Fokusi tek ndeshjet

E ardhmja e Gianni de Biasit mbetet dilema e madhe në kombëtaren shqiptare. Trajneri i kuqezinjve në konferencën për shtyp para takimit miqësor me Luksemburgun dhe Izraelit as i pohoi dhe as i mohoi raportimet e mediave italiane rreth ofertave të mundshme nga Kina dhe largimit të tij nga drejtimi i Shqipërisë pas ndeshjes me Izraelin. “Nuk përgjigjem për gjëra që nuk kanë lidhje fare. Sa herë e keni parë emrin tim që do të shkojë nga një anë e pastaj ka përfunduar në anën tjetër. Flasim për ndeshjen me Luksemburgun dhe për atë e Izraelin”, tha De Biasi.
Përballjen me Izraelin De Biasi e sheh si një test shumë të rëndësishëm për eliminatoret, që u shkaktoi një humje shumë të hidhur kuqezinjve nëntorin e kaluar. “Ky është një një test i rëndësishëm për ne ndaj një skuadre që nuk duhet nënvlerësuar. Ata që do të jenë në fushë do të kenë një mundësi për të treguar se mund të luajnë ndaj Izraelit. Gjithsesi, formacioni që do të luajë mund të jetë ose jo ai që do të jetë përballë Izraelit. Humbja nëntorin e kaluar më ka lënë një shije të hidhur. Atë ndeshje e humbëm sa për faj të arbitrit e sa për fajin tonë, pasi ndoshta nuk kemi qenë të fokusuar te objektivi i rëndësishëm. Izraeli është një skuadër e fortë dhe në këto nivele nuk mund të përballesh poshtë mundësive, por duhet të japësh maksimumin. Duhet të jesh në maksimum fizikisht dhe psikologjikisht. Jam i hidhëruar që nuk është Balaj për arsye dëmtimi, por të tjerët janë gati që kanë treguar formën më të mirë”, tha ai.
Nga fjalët e trajnerit kuptohet qartë se marrëdhëniet me Ergys Kaçen i ka normalizuar, ndërkohë që nuk ndryshon qëndrimi ndaj Taulant Xhakës, i lënë jashtë listës, për aq kohë sa futbollisti i Baselit nuk do të bëjë autokritikë për sjelljen e tij.
“Kaçe ka kuptuar që ka gabuar me sjelljen e tij me mua dhe me shokët dhe federatën. Është rritur mendoj shumë psikologjikisht. Ka kuptuar që mund të gabosh dhe nga këto gabime mund të mësosh dhe të kesh një mundësi më shumë. Kaçe më dha një mesazh dhe më tha se kishte gabuar dhe se ishte gati për t’iu bashkuar grupit dhe për të dhënë kontributin e tij, ndërsa Xhaka nuk ka bërë asgjë. Një njeri që ikën nga grumbullimi dhe i braktis shokët e tij më mirë të evitohet. Ai është vetëmënjanuar dhe do të qëndrojë larg për aq kohë sa nuk do të ndryshojë”, tha De Biasi.
Një vit më parë Shqipëria ishte protagoniste në finalet e Europianit, ndërsa në kualifikueset e botërorit Rusi 2018 objektivi maksimal që mund të arrijë është vendi i tretë. De Biasi e ka një shpjegim për këtë ecuri poshtë pritshmërive. “Ajo që ka munguar ndoshta ka qenë sjellja për të qenë protagonistë në vazhdimësi. Për t’i bërë gjithmonë mirë gjërat në jetë duhet të jesh i aftë që të fokusohesh gjithmonë tek objektivi me të njëjtën uri. Mendoj se nuk kemi qenë të aftë për të qëndruar në nivelet më të larta. Është në natyrën njerëzore që kur arrin majën e ke të vështirë ta ruash nivelin për një kohë të gjatë”, tha ai.
Por a është penduar De Biasi që rinovoi kontratën pas Europianit me Shqipërinë? “Nuk jam aspak i penduar që qëndrova pas Europianit. Veprova duke qenë i bindur se kjo skuadër mund të përmirësohej. Kur arrin në fund të jetës pyet veten se sa gjëra mund t’i kishe bërë ndryshe. Por ti e ke jetuar tashmë jetën tënde dhe ke bërë edhe gabime, i ke gjetur dhe ke ecur përpara. Kur mbaron ndeshje të gjithë janë të aftë të bëjnë kritika. Duhet të kuptosh se cilat janë alternativat nëse kampionatet në Europë na kanë furnizuar me lojtarë të rëndësishëm dhe që luajnë në vazhdimësi. Nëse ne kemi futbollistë që kanë vështirësi për të luajtur te skuadrat e tyre, është normale që skuadra të mos rritet në cilësi dhe në eksperiencë. Ky është problemi më i madh. Jemi vend i vogël ku njerëzit flasin shumë”, përfundoi De Biasi.