Rama, njeri pa identitet, mashtron përsëri për origjinën!

Sali BERISHA

Në intervistën që i dha mbrëmë gazetarit Çim Peka, drejtuesit të portalit më të mallkuar prej tij, por tani që po humbet zgjedhjet pranoi intervistën në shenjë pajtimi. Natyrisht, ai nuk tregoi dot për asnjë sukses, asnjë vepër publike të rëndësishme apo investitor të huaj të ri serioz këto katër vjet përveç atyre projekteve që trashëgoi nga qeveria e mëparshme siç janë TAP dhe Kaskada e Devollit, HEC e Fanit dhe HEC-e të tjera. Por ai, për shkak të hijes time, nuk përmend asnjërin prej tyre. Kudo që flet ai rreh gjoksin me një projekt që e trashëgoi përsëri nga koha e qeverisë së mëparshme, atë të rindërtimit të qendrave urbane, projekt i ideuar, financuar dhe i nisur zbatimi i tij në Berat dhe qytete të tjera nga Fondi shqiptaro-amerikan dhe qeveria e mëparshme. Rama i pacipë detyroi Fondin shqiptaro-amerikan të lëshojë komunikatë zyrtare mbi mohimin nga Rama të kontributit thelbësor të Fondit në këto projekte të qendrave urbane. Por unë këtu do të ndalem në një çështje që shumëkujt mund t’i duket e parëndësishme, mirëpo e tillë ajo nuk është: kjo është çështja e origjinës së tij! Për shumë lexues mund të jetë dukur e çuditshme kur gazetari Çim Peka e pyeti Ramën për origjinën e tij nga Tropoja. Ndërsa për mua jo. E vërteta është se vetë Edi Rama, në një vizitë në Tropojë para vitit 2009, deklaroi me zë dhe figurë se origjina e tij e largët është nga fshati Geghysen, një fshat i bukur në shpatullën e Malit të Hekurave. Rama, ndonëse e dinte se origjina e tij ishte nga Geghyseni aq sa ishte nga fshati Hortu 3500 km larg Gehysenit dhe ai atë nuk e tha as dhe për t’u bërë qejfin socialistëve të Tropojës, por e tha vetëm i sëmurë rëndë nga kompleksi i Saliut, që nuk i ndahet për asnjë sekondë nga qenia e tij, krahas kompleksit të Edipit. Këto dy komplekse, Rama do t’i marrë me vete edhe në botën e përtejme! Në përgjigjen e pyetjes së Pekës për origjinën, Rama përsëri mashtroi publikun, ai tha se origjina e tij është nga Berati. Kjo është e vërtet aq sa është e vërtetë për një dukagjinas apo kelmendas se është nga Shkodra apo për një tropojas se ai është nga Gjakova. Dukagjini dhe Kelmendi janë malësi e Shkodrës, por nuk janë qyteti i Shkodrës, sikundër Tropoja është Malësi e Gjakovës, por jo qyteti i Gjakovës. Origjina e largët e Edi Ramës nuk është nga Berati, por është nga Malësia e Shpiragut dhe konkretisht fshati Mbreshtan, një fshat i bukur, njerëzish punëtorë që kishin qëndisur në një pamje unike mahnitëse për vendin tonë, shpatin e Shpiragut me plantacione ullishtesh, të cilat shkriheshin ose vazhdonin me plantacione të qershive. Në Mbreshtan shkova vite më parë sepse inauguruam rrugën, e cila qarkoi malin e Shpiragut deri në fshatin Sinje dhe që lidh këtë zonë të thellë me qytetin e Beratit. Fshatarët, të gëzuar për rrugën më thanë se Edi Rama ishte nga fshati i tyre dhe se ishin habitur dhe lënduar kur e kishin dëgjuar të thoshte se ai ishte me origjinë të largët nga Geghyseni. Madje njëri prej tyre më tregoi dhe rrënojat e një konaku ku kishte jetuar katragjyshi i Ramës, i cili më thanë ata punonte si bari derrash në familjen e zengjinit Bello dhe për shkak të varfërisë së skajshme u largua me shtëpi dhe katandi që këtejmi. Rama gjithashtu ishte vetëm i pjesshëm kur tregoi se si Naltmadhnia mori gjyshin e tij, Vlashin së bashku me makinën e tij luksoze si shofer të vetin. Në të vërtetë, Naltmadhnia mori në pallat jo vetëm Vlashin dhe makinën e tij, por edhe Vllashicën, gjyshen e Edit, një grua vërtet fisnike. Së fundi, Rama foli për origjinën e tij nga nëna nga Vunoi dhe tha se ata janë me origjinë të largët mirditorë. Por edhe këtu duhet thënë se shpjegimi që bëri për vunjotët është i cekët, folklorik, megjithatë le të themi i mjaftueshëm për njohuritë etnografike dhe historike të një piktori dështak. Ai këtu përsëriti një tezë të njohur se, familjet në Breg me mbiemra të përbërë nga dy emra janë me origjinë mirditore. Kjo pasi mirditorët, por jo vetëm ata, mbajnë mbiemra me dy emra. Në të vërtetë, studiues seriozë mendojnë ndryshe dhe dihet se mbiemrat me dy emra janë të zakonshëm edhe në Labëri dhe se gjetjet arkeologjike kanë provuar se Labëria është trevë e populluar që nga koha e gurit. Po, tek e fundit, ai përsërit ato që i kishte thënë dajë Koleka. Të dashur miq, ky ishte një vështrim i shkurtër i origjinës së Edi Ramës, i cili, si njeri pa identitet, flet si somnambule pa ditur se çfarë thotë për origjinën e tij. Kjo analizë bazohej në të vërteta historike, etnografike, gjeografike të pamohueshme dhe është jashtë çdo konteksti politik. Kjo sepse, në rast se dhe vetëm për një moment të vetëm do të ndaleshim në ADN politike të Edi Ramës, mashtrimet e tij të mëdha që iu bëri ai shqiptarëve, përrallat dhe barcaletat që iu tregon ai në këtë fushatë për të mbuluar mashtrimet dhe dështimet e tij, vend origjine mbi këtë dhe për Edi Ramën nuk mund të gjendej tjetër përveçse në katundin Hortu të provincës Sivrihishar, aty ku 800 vjet më parë lindi paraardhësi i tij më autentik; gënjeshtari, barcaletaxhiu me famë botërore Nastradin Hoxha!