendorë, një bashkim shoqatash me përvojë shumëvjeçare, publikoi dje një raport mbi ecurinë e deritanishme të fushatës. Një nga drejtueset e këtij koalicioni, Gerta Meta, thotë se deri tani kryetarët e partive po shkëmbejnë batuta mes tyre dhe nuk po dëgjojnë qytetarët, nuk po shpalosin programe konkurruese, madje nuk po shpalosin as cilësitë e kandidatëve të tyre. Drejtuesit e partive kryesore e kanë nisur fushatën muaj më parë dhe sipas vlerësimeve që kanë mbledhur vëzhguesit në terren, shumica e të anketuarve mendojnë se deri tani kjo është një fushatë e kryetarëve dhe jo e qytetarëve, të cilët ftohen vetëm për të duartrokitur në një fushatë, ku nuk po ballafaqohen apo nuk shpjegohen platforma qeverisëse, por vetëm po hidhen premtime të pathjeshtuara dhe të paargumentuara. Vëzhgimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit do të ketë sivjet një veçanti kurioze si nga ana e subjekteve ashtu edhe nga shoqëria civile për shkak të garimit individual të partive pa koalicione. Mungesa e koalicioneve do të shumëfishojë vëzhguesit partiakë në procesin zgjedhor, sepse çdo subjekt do të dërgojë vëzhguesit e vet edhe gjatë votimit edhe gjatë numërimit, pra do të ketë një fluks shumë madh vëzhguesish. Kështu, thonë ata, për herë do të shmanget shqetësimi i partive të vogla se votat e tyre keqadministrohen apo vidhen nga dy partitë e mëdha. Sipas rekomandimeve të publikuara dje nga vëzhguesit vendorë, transparenca mbi ecurinë institucionale në përgatitjet në vazhdim të procesit zgjedhor duhet të jetë maksimale dhe në kohën më të shkurtër. Ata bëjnë thirrje që prokuroritë e vendit duhet të ndjekin me rigorozitet rastet e denoncimeve për përfshirjen e jashtëligjshme të funksionarëve publikë në fushatën zgjedhore. Vëzhguesit theksojnë gjithashtu se subjektet zgjedhore duhet të frenojnë çdo përpjekje dhe sjellje që ka për objekt përfshirjen apo intimidimin e funksionarëve publikë për qëllime elektorale. “Fryma e ndërveprimit ndërmjet institucioneve në përballjen e fenomeneve të korrupsionit zgjedhor, duhet të jetë në konkordancë me përcjelljen e informacionit Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Subjektet zgjedhore duhet të paraqesin platforma konkrete elektorale dhe të mbështetura në argumente të matshëm. Përfaqësuesit politikë të subjekteve zgjedhore duhet të jenë të matur në komunikimet publike, duke mos lejuar nxitjen e gjuhës së urrejtjes në vazhdim të fushatës zgjedhore”, thuhet në rekomandimet e vëzhguesve vendorë. Gjithashtu ata i bëjnë thirrje subjekteve politike të bëjnë publikisht të ditur planin e veprimtarive elektorale për periudhën e fushatës zgjedhore dhe të publikojnë para ditës së zgjedhjeve pasqyrën totale të kostove të fushatës zgjedhore, përfshirë evidentimin sipas kandidatëve. “Kandidatëve iu bëhet thirrje të deklarojnë gjendjen e tyre pasurore zyrtare, duke përfshirë të ardhurat, kapitalet financiare, asetet materiale dhe detyrimet financiare që shlyejnë për këto pasuri. Kjo, si një domosdoshmëri në funksion të transparencës ndaj zgjedhësve, duke ndjekur të njëjtin standard të vendosur tashmë nga legjislacioni për publikimin e gjendjes së tyre penale. Ky deklarim vullnetar i të gjithë kandidatëve do të shërbente si një garanci më shumë për forcimin e besimit qytetar tek figura dhe integritetit i përfaqësuesve të tyre të ardhshëm. I bëhet thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të formave të korrupsionit zgjedhor, që nga shitblerja e votës dhe deri tek të gjitha format e aferave korruptive që mund të përballen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxitet të luajë një rol aktiv në koordinimin e punës me njësinë Task Force të ngritur, Prokurorinë e Përgjithshme dhe me institucione të tjera përgjegjëse. I bëhet thirrje operatorëve mediatikë të tregohen sa më objektivë dhe profesionalë në përcjelljen e veprimtarive të fushatës zgjedhore si në edicionet informative, ashtu edhe në programacionet e tjera të tyre”, thuhet në deklaratën e vëzhguesve vendorë.

Exit mobile version