Preç Zogaj: Mosrinovimi i listës së PD, do ishte një gabim i rëndë

Kandidati për deputet i PD-së, Preç Zogaj ka komentuar dje në “News 24” situatën politike dhe sidomos listën e PD-së të kandidatëve për deputetë, nisur nga kritikat dhe akuzat për kryedemokratin Lulzim Basha. Zogaj thotë se sistemi ka sjellë që listat të jenë të kryetarit dhe se në parim nuk ka listë të pakritikueshme. Ai deklaron se dhe më parë listat i kanë bërë kryetarët dhe kjo ka ndodhur edhe në PS. Zogaj ka folur edhe për lapsusin në renditjen e tij i pesti në Lezhë. “Rikthehem pas 8 viteve. Rikthehem në garë, por edhe në ‘News24’. Është përgjegjësi. Këtë 8-vjeçar kam ndenjur jashtë politikës aktive, Parlamentit, por kam marrë pjesë në politikë. Mua m’u njoftua kjo dhe pastaj më thanë se është një lapsus, jo vetë Basha, por bashkëpunëtorët e tij. Më thanë që është një lapsus dhe do të jesh i katërti. Ky sistem është eksperimentuar më 2009 për herë të parë dhe më pas më 2013”, tha Zogaj. Ai ka rrëfyer edhe se si e ka marrë propozimin për të kandiduar për deputet nga kreu i PD-së, Lulzim Basha. “Kam pasur një bisedë nëse do të dëshiroja të bëhesha pjesë e listës së PD për zgjedhjet e 25 qershorit. I jam përgjigjur po”, tha Zogaj. Në lidhje me kritikat për përbërjen e listës, Zogaj tha se gjykimi i listës kur lista është bërë fakt i kryer është propagandë. “E konsideroj të ezauruar këtë diskutim. PD është në fushatë. Është debatuar kaq shumë si asnjëherë tjetër. Në parim them se nuk ka listë të pakritikueshme. Sidomos në listat kur kryetari e bën listën. Kjo nuk ka ndodhur vetëm kësaj radhe në PD, ka ndodhur edhe më parë, edhe në PS. Ky është sistemi, kryetarët e bëjnë listën. Pavarësisht se është paralajmëruar që kjo është hera e fundit që aplikohet ky sistem. Në parim nuk ka listë perfekte apo të kritikueshme. Gjykimi i listës kur lista është bërë fakt i kryer është propagandë. Kam thënë që listat janë bast i kryetarit. Unë mendoj se është një bast i fituar dhe kisha parasysh sondazhin që u publikua dy ditë më vonë”, u shpreh ai. “Janë të korrigjueshme, shumë më i rëndë do të ishte mosrinovimi. Media i kërkon kryetarit të PD që të rinovojë listat. Konceptimi i listës do të ndjekë këtë koncept politik. Ai do të marrë dhe kandidatë që nuk kanë eksperiencë, por duhet të marrë dhe parasysh qytetarët. Listat e kandidatëve për deputetë janë të kritikueshme. Listat janë si antologjitë me poezi. Unë bëj 100 më të bukura, por kemi dhe preferenca subjektive. Këto janë gabime të korrigjueshme në perspektivë. Tani nuk ke çfarë korrigjon. Një person që nuk është në listë, mund të jetë hequr padrejtësisht, politika vazhdon. PD është në pushtet, mund të rikthehet. Unë jam vetë një shembull. Jam hequr nga lista dhe jam rikthyer. Mosrinovimi i PD, kjo do të ishte shumë më e rëndë. Këto janë gjykimet që janë bërë nga kryetari. Nuk kam forcë që të gjykoj këtë. S’mund të them se këtu ka gabim. Vetë e kanë votuar këtë sistem dhe ndaj bëhesh ndonjëherë viktimë”, tha Zogaj. Ndër të tjera Zogaj theksoi se vendosi të kandidojë me PD-në pasi mbështeste programin. “Në sondazhin kur u botua, një sondazh që u bë në ditën e rrufeve, shpërthyen sulme kundër kryetarit, nga brenda, nga jashtë, nga miq apo ish-miq. Nuk kishte ndodhur asnjëherë. E quajta dita e rrufeve. Në bazë të kësaj unë pashë që gjithë kjo ditë e rrufeve, nuk kishte reflektim. Ndaj, njerëzit do të flasin kur të dalë rezultati i zgjedhjeve. Ne jemi në fushatë dhe unë jam në fushatë. Ju kërkoj mirëkuptimin për këtë reagim dhe s’e kam zakon t’u shmangem pyetjeve. Pse kam pranuar kandidimin në emër të PD? Pasi besoj tek programi. E konsideroj këtë program, ka vizion. Listë pa gabime nuk mendoj se ka. Media i kërkon kryetarit të PD që të rinovojë listat. Basha kërkon një politikë të re, mbështetet tek demokracia pjesëmarrëse. Konceptimi i listës do të ndjekë këtë koncept politik. Ka kohë që për shkak të sistemit nuk votohet njeri”, theksoi ai.