Bilanci financiar i dështimit të Rilindjes

Ornela Liperi

Thuhet se fillimi i mirë është gjysma e punës. Kur qeveria e re e së majtës mori në dorë financat e vendit në shtator të vitit 2013, momenti ishte mjaft i vështirë. Kriza ekonomike mbarëbotërore, që nisi pas vitit 2008, kishte dhënë natyrshëm edhe efektet e saj në Shqipëri, duke dobësuar biznesin, sistemin bankar dhe gjithashtu, edhe konsumatorët. Deficiti buxhetor ishte rritur e për pasojë, edhe borxhi publik e kishte ndjerë këtë, duke u zgjeruar edhe ai në nivele të panjohura më parë dhe njohja e detyrimeve të prapambetura të krijuara ndaj sipërmarrjeve e përkeqësoi dhe më tej situatën. Ekonomia në tërësi, por sidomos financat publike, duheshin risjellë në binarë. Si në çdo vit elektoral që prej 1990, në pjesën e parë të vitit 2013, të ardhurat kishin shënuar rënie në vlerë nominale.
Që me ardhjen në detyrë, ministri i parë i Financave i të majtëve, Shkëlqim Cani, deklaroi se detyrimet e prapambetura arrinin në 72 miliardë lekë, qeveria u angazhua t’i shlyente gradualisht ato, një lëvizje kjo e shumëpritur, megjithëse deri tani në buxhet, rezultojnë të jenë shlyer gjithsej 51.5 miliardë lekë.
Për shkak të rendimentit të ulët fiskal, borxhi kërceu në 65.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto më 2013-n, nga niveli prej 62.1% që ishte në vitin e mëparshëm.
U riftua Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ishte larguar gjatë qeverisjes së mëparshme dhe në diskutimet që vijuan, u hodhën piketat për një marrëveshje me FMN-në, që u nënshkrua në mars 2014 dhe ktheu besimin te financat e vendit nga institucionet ndërkombëtare dhe në tregjet financiare. Marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF) me FMN-në, e kombinuar me një angazhim për një përqasje agresive ndaj informalitetit dhe kontrabandës në dogana, i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë eurosh nga FMN, për mbështetje buxhetore.
Fillimi dukej i mbarë, por koha tregoi se ai nuk mjaftoi. Handikapi i parë ishte zgjedhja nga kryeministri i dy drejtoreshave, me dëshirë, por pa përvojë në krye të Tatimeve e Doganave, një vendim që u pranua në heshtje nga ministri Cani (që më vonë u detyrua të mbante barrën e dështimeve të vazhdueshme në realizimin e planit).
Në vitin e parë të plotë të punës (2014), qeveria zgjodhi të hiqte dorë nga taksa e sheshtë dhe të kalonte drejt rritjes së disa taksave, ku më kryesorja ishte ajo e tatimit të fitimit, nga 10 në 15% dhe u përshkallëzua tatimi mbi të ardhurat nga paga, deri në 23% për pagat mbi 130 mijë lekë, si dhe rritja e akcizave, si një rrugë drejt konsolidimit fiskal.
Pas shthurjes së të ardhurave në vitin zgjedhor të 2013-s, ato iu rikthyen rritjes dyshifrore, duke bërë të mundur një rishikim të buxhetit në rritje, në mes të vitit 2014, për herë të parë pas shumë kohësh. Megjithatë, për shkak të njohjes dhe pagesës së plotë të detyrimeve të prapambetura, borxhi publik kërceu në 70.1% në fund të vitit 2014. Të ardhurat shënuan një performancë pozitive, duke u rritur në 24% të PBB-së nga 22.2% të PBB-së në vitin e mëparshëm.
Edhe në buxhetin e 2015-s, rritja e taksave nuk mungoi, ndonëse me efekte më të ulëta financiare se një vit më parë, ku kryeson tatimi mbi të ardhurat përveç pagës, nga 10 në 15% dhe shtimi me 10 lekë/litër i taksës së qarkullimit për karburantet. Një rregullim do t’i quanin më shumë financat (për të unifikuar tatimin mbi të ardhurat me atë mbi fitimin në 15%), që sërish “zemëroi” bizneset që, të lodhura nga kriza, kërkonin stimuj. Rritja e taksave u shoqërua dhe me ndryshime të shumta ligjesh e rregulloresh, që e bënë “lëmsh” biznesin.
Ndërsa rritja e taksave u “justifikua” në vitin e parë të plotë të mandatit me më shumë të ardhura, janari 2015 nisi ters për financat. Të ardhurat ranë me gati 4% me bazë vjetore, një ecuri e papritur kjo. Ndonëse në atë kohë, financat u justifikuan me vështirësitë e vënies në punë të sistemit të ri online, muajt në vijim do të tregonin se kjo tendencë nuk ishte e rastësishme dhe rritja e taksave po kthehej në bumerang. Në mes të vitit, buxheti u rishikua me ulje, duke hequr 16 miliardë lekë nga plani i të ardhurave dhe duke reduktuar për efekt të kësaj rënie edhe shpenzimet buxhetore.

