Dhunoi dy fëmijë, arrestohet edukatorja e një kopshti privat

Edukatorja e një kopshti privat, u arrestua nga Policia e Tiranës me akuzën e ushtrimit të dhunës ndaj dy fëmijëve dhe shpërdorimit të detyrës. Dhuna u denoncua nga prindërit e dy fëmijëve, pasi kishin parë shenja dhune. Pretendimi i tyre u konfirmua nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Një edukatore e një kopshti privat të kryeqytetit u vu në pranga për ushtrim të dhunës fizike ndaj fëmijëve.
Denida Rexhepi, 30 vjeç u denoncua nga dy prindër të ndryshëm, shtetaset me  inicialet J.B dhe M.L, që kishin vënë re shenja të dhunës në trupat e dy fëmijëve të tyre. Pas denoncimit policia sekuestroi pamjet filmike të kopshtit që gjendet në rrugën “Nikolla Lena”. Në to shihej se si edukatorja kishte ushtruar dhunë në të paktën dy raste ndaj të miturve. Filmimet u përkasin datave 30 dhe 31 maj.
Shkak për dhunën dyshohet se është bërë fakti se dy fëmijët janë grindur me njëri-tjetrin. Policia ka marrë deklarime të punonjësve dhe administratorëve të kopshtit, si dhe të disa prindërve. Ndërsa të miturit e dhunuar janë pyetur nga hetuesit në prani të prindërve dhe të një psikologu të autorizuar.
Aurora Cici, psikologe e kopshtit, thotë se ka mbetur e tronditur nga rasti. Policia dyshon se rastet e denoncuar nuk janë të vetmit dhe se pre e dhunës ka rënë edhe një vajzë e mitur. Për këtë arsye po verifikohen edhe filmimet e ditëve të tjera të kamerave të sigurisë.