Përplasje me armë mes militantëve të LSI e PDIU

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para tre ditësh në Elbasan, ku militantë të LSI dhe PDIU janë përleshur me armë, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga policia. Denoncimi është bërë ditën e djeshme nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi që i ka dërguar një qytetar nga Elbasani. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, disa njerëz të PDIU kanë qëlluar me armë zjarri militantët e LSI, që tani ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Sipas tij, atentatorët kanë mbështetje politike, ndërsa policia dhe mediat po fshehin ngjarjen.
“Gjendje dramatike në Elbasan! Lexoni klithmën e një qytetari dixhital: Elbasani nën terror bandash, policia me banditët fsheh krimet e tyre!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje dhe respekte i nderuar, si qytetar i Elbasanit nuk di ku të bëj një denoncim, sepse përveçse nuk gjen zgjidhje ke frikë edhe ta bësh denoncimin sepse mund ta pësosh shumë keq. Ndaj po ju raportoj juve, duke shpresuar që të ngrihet disi zëri sepse me të vërtetë që në Elbasan jeta e çdo qytetari të thjeshtë është në një rrezik të vërtetë nga çasti në çast. Para 3 ditësh, në lagjen ‘5 Maji’ ka pasur një përleshje midis disa anëtarëve të LSI dhe PDIU, por nuk janë thjesht simpatizantë të partive, sepse simpatizantët e PDIU janë një bandë kriminale e njohur tashmë për qytetin e Elbasanit dhe gjithë Shqipërinë që kanë pushtetin pas krahëve dhe mund të bëjnë ç’të duan. Kanë goditur me armë anëtarët e LSI dhe janë në gjendje të rëndë në spital, por çështja s’është se kanë goditur LSI, çështja qëndron sepse të fortët janë dhëndri i kryetarit të bashkisë dhe shoku i tij i ngushtë Suel Çela me bandën e vet. Ata mund të godasin kë të duan dhe kur të duan dhe asgjë nuk bëhet publike as nga policia dhe as nga media. Ata lëvizin me makina të blinduara në qytet dhe me municione luftarake si me qenë në Siri. Është krijuar një situatë e tmerrshme, ku jeta e çdokujt është e pasigurt. Nuk dua t’ia di se kush do të fitojë, dua të di nëse do të ndihemi ndonjëherë të sigurt si qytetarë të këtij vendi që jemi?
Faleminderit. Ju shkruajta nga ky fcb i rremë sepse sinqerisht nuk do ta merrja kurrë guximin të thoja se kush jam, me këtë situatë që është këtu. Respekt maksimal për ju doktor, zëri jonë nuk dëgjohet, shpresoj të dëgjohet zëri juaj”, shkruan qytetari.
Bandat e mbështetura nga e majta kanë filluar sërish terrorin ndaj zgjedhësve për të manipuluar dhe vjedhur votat. Vetë zyrtarët e lartë kanë nisur terrorin ndaj opozitës. Dy ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni, ka ushtruar dhunë ndaj kryetarit të grupseksionit të PD dhe shtabit të fushatës, Demir Hyseni. Kryebashkiaku i Pukës ka urdhëruar shkatërrimin e biznesit të Hysenit për motive politike. Me urdhër të Gjonajt, forcat e Policisë së Rendit dhe të Policisë Bashkiake kanë rrethuar lokalin e kreut të fushatës së PD, Demir Hyseni dhe më pas kanë shkatërruar karriget dhe pajisjet e tjera.
Bëhet e ditur se policia ka ushtruar dhunë ndaj Demirit dhe ka marrë me forcë të gjitha karriget dhe tavolinat që ndodheshin në lokalin e tij. Dhuna dhe terrori ndaj shefit të shtabit të fushatës së Partisë Demokratike të Pukës, Demir Hyseni, është ushtruar për motive politike. Pas nisjes së fushatës zgjedhore, Hyseni është kërcënuar vazhdimisht nga trafikantët e drogës që të mos bëjë fushatë për Partinë Demokratike. Frika e humbjes së zgjedhjeve ka tërbuar PS-në dhe për këtë qëllim ka mobilizuar bandat në fushatën zgjedhore.