FMN: Prova për evazion dhe kontrabandë

E gjendur nën presion, por edhe nën angazhimin e marrë ndaj FMN në firmën e marrëveshjes, Ministria e Financave deklaroi nismën për një luftë të egër ndaj informalitetit në shtator 2015, që për formën si u iniciua dhe përçua në realitetin e biznesit shqiptar, me shumëfishimin e masave ndëshkimore e presionet deri në kërcënime me burg, shkaktoi pakënaqësi të shumta te bizneset, sidomos ato të vogla, por edhe të mëdha, duke mbjellë një klimë frike, ndrydhje apo edhe braktisje prej tyre. Për më tepër, gjithë ky presion nuk dha asnjë rezultat material për financat publike për 4 muajt e fundit të vitit 2015, duke e çuar mosrealizimin për pjesën e dytë të vitit në gati 20 miliardë lekë dhe për gjithë vitin, arriti në gati 36 miliardë lekë (rritja reale me vitin e mëparshëm ishte vetëm 3.2% dhe rënia reale, duke hequr inflacionin dhe rritjen e PBB ishte -1.6%). Justifikimet për këtë ecuri të dobët ishin të shumta, nga konjunktura e pafavorshme e tregjeve ndërkombëtare e deri te ndryshimi i strukturës së prodhimit vendas, por në fund, financat e pranuan (pas konstatimit edhe të institucioneve ndërkombëtare) se dhe rritja e taksave kishte shtuar informalitetin. Raportet e Crown Agents flisnin për evazion e kontrabandë, ndërsa dhe shefi i FMN-së kishte pranuar më parë se ka prova për një gjë të tillë.
Agresiviteti me të cilin u krye aksioni antiinformalitet dhe një ligj i ri i procedurave tatimore që vendoste supergjoba dhe sanksione të ashpra për shkelësit, deri edhe burg, e rënduan ndjeshëm ambientin për të bërë biznes në vend dhe krijuan një efekt psikologjik tepër negativ në radhët e biznesit, të madh e të vogël.
Fundi i 2015-s shënoi një tjetër “dështim” për financat, kur pjesa më e madhe e paketës fiskale ose nuk arriti të kalonte në Kuvend ose kaloi e ndryshuar. Nën presionin e lobingjeve nuk u miratua rritja e akcizës së cigareve (e planifikuar që më parë) e verës, e birrës, të tjerat u modifikuan dhe në variantin fillestar u miratuan vetëm heqja e taksës së biznesit të vogël dhe rritja e taksës së sigurimeve. Shefi i FMN-së në Shqipëri, në një intervistë për “Monitor”, do të pranonte hapur se lobimi për interesa të veçantë ka qenë ndoshta shumë i suksesshëm dhe si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve janë ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël të përfituesve. “Kjo tenton të rrisë barrën e të tjerëve dhe të minojë konsistencën e përgjithshme të paketës”, pohoi ai.
Terrori antiinformalitet nuk dha ndonjë rezultat as në të ardhura. Viti 2015 shënoi një rënie të peshës specifike të të ardhurave në raport me PBB-në në 23.9% nga 24% që e mbylli vitin e mëparshëm.
Qeveria dhe financat u tërhoqën gradualisht nga presioni agresiv, pasi kryeministri deklaroi heqjen e taksave të biznesit të vogël (pas rënies së ndjeshme të popullaritetit si rrjedhojë e presionit të lartë të ushtruar mbi bizneset, që mbijetonin përmes vetëpunësimit) dhe deklaroi se do të ndryshohet taktika dhe nuk do të stresohet më biznesi. Rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese i të ashtuquajturit ligji për supergjobat në dhjetor 2015 lehtësoi gjithashtu klimën e acaruar me bizneset.

