Blerja e votave me euro po zhvlerëson monedhën europiane

Aktorët e tregut kanë pohuar se ka një rritje të shpenzimeve për fushatë, që po bëhen në valutë, një tjetër faktor që po e ndikon zhvlerësimin e euros. Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë
Euro ka rënë nën nivelin e 134 lekëve, duke u këmbyer dje me 133.98 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke shënuar nivelin më të ulët prej shtatorit të 2009-ës. Monedha vendase është forcuar edhe përkundrejt dollarit amerikan, duke këmbyer një dollar me 118.94.
Monedha e përbashkët është zhvlerësuar edhe në tregjet ndërkombëtare, por gjithsesi ka qenë në nivele më të larta të këmbimit krahasuar me muajt e parë të vitit.
Aktorët e tregut pohojnë se në tregun e brendshëm, faktorët që po ndikojnë me zhvlerësimin e euros është oferta e lartë për monedhë të përbashkët, si dhe kërkesa e ulët për monedhën vendase.
Që prej gjysmës së dytë të vitit të kaluar, monedha e përbashkët ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Më shumë sesa reflektimi i tregjeve ndërkombëtare, aktorët e tregut kanë pohuar se dobësia e euros lidhet me faktorë të brendshëm, ku një ndër më kryesorët është oferta e shtuar në valutë.
Së fundmi, aktorët e tregut kanë pohuar se ka një rritje të shpenzimeve për fushatë, që po bëhen në valutë, një tjetër faktor që po e ndikon zhvlerësimin e euros.
Gjallërimi i eksporteve dhe shtimi i numrit të turistëve në vend, është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e ofertës në valutë. Në tre muajt e parë të vitit, numri i turistëve të huaj u rrit me gati 12%, sipas të dhënave të INSTAT. Kur afrohen datat e taksave ka një kërkesë për të blerë lekë dhe nga kompanitë, ku më kryesoret është gazsjellësi TAP.

Sejko: Euro në plan të dytë

Banka Qendrore e Shqipërisë dëshiron të frenojë përdorimin e euros, në mënyrë që politika e saj monetare të funksionojë më mirë dhe të mbrojë sistemin e saj bankar nga goditjet e kursit të këmbimit, tha guvernatori i Bankës, në një intervistë dhënë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve, “Reuters”.
Monedha kombëtare është leku, por remitancat nga emigrantët, lidhjet tregtare dhe bankare me anëtarët e eurozonës, Italia dhe Greqi, dhe fqinjët e Kosovës dhe Malit të Zi, që përdorin monedhën e përbashkët, do të thotë që shqiptarët e përdorin gjerësisht euron.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, tha për “Reuters” në një intervistë, se nuk është fjala për heqjen e euros nga ekonomia e Shqipërisë, e cila është një kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Por plani është për të nxitur gradualisht rritjen e përdorimit të lekut në financa dhe ekonomi.
“Së pari, ne duam të rrisim fleksibilitetin dhe efikasitetin e politikës sonë monetare në monedhën vendase. Politika monetare stimuluese do të transmetohej më mirë nëse do të kishte më shumë transaksione në monedhën vendase”, tha Sejko.
Banka gjithashtu do “të ruajë dhe mbrojë stabilitetin financiar pasi një nivel i lartë i huadhënies në euro do të ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit”, shtoi ai.
Një dekadë më parë, 80 për qind e huadhënies ishte në valutë, kryesisht euro dhe pjesa tjetër në lekë, por raporti që atëherë ka ndryshuar në 55 për qind në euro dhe 45 për qind në lekë, e ndihmuar nga ulja e normës bazë në një nivel të ulët rekord prej 1.25 për qind.
Kjo ngushtoi kostot relative të huamarrjes dhe huadhënies.
Depozitat në euro përbëjnë 60 për qind të kursimeve. Sejko tha se banka po inkurajonte bankat komerciale të mbajnë depozita në lekë dhe bankat po u tregojnë klientëve që të konvertojnë kreditë në lekë.
“Ne synojmë të rrisim masën e përdorimit dhe ekspozimit të monedhës vendase në një shkallë të krahasueshme me vendet me një ekonomi të ngjashme me tonën, në mënyrë graduale”, tha Sejko.
Një marrëveshje trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë eurosh ndihmoi në koordinimin më të mirë të politikës fiskale dhe monetare, solli rritje graduale të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të borxhit publik, tha Sejko.
Ai tha se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit duhet të përqendrohet në reformat strukturore.
Sejko vuri në dukje se plani për të reduktuar kreditë të këqija kishte bërë të mundur që ky tregues të ulet nga 23.5 për qind e totalit të kredisë më 2013 në 16.6 për qind në prill 2017.
“Kjo ka ardhur falë fshirjes së kredive të humbura prej tre vjetësh, ristrukturimin e tyre dhe performancën e klientëve ekzistues”, shtoi ai. “Kjo tregon se politika jonë është duke funksionuar”.
Pasi ka ulur normën bazë nga 6.25 për qind në fund të vitit 2008 në 1.25 për qind për të stimuluar investimet dhe konsumin, Sejko tha se banka do të mbajë një politikë stimuluese deri në fund të vitit 2017.
“Nëse kjo monetare stimuluese do të vazhdojë apo jo, do të varet nga treguesit makroekonomikë në të ardhmen”, tha Sejko, duke treguar sinjale të rritjes në eurozonë, të cilat ndikojnë Shqipërinë nëpërmjet tregtisë dhe investimeve.