Bandat e Artur Bushit tentojnë të pengojnë mitingun e PD në Krujë

Bandat e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi tentuan dje të mos lejojnë pjesëmarrjen e qytetarëve në mitingun e opozitës në Krujë dhe Fushë-Krujë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, në bazë të një mesazhi të dërguar nga një qytetar nga Kruja. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi, po sponsorizon disa grupe kriminale që të pengojnë mitingun e kreut të PD-së, Lulzim Basha në qytetin e Krujës.
Banditët e Bushit jo vetëm që kanë kërcënuar qytetarët të mos dalin në miting, por në qytetin e Krujës dhe të Fushë-Krujës është hapur lajmi që do të filmohen të gjithë mbështetësit e PD që do të marrin pjesë në mitungun e opozitës.
“Qytetari dixhital denoncon Artur Bushin, për organizimin e grupeve kriminale për të mos lejuar pjesëmarrjen e qytetarëve në mitingun e opozitës në Krujë dhe Fushë-Krujë”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Dua të njoftoj e ta bëni publike. Grupet kriminale që z. Artur Bushi, kryetar bashkie Krujë sponsorizoi për presione e blerje vote si për kryetar komune, deputetë e kryetar bashkie po i sponsorizon që të pengojnë mitingun që z. Basha do të mbajë në qytetin e Krujës e të Fushë-Krujës. Po ju bëjnë presion bizneseve, individëve etj., për të mos shkuar në mitingun e PD.
Ngaqë krimi ka qenë mbështetje për të dhe duke parë mashtrimin që ka bërë për punësimet në të gjitha administratat në bashki, se ka punësuar 3 persona nga një familje ka dhe 4 persona nga një familje e sheh numrin e votuesve të paktë sa në përllogaritje PS nuk – kap 5 mijë votat në tërë Bashkinë Krujë. Z. Artur po merr të gjithë mësuesit e infermierët e pushuar nga puna për t’i rikthyer në punë, një mashtrim klasik. Fondin për integrimin e azilantëve të rikthyer me dëshirë e ka tjetërsuar dhe ju ka mbyllur dyert për ndihmë etj. Në qytetin e Krujës dhe të Fushë-Krujës është hapur lajmi që do të filmohen të gjithë mbështetësit e PD që do të marrin pjesë në mitungun e PD. Ju lutem riktheni sigurinë e qetësinë e qytetarëve”, shkruan qytetari nga Kruja.
Kreu i Bashkisë së Krujës ka mbështetur trafikantët e drogës gjatë kohës që është vënë në krye të Bashkisë. Gjatë dy viteve të fundit, Kruja dhe Fushë-Kruja kanë qenë zonat me numrin më të lartë të parcelave të mbjella me kanabis. Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar u sekuestruan 1.2 ton drogë në një magazinë në Krujë. Droga u zbulua nga agjentët e SHISH dhe pas kërkesës së Prokurorisë policia organizoi operacionin ku u gjet sasi e madhe e drogës, e cila ishte bërë gati për t’u trafikuar jashtë shtetit. Opozita deklaroi atëherë se droga ishte magazinuar nga Bushi ndaj policia nuk ndërhynte për ta sekuestruar.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i hapi shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Ish-Kryeministri Berisha denoncoi para disa kohësh parcelat me drogë në Gramëz të Thumanës të kreut të Bashkisë, Artur Bushi në bashkëpunim me Habilajt. Parcelat me kanabis nuk prekeshin nga policia, pasi ato ishin nën mbrojtjen e kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Sipas denoncimit, parcelat ishin të ekspozuara ndaj çdo qytetar i zonës mund t’i shohë, por askush nuk mund të denoncojë, pasi policia vetë ka bërë syrin qorr si në shumë raste të tjera, kur pas parcelave me kanabis dhe banditëve qëndrojnë vetë pushtetarët.

R.POLISI