Ndikimi negativ i terrorit ndaj bizneseve

Me gjithë përpjekjet për të ndryshuar, aksioni antiinformalitet ndikoi negativisht dhe në muajt e parë të 2016-s. Si asnjëherë tjetër, shoqatat e biznesit e shprehën hapur pakënaqësinë ndaj sjelljes së qeverisë. Indeksi i Dhomës amerikane zbriti në 37.92 në mars 2016, nga 42.77 vitin e mëparshëm. Në prill, Dhoma gjermane e renditi Shqipërinë si vendin më pak atraktiv për biznes ndër 20 vende në zhvillim të Europës Lindore. Në vëzhgimin e kryer në ecurinë ekonomike të vitit 2016 në Shqipëri, u bë e njohur se 56% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë situatën negative më 2016. Vihet re një rritje e përkeqësimit të situatës, pasi vitin e mëparshëm vetëm 47% e vlerësonin negativisht.
Në shkurt 2016, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u largua nga detyra dhe u zëvendësua nga Arben Ahmetaj, që deri në atë kohë ishte në krye të Ministrisë së Ekonomisë. Largimi i Canit erdhi kur pritej të hapej një tender për një Partneritet Publik Privat për sistemin e administrimit të TVSH-së, pas një oferte të pakërkuar të një firme nga Hong Kongu, që ngjalli shumë debate së fundmi. Financat u tërhoqën më pas nga ky tender, pas diskutimit mjaft të ashpër të idesë nga media dhe opozita, por edhe pas një kundërshtie gati publike të FMN-së ndaj idesë.
Ministri i ri Ahmetaj tentoi që në fillim një klimë më bashkëpunuese me bizneset. Një draft i ri i procedurave tatimore u hodh paraprakisht në diskutim me bizneset dhe kur u miratua solli një lehtësim të gjobave, madje edhe nën nivelet e mëparshme (para se të tentohej me supergjobat). Një kthesë 180 gradë erdhi dhe në korrik 2016, kur Ahmetaj, duke kaluar në një ekstrem krejt të kundërt me politikën e deriatëhershme të shtrëngimit, njoftoi për një falje fiskale (që kaloi në Parlament në prill të këtij viti). Afrimi i vitit zgjedhor duket se e zbuti edhe më tej sjelljen e qeverisë, që megjithëse nuk e pranoi asnjëherë hapur që presioni antiinformalitet në formatin që ajo e aplikoi ishte i dështuar, indirekt gjithë sjellja e mëpasshme nuk ishte veçse shfajësim për përqasjen e pjesës së parë të mandatit. Kjo përqasje solli në një përmirësim dhe të perceptimit të bizneset me indekset e Dhomës amerikane dhe asaj gjermane që ishin më pozitive.
Në shtator 2016, me ardhjen e drejtoreshës së re të Tatimeve, znj. Vjero, me mjaft përvojë në administratë, aksioni antiinformalitet (nëse mund të quhet më aksion) u orientua drejt metodave profesionale të analizës së riskut dhe të një qasjeje pa agresivitet policor ndaj biznesit.
Në vitin 2016, të ardhurat tatimore në raport me PBB-në u rritën ndjeshëm në 24.6%, por sërish ato mbetën në nivelin e vitit 2008, në një tregues të qartë që si rritja e nivelit të taksimit në disa lloj taksash, ashtu edhe aksioni antiinformalitet, nuk arritën të sillnin rezultatin e pritshëm në buxhet.
Pavarësisht përpjekjeve të mëdha për konsolidim fiskal, edhe borxhi nuk arriti të ulej nën 71% të PBB-së, ndryshe nga pritshmëritë fillestare të qeverisë, që ai të ulej në 69% të PBB-së këtë vit. Ndërkohë, financat kanë arritur objektivin për të ardhurat tatimore për 2016-n dhe e kanë tejkaluar atë për uljen e deficitit. Ndonëse ka ecur mirë me konsolidimin fiskal, kjo ka ardhur në kurriz të shpenzimeve, sidomos atyre kapitale, që kanë qenë më të ulëta në dy dekada, në raport me prodhimin e brendshëm bruto.
Në projektin e parë buxhetor afatmesëm të qeverisë së re, të hartuar në janar 2014, konstatohet se pritshmëritë kanë qenë shumë më optimiste për rritjen ekonomike, e cila pritej që më 2016-n të arrinte në 4.2%, por që nuk ka rezultuar më shumë se 3.5%. Edhe në afatin e mesëm, institucionet ndërkombëtare në parashikimet e tyre të reja, nuk presin një rritje më të lartë se 3.7%.

