Zgjedhjet, shkarkohen dhe kallëzohen penalisht 8 zyrtarë

Ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi ka shkarkuar nga detyra dhe kallëzuar në Prokurori 8 zyrtarë të Hipotekave, Burgjeve e Përmbarimit, nën akuzën e pjesëmarrjes në fushatë në kundërshtim me ligjin.
“Ministri i Drejtësisë, z. Gazment Bardhi, shkarkoi nga detyra 8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit, si dhe ia referoi rastin e tyre Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Shkarkimi erdhi pas verifikimeve dhe inspektimeve të kryera nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e këtyre zyrtarëve, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin, si dhe neglizhencë e theksuar në kryerjen e detyrave”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.
Denoncime të përditshme po publikohen në rrjetet sociale nga qytetarë të ndryshëm, të cilët me foto tregojnë se si drejtues të administratës publike bëjnë fushatë në krah të ministrave socialistë. Kjo situatë ka degraduar edhe më tej, me kërcënimet dhe shantazhet e hapura që po u bëhen punonjësve të administratës për të marrë pjesë në takimet elektorale të PS. Janë të përditshme rastet, ku drejtoritë e shkollave apo spitaleve nxjerrin mësuesit, mjekët, infermierët apo gjithë personelin të marrë me detyrim në takimet elektorale, duke mbyllur shkollat e spitalet.

Konkretisht, ministri i Drejtësisë ka urdhëruar shkarkimin e:
1) Drejtorit të IEVP Fier, z. Jetnor Krakulli
2) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, z. Ani Dyrmishi
3) Drejtorin e IEVP Lezhë, z. Eduart Kurti
4) Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, znj. Adriana Shehu
5) Drejtorit të IEVP Rrogozhinë, z. Ahmet Bala
6) Drejtorit të IEVP Burrel, z. Fatjon Kurti
7) Kryetarit të Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës, z. Surin Hoxha
8) Drejtorit të IEVP “Jordan Misja” (nr. 313), z. Fatjon Fana.
“Ministri i Drejtësisë z. Bardhi, sipas rastit, i ka referuar çështjen organeve të Prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni zyrën e prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se zyrtarët e lartpërmendur, kanë kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.