Më 25 qershor do të falimentojë SHPK-ja e Tregtarit të Venedikut

Ulje taksash, 10 mijë stazhe të paguara për të rinjtë, ndihmë për fermerët, vende të reja pune.
Lulzim Basha paraqet programin në Krujë. “Mundësia që m’u dha për të studiuar, punuar dhe njohur Europën, frymëzim për të sjellë të njëjtat standarde në Shqipëri”.
Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën në Krujë pragramin ekonomik të Republikës së re. Basha tha se do të ulen taksat, për më shumë lekë në xhepat e qytetarëve. Do të kemi 100 milionë euro subvencionime për fermerët, 10 mijë stazhe të paguara për të rinjtë, si dhe rritje pensionesh e vende të reja pune me hapje fabrikash.
“Në radhë të parë do i japim fund taksave të larta që i kanë marrë frymën ekonomisë. Ekonomia e fortë do të bazohet në taksa të ulëta. Ulje e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, do të çlirojnë sipas përllogaritjeve të ekipit tim ekonomik dhe ekspertëve më të mirë europianë nga partia simotër e lokomotivës ekonomike gjermane e kancelares Angela Merkel, çdo vit, 400 milionë euro në xhepat tuaja. Programi im ekonomik parashikon stazhe të paguara për të rinjtë e të rejat e Krujës që mbarojnë studimet e larta. 1 vit do të ketë të paguar stazhin me 200 mijë lekë të vjetra në muaj. Çdo statistikë botërore thotë se minimalisht 75% deri në 90% e të rinjve që ndjekin stazhe dhe praktika pune, përfundojnë duke siguruar një vend pune. 100 milionë euro subvencione për bujqësinë, 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që fermerët shqiptarë ta kenë të zeruar koston e mekanikës dhe të kenë para nga shteti për të zbutur deri në eliminim koston e plehrave kimike dhe imputeve të tjera bujqësore. E nesërme e sigurtë do të thotë rritje pensioni për të 650 mijë pensionistët shqiptarë, duke synuar pensionin minimal 250 mijë lekë në fund të 4 viteve të para të Republikës së re, do të thotë rritje të ndihmës ekonomike, do të thotë pagesë nga shteti e faturës së energjisë deri në 300 kilovat dhe faturës së ujit, për njerëzit në nevojë. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha se eksperienca e tij e studimeve dhe e punës në Europë i kanë dhënë frymëzimin për ta ndërtuar Shqipërinë si vendet e përparuara perëndimore.
“Fare i ri kam pasur mundësinë e artë t’i njoh shoqëritë më të përparuara demokratike. Mundësia që pata për të studiuar në Holandë, më dha po kështu frymëzimin, ëndrrën që një ditë që të shoh në vendin tim të gjitha ato aspekte që e bëjnë Holandën dhe Europën të fortë. Holandën dhe Europën e bëjnë qytetarët e fortë, e bën ekonomia e fortë dhe jo politikanët e krekosur si gjela majë plehut”, tha Basha.

Pazaret politike marrin fund më 25 qershor

Nga Kruja, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka thumbuar Ilir Metën, presidentin e zgjedhur. Basha thotë se Meta duhet ta marrë me qetësi pasi më 25 qershor falimenton SHPK-ja e tij dhe se faturën e këtij falimenti ta marrë Petrit Vasili.
“Tregtarit të Vendekut, që u zgjodh president si akti i fundit i Republikës së vjetër, dua t’i them ta marrë me qetësi dhe dashuri faktin që SHPK e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor. Sistemi i skllavërimit të votuesve dhe klientelizmit politik merr fund më 25 qershor.
Pazaret politike marrin fund më 25 qershor. Opozita e bashkuar dhe PD me votën e qytetarëve do të qeverisin Republikën e re.
Merre me qetësi dhe dashuri, mos e shkel etikën se je president