Qeveria Rama po le 230 milionë euro detyrime të papaguara

Financat nuk arritën as të mbajnë premtimin e tyre për të mos krijuar detyrime të reja të prapambetura. Në fund të vitit 2016, entet publike numëronin 230 milionë euro detyrime, sipas statistikave zyrtare, nga të cilat 58 milionë euro nga vendimet e gjykatave të brendshme, 58 milionë euro të tjera fatura të papaguara ndaj ish-CEZ (sot OSHEE), 20 milionë euro fatura të papaguara ndaj punimeve në rrugë, 65 milionë euro borxhe të bashkive.
Rikthimi i detyrimeve të prapambetura të qeverisë për punë dhe shërbime, është krijuar gati për të njëjtat arsye, si edhe në ish-qeverinë Berisha dhe sipas zyrtarëve, ky borxh ka shumë gjasa të akumulohet më tej në këtë vit elektoral. Nga detyrimet e reja, 8 miliardë lekë apo 25%, janë fatura të papaguara të energjisë nga entet publike, kryesisht njësitë e pushtetit vendor me ndërmarrjet e ujësjellësit, ku qartazi ka një vijimësi të dështimit në menaxhim të tyre, me gjithë rritjen e çmimit të ujit, që ka ndodhur në disa prej tyre.
Një pjesë tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është akumuluar si detyrim i pashlyer për rimbursimin e TVSH-së. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka njohur këtë shumë për t’u paguar ndaj biznesit gjatë vitit të kaluar, por vlera nuk është dhënë.
Detyrimet e tjera me vlerë 8,9 miliardë lekë (65 mln euro) rezultojnë si detyrim që pushteti lokal ka ndaj të tretëve për mallra dhe shërbime. Borxhi si i tillë u zbardh nga një kontroll që u ushtrua në njësitë e reja vendore nga njësia ndërkombëtare e auditit, Grant Thornton.
Mbi 8 miliardë lekë detyrime të tjera janë fatura që vijnë nga humbja e gjyqeve të shtetit shqiptar me të tretët. Avokati i Shtetit, në bilancin e punës që ka bërë për vitin 2016, njoftoi se çështjet e humbura në gjykatat shqiptare në dëm të shtetit janë mbi 8 miliardë lekë ose 58 milionë euro.
Një borxh tjetër prej 3.3 miliardë lekësh është identifikuar nga një monitorim i Ministrisë së Financave deri më 1 tetor 2016. Në këtë shumë, 70% e detyrimit u takon punimeve në rrugë me rreth 2.5 miliardë lekë dhe pjesa tjetër janë detyrime që institucione të tjera nuk kanë mundur të shlyejnë ndaj punonjësve të shkarkuar nga puna, të cilat kanë fituar gjyqet për dëmshpërblim, në vijim të një plage kronike të shkaktuar nga fenomeni i politizimit të skajshëm që ndodh në administratën publike të vendit, sa herë që ka një rotacion apo ndryshim të partisë qeverisëse. Fatkeqësisht, kjo është prova e disatë se këto parti politike janë të pandjeshme ndaj kësaj fature financiare, që i vjen xhepit të taksapaguesve prej kësaj qasjeje të papërgjegjshme që ndodh me zëvendësimet politike në një administratë publike që, për nga ana formale (dhe legale) është modeluar sipas formatit të një administrate publike të depolitizuar dhe profesionale.

