Gjushi lejon ndërtimin e pallateve pa leje në Durrës për vota

Kryetari i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako, duke folur, gjate prezantimit te "Kampionatit Europian te Peshengritjes per te Rinj", i cili do te zhvillohet nga 14-21 shtator, ne qytetin e Durresit.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako lejon ndërtimin e pallateve pa leje në këmbim të votave për PS-në. Denoncimi është bërë nga ish-kryeministri Berisha pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar nga Durrësi. Duke cituar qytetarin dixhital, Berisha shkruan se Gjushi ka urdhëruar forcat e policisë që të mos bëjnë asnjë veprim ndaj atyre që po ndërtojnë pa leje në qytetin bregdetar. “Qytetari dixhital dononcon Gjushin, i cili po lejon ndërtime të shumta të pallatave në Durrës pa leje kundrejt votave. Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Para disa ditësh të kam dërguar një sms në lidhje me emërimet në polici të hajdutëve të votave. Sot, po të tregoj se kjo vjedhje ka filluar. Konkretisht në Durrës, Gjushi ka urdhëruar policinë të mos procedojnë asnjë person që po kryen ndërtime pa leje. Këtyre, Gjushi u dërgon betonin e tij dhe u merr votat. Ky fenomen po ndodh kudo. Në Durrës, unë kam raste konkrete ku forcat e policisë kanë shkuar dhe me urdhër të Gjushit janë larguar pa kryer asnjë veprim. Kështu po ikin shumë vota të PD në drejtim të PS”, shkruan qytetari.
Gjatë ditëve të fundit, jo vetëm në qytetin e Durrësit, por edhe në bregdet kanë lulëzuar ndërtimet pa leje. Disa pallate kanë ngritur katin e parë, ndërsa shumë të tjerë kanë hapur themelet dhe po punohet natë e ditë që punimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur.
Disa ndërtime pa leje dhe pa projekt po kryhen në buzë të detit në plazhin e Durrësit, gjë e cila është në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet. Betonieret e Gjushit dërgojnë beton papushim, ndërsa policia nuk ndërhyn.
Po ashtu, edhe nga plazhi i Currilave e deri në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, vija bregdetare është kthyer në një kantier ndërtimi. Punimet, ndërtimin e objekteve shumëkatëshe, i kanë kthyer këto zona turistike në një vend aspak të përshtatshëm për pritjen e turistëve. Përballë këtij fenomeni shkatërrues për turizmin, ku vetëm pak metra larg bregut të detit ndërtimet vijojnë pa pushim, ndërsa kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, urdhëron forcat e policisë që të mos ndërhyjnë.
Vangjush Dako po kafshon çdo vit e më shumë plazhet publike jo vetëm me ndërtime pa leje, por edhe duke i kaluar ato tek privatët. Madje, kulmi është se në Bashkinë e Durrësit këtë gjë e thonë me mburrje. “Në vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek Shkëmbi i Kavajës, do të lëmë në dispozicion të pushuesve vetëm tri ose katër parcela të vogla, ku qytetarët do të qëndrojnë pa paguar”, ka deklaruar drejtori i Tatimeve në Bashkinë e Durrësit. Sipas tij, për qytetarët e varfër “do të kenë mundësi për të pushuar pa paguar tek “Apolonia” dhe “Hekurudha” dhe në bregdetin e Rrushkullit”. Ky është një rast i pa precedent për çdo vend demokratik, ku një qytet që shpenzon mbi 30 milionë euro për projekte faraonike si sheshi qendror, Veliera, Pishina olimpike, u heq qytetarëve të vet të drejtën universale për të shijuar detin dhe rërën pa pagesë. E gjitha kjo po bëhet në emër të mbajtjes së plazheve pastër, por në fakt është një shfrytëzim barbar i pasurisë publike nga pazarxhinjtë e Dakos.
Në Durrës, janë bërë ndërtime pa leje në det. Të gjithë këta objekte shkarkojnë ujërat e ndotura në det në mënyrë abuzive, duke bërë që niveli i i ndotjes në vijën bregdetare nga Currilat e deri në plazhin “Iliria” të jetë mjaft shqetësues. Në një masë të madhe, lokalet pranë bregut të detit nuk kanë kanalizime, ndërsa rasti më flagrant i konstatuar gjatë inspektimit kanë qenë inertet e ndërtimit të derdhura në det, për të cilat janë vënë gjoba, ndonëse ende nuk  po punohet për pastrimin e bregdetit.