Humbje që rëndon

epa04969736 Albania's head coach Giovanni De Biasi reacts during the UEFA EURO 2016 qualifying group I soccer match between Albania and Serbia in Elbasan, Albania, 08 October 2015. Serbia won 2-0. EPA/ARMANDO BABANI

Humbja me Luksemburgun ishte ndoshta më e rënda për De Biasin në krye të Shqipërisë. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit trajneri i kuqezinjve qëndroi për rreth 10 minuta pa lëvizur në stol, duke medituar atë që ndodhi ndaj një kundërshtari shumë më të dobët në cilësi. Më pas u mbyll në dhomë, ku bisedoi gjatë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. “Një humbje që rëndon shumë sepse erdhi ndaj një skuadre që është më e dobët se ne, por që luajti me më shumë dëshirë. Pas Europianit skuadra jonë nuk ka gjetur dëshirën dhe vendosmërinë për ta arritur objektivin”, u shpreh De Biasi.
Vetë De Biasi e ka të vështirë ta motivojë skuadrën, por ai kërkon që futbollistët të reagojnë në eliminatoren e radhës me Izraelin. “Unë jam nën kontroll të skuadrës, por skuadra duhet ta japë më shumë. Duhet t’i shfrytëzonim rastet që na u dhanë kur ishim në avantazh dhe ta admistronim më mirë takimin. Kemi gabuar në dy momente dhe kjo është e pafalshme për ne. Arbiti nuk nxori me të kuqe një futbollit të Luksemburgut, sepse bëhej fjalë për një miqësore, por ne gjithsesi nuk duhet të pësonim dy gola. Para se të shkonim në Europian dhe gjatë Europianit skuadra kishte më shumë grintë. Këta futbollistë nuk kanë nevojë që t’i shtyjë dikush për të dhënë maksimumin, grintën dhe forcën duhet ta gjejë përbrenda dhe këtë duhet ta bëjë që në ndeshjen e radhës me Izraelin”, tha ai.
De Biasi këmbëngul se nuk duhet të shihet problemi te moduli i lojës, por të gjendja fizike e skuadrës dhe mungesa e motivimit. “Patëm shumë pak kohë për të punuar, dikush erdhi para 48 orësh, të tjerë nuk kanë ardhur akoma. Por nuk është ky problemi. Skuadra kur shënon ndaj Luksemburgut duhet të fitojë dhe jo të pësojë dy gola. Sidomos në të dytin në një goditje standarde mbrojtja flinte gjumë. Problemi nuk është moduli, por gjendja fizike e futbollistëve. Disa janë pushim prej 10 ditësh. Kjo ndeshje ka shumë gjëra për të analizuar dhe përmirësuar, ndërsa vështirë të gjesh aspekte pozitive”, përfundoi De Biasi.
Sokol Cikalleshi beson se nëse do të kishin luajtur me skemën më të mirë, atëherë do të fitonin pa problem ndaj Luksemburgut. Kombëtarja shqiptare u mposht 2:1 nga Luksemburgu dhe kjo humbje sipas sulmuesit të kombëtares erdhi për shkak të skemave të ndryshme të trajnerit De Biasi. “Luksemburgu shumë i fortë? Jo, sepse trajneri ka provuar skema të ndryshme dhe në momentin që disa skema funksionojnë dhe disa jo, mund të shkojë ndeshja dhe kështu siç shkoi”, tha Cikalleshi.