Konkluzionet e financave të një mandati

Arritja më pozitive e qeverisë së majtë ishte progresi në konsolidimin makroekonomik, i vlerësuar ky dhe në renditjet ndërkombëtare. Ndonëse borxhi publik vijon të mbetet i lartë, buxheti kaloi për herë të parë në sufiçit dhe treguesit makro erdhën drejt përmirësimit.
Pavarësisht përpjekjeve pozitive për konsolidim fiskal, ato kanë ardhur më së shumti si rrjedhojë e tkurrjes së shpenzimeve dhe sidomos në kurriz të investimeve kapitale, të cilat mund të konsiderohen një dështim. Në vitin 2016, ato ishin vetëm 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët që nga viti 1997, kohë kur vendi ishte në krizë për shkak të konfliktit civil që shpërtheu nga piramidat.
Ndonëse fillimisht u deklarua se detyrimet e prapambetura ishin 72 miliardë lekë, në buxhetet e 2014 dhe 2015 rezultojnë të kthyera në total 51.5 miliardë lekë (33.9 miliardë lekë më 2014-n dhe 17.6 miliardë lekë më 2015-n). Askush nuk sqaroi se çfarë ishte diferenca prej rreth 20 miliardë lekësh. Për më tepër, akumulimi i detyrimeve të prapambetura u gjenerua sërish në rreth 31.5 miliardë lekë në mandatin e Rilindjes, për të njëjtat arsye që ishin krijuar dhe më parë.
Rritja e ndjeshme e taksave dhe faza e parë e dhunshme e aksionit antiinformalitet, jo vetëm nuk arritën të rrisnin të ardhurat në buxhet, por dhanë ndikim tepër negativ psikologjik te bizneset, duke çuar në frenimin e investimeve, që nga ana e tyre do të kishin gjeneruar më shumë punësim dhe të ardhura në buxhet, duke ua lehtësuar punën financave. Kthesa që nisi në muajt e parë të 2016-s solli gradualisht përmirësim të klimës, por vendi humbi dy vjet në një luftë pa sens me “mullinjtë e erës”.
Teksa qeveria u përqendrua te konsolidimi fiskal, pagat në sektorin publik nuk shënuan rritje dhe vetëm në buxhetin e 2017-s, një vit elektoral, u planifikua rritje. Edhe sektori privat, nën presionin e konsumit të dobët dhe rritjes së barrës fiskale nuk vlerësohet të ketë rritur pagat e punonjësve, një element i rëndësishëm për të nxitur qarkullimin në ekonomi.
INSTAT njoftoi se në vitin 2016, paga mesatare mujore bruto ishte 45.845 lekë. Një vit më parë, më 2015, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri është 46.830 lekë. Më 2016, niveli i pagës mesatare bruto shënoi ulje vjetore me 2.1%, pas një rritje që kishte pësuar më 2015. Kjo ka bërë që konsumi përgjithësisht të qëndrojë i dobët, sidomos në vitin 2015, kur shënoi kulmin aksioni antiinformalitet.

Shitja e emisioneve televizive mjegullon linjën ndarëse mes lajmit dhe propagandës

