Vetëvriten nga depresioni dy persona në Dibër dhe Vlorë

Dy raste të vetëflijimit si pasojë e depresionit janë regjistruar dje nga policia. Një 25-vjeçare është gjetur e vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive në fshatin Katund i Ri të Dibrës. Policia thotë se vajza e identifikuar me inicialet S.N., është gjetur pa shenja jete nga i vëllai. “Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dhe nga eksperti mjekoligjor dyshohet se vdekja është shkaktuar si pasojë e vetëvarjes në litar. Shkaku paraprak dyshohet që shtetasja S.N., ishte në kushte depresioni”, informoi dje Policia e Dibrës. Gjithashtu eksperti mjekoligjor gjatë këqyrjes së trupit të viktimës nuk ka konstatuar asnjë shenjë dhune a dëmtim tjetër përveç atyre të shkaktuara nga vetëvarja në litar.
Ndërkohë, në Vlorë, një 55-vjeçar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit. Ngjarja u shënua rreth orës 10:40 minuta në lagjen “Pavarësia 2”. Sipas Policisë së Vlorës, viktima F. Ruçi është rrëzuar nga banesa e tij. “Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet se viktima ka vepruar në kushtet e depresionit, për të cilën kurohej prej disa vitesh”, informon policia.
55-vjeçari jetonte bashkë me motrën e tij, por në momentin e ngjarjes viktima ka qenë vetëm në banesë. Ndërsa një vajzë e re dhe një 55-vjeçar u larguan nga kjo botë duke i dhënë fund jetës së tyre për shkak të depresionit, të dy njoftimet e policisë u mbyllën me frazën klishe “Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje”.