Franck Kessie, zyrtarisht i Milanit

Mbrojtësi argjentinas, Mateo Musacchio ishte vetëm goditja e parë. Por për të kuptuar se projekti i pronarëve të rinj kinezë për të ndërtuar një Milan shumë të fortë për të ardhmen është serioz kuptohet kur shikon që në vetëm pak ditë klubi kuqezi ka zyrtarizuar një tjetër blerje. Franck Kessie tashmë është një futbollist i Milanit. Mesfushori i talentuar nga Bregu i Fildishtë, pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore firmosi një kontratë deri më 30 qershor të 2019-tës me skuadrën e Montellës.
Kessie u tranferua nga Atalanta te kuqezinjtë në formë huazimi me detyrim blerjeje nga ana e Milanit pas 2 vitesh për 28 milionë euro, plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh, ndërkohë që kur t’i përfundojë periudha e huazimit, futbollisti do të firmosë një marrëveshje afatgjatë me Milanin. Pas disa problemeve që u shfaqën në ditën e parë të vizitave mjekësore, Kessie është mirë fizikisht. 20-vjeçari, i cili rezultoi një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Serinë A, duke realizuar dhe 6 gola me fanellën e Atalantës, u prezantua nga drejtori i Përgjithshëm i Milanit, Marco Fassone.
Pas firmës, për “Milan Chanell”, Franck Kessie tha edhe fjalët e para si futbollist i skuadrës kuqezi: “Dua t’i falënderoj të gjithë, menaxherët e mi, skuadrën, jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e një klubi të madh si Milani. Zgjodha kuqezinjtë sepse më pëlqeu projekti i tyre, kam folur edhe me trajnerin Montella, i cili më ka siguruar se te Milani mund të bëhem një kampion i madh. Një nga futbollistët e kësaj skuadre që më ka pëlqyer gjithmonë ka qenë Essien. Kam zgjedhur numrin 19 ashtu si edhe vitin e kaluar”, theksoi në fund Franck Kessie.