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë në nenin 84 ndalon rreptësisht propagandën, komentet ose qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Në rast shkeljesh të konstatuara, një operator televiziv gjobitet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në 1 milion lekë, në qoftëse është operator lokal dhe deri në 2.5 milionë lekë për operatorët kombëtarë. Në rast përsëritje të shkeljes, KQZ urdhëron AMA-n të bllokojë transmetimet e operatorit përkatës për 48 orë. Gjobat që parashikon ligji duket se nuk i kanë ndaluar dy operatorë televizivë, News 24 dhe A1 Report  që të reklamojnë haptazi nëpërmjet KQZ-së shitjen e kronikave televizive dhe të emisioneve prime-time për partitë politike dhe kandidatët gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe atyre vendore të vitit 2015. Kjo praktikë, e cila sipas ekspertëve të medias është vetëm maja e ajsbegut përsa i përket marrëdhënies së errët midis medias dhe politikës në Shqipëri, është një tjetër shenjë e shkeljes së vijës ndarëse midis lajmit dhe propagandës gjatë fushatave elektorale.  Megjithatë, KQZ e cila i ka marrë këto vetëdeklarime dhe i ka publikuar në faqen e saj zyrtare nuk duket se ka vërejtur ndonjë problem në këtë pikë, dhe një anëtar i Bordit të Monitorimit të Medias, BMM, i tha BIRN që kontrolli i këtij institucioni ishte limituar thjesht në matjen e minutazhit që u është alokuar palëve garuese në fushatë. I pyetur nga BIRN mbi shitjen e hapësirës në emisione politike, drejtori i TV News 24 Andi Tela, u shpreh se tarifat e shpallura gjatë dy fushatave të fundit nuk kishin qëllim propagandën, por largimin e politikës nga televizioni. “Ideja e këtyre çmimeve për debatet dhe emisionet është te fakti që ka shumë kërkesa për të dalë në emision, d.m,th vjen çdo njeri, shoku i filanit, një parti… Për ta shmangur këtë gjë ne vendosëm këto çmime edhe ata stepen, nuk vijnë,” tha Tela. Ndërkohë, ish-drejtuesi i A1 Report, tashmë i mbyllur dhe i ndarë në dy televizione A1 dhe Report TV, i tha BIRN që shitja e kronikave televizive ishte një problematikë e lidhur me kompaninë tashmë të mbyllur. “Ajo është tjetër kompani,” tha Carlo Bollinio në një bisedë telefonike,  ndërsa shtoi se “Report TV” të cilin ai zotëron tani “nuk shiste kronika. ” Shqipëria renditet e 76-ta në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2017, të publikuar nga organizata Reporterë pa Kufinj, ndërkohë që organizata “Freedom House” e cilëson median shqiptare në raportin e saj vjetor si “pjesërisht të lirë.”  Sipas një raporti mbi financimin e partive politike të publikuar në vitin 2016 nga Institutit për Studime Politike, ISP, ndikimi i politikës mbi politikën editoriale të medias bëhet edhe më i madh gjatë fushatave elektorale, sepse partitë shpenzojnë shuma të konsiderueshme në reklama politike. Ky ndikim del haptazi në raportet e tarifave për reklamë televizive gjatë fushatës, të publikuar nga KQZ për zgjedhjet e vitit 2013-të dhe 2015-të, ku A1 Report dhe News 24 afishojnë oferta për shitjen e haspirës brenda emisioneve dhe edicioneve informative të lajmeve. A1 Report deklaronte në dy dokumente që gjenden në faqen e KQZ për zgjedhjet e kaluara se ofronte për shitje kronika që varionin nga 1200 në 1800 euro dhe po ashtu reportazhe që shiteshin nga 2,500 euro deri në 5 mijë euro në varësi të kohës dhe numrit të transmetimeve. Carlo Bollino, ish-administratori dhe aksioner i këtij televizioni para dhe pas fushatës së 2015-ës, i cili tani drejton Report TV, i tha BIRN se nuk dëshironte të fliste për kompaninë e mbyllur. “Çfarë lidhje ka A1 Report? A1 Report është tjetër televizon, nuk merrem me A1 Report, ne jemi Report TV”, tha Bollino për BIRN. I pyetur për shitjen e kronikave dhe reportazheve, Bollino tha se kjo media nuk e aplikonte këtë dhe se marketingu e gazetari aty ishin të ndarë. Ndërkohë, News 24 aplikonte tarifa që varionin nga 2500 euro në 5,000 euro për emisione politike ose ekonomike të dedikuara për kandidatët në zgjedhjet e 2013-tës dhe 2015-tës. Drejtor i Përgjithshëm i News 24, Andi Tela i tha BIRN se qëllimi ishte për të penguar personat që ndërhynin për të pasur hapësirë në televizion. “Kjo është praktikë për të shmangur hyrjen e njerëzve të panjohur nëpër studiot televizive,” u shpreh ai. Tela nënvizoi se në rast se ndonjë prej personave paguante tarifën e vendosur, atëherë ai merrte kohë transmetimi, por u përgjigjej pyetjeve të moderatorit pa asnjë ndryshim nga të ftuarit e tjerë, ndërsa shtoi se kjo “nuk para ndodhte”. “Nëse dikush e pranon tarifën i nënshtrohet pyetjeve apo gjithçkaje normale që bëhet nga moderatori i emisionit. Por nuk është se pranojnë ata,  janë çmime të larta,” shtoi Tela. Kryetari i Bordit të Monitorimit të Medias në zgjedhjet e 2015-të dhe anëtar i BMM-së për disa zgjedhje radhazi, Basir Çollaku i tha BIRN se KQZ gjatë fushatave mat vetëm kohën që u jepet subjekteve në televizione. I pyetur për rastin e reklamave, Çollaku shpjegoi se nëse emisioni do ishte i pabalancuar, pra vetëm me një krah apo një përfaqësues, atëherë media rrezikonte të gjobitej për këtë si shkelje të ndarjes së kohës televizive për subjektet politike. “Në fushatën e fundit vendosëm rreth 8 milion lekë të reja gjoba në tre raste të ndryshme”, tha Çollaku, duke shtuar se në të gjitha rastet bëhej fjalë për shkelje të minutazhit për forca të ndryshme politike.