Maskat grabisin 10 mijë euro në një banesë në Fier

Persona të armatosur dhe të maskuar grabitën nën kërcënimin e armëve 10 mijë euro në një banesë në qytetin e Fierit. Grabitësit janë futur në banesë dhe kanë kërcënuar me armë pjesëtarët e familjes, duke i detyruar të tregonin ku i mbanin paratë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të së dielës. Pas dhunës së ushtruar ndaj dy familjarëve, njëra nga vajzat e shtëpisë është detyruar të tregojë eurot. Maskat, pasi kanë marrë 10 mijë eurot janë larguar me një makinë që i priste disa metra larg shtëpisë.
Po ashtu, persona të armatosur dhe të maskuar grabitën nën kërcënimin e armëve një banesë në qytetin e  Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit. Sipas burimeve, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit Sh.E, 48 vjeç dhe pasi e kanë kërcënuar me armë, kanë grabitur një sasi të konsiderueshme eurosh. 48-vjeçari ka njoftuar policinë, e cila gjeti pranë vendit të ngjarjes dy kapuçë dhe një levë hekuri, të cilat janë hedhur nga autorët pas grabitjes së kryer. Policia bëri të ditur se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.