United nuk rinovon me Ibrën

Nga Anglia vjen lajmi që asnjë tifoz i Manchester United nuk do të dëshironte ta dëgjonte, klubi nuk do t’i ofrojë rinovim kontrate sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç. Sipas asaj që raporton “Daily Express”, klubi synon të ulë sa më shumë shpenzimet pasi Ibra përfiton 19 milionë euro në sezon dhe rinovimi i kontratës do të bëhej me terma të njëjtë financiarë. Në këtë mënyrë, duke nisur që nga data 1 korrik, gjiganti suedez do të jetë një lojtar i lirë dhe mund të vendosë për të ardhmen e tij, i pandikuar nga klubi britanik.
Aktualisht Zlatan Ibrahimoviç po ndjek fazën e rehabilitimit për shkak të një dëmtimi të rëndë të pësuar në ndeshjet e Europa League dhe ai nuk mund të kthehet në fushë përpara 5 muajve. Gjatë verës, sulmuesi me origjinë boshnjake do të studiojë ofertat në adresë të tij duke lënë të hapur çdo mundësi. Gjithsesi, hipoteza më e mundshme është transferimi i tij në Major League Soccer pasi ofertat nga SHBA nuk kanë munguar. Los Angeles Galaxy dhe New York City janë në avantazh për të siguruar shërbimet e shtatlartit që mbylli një sezon pozitiv me Manchester United, pavarësisht dëmtimit në javët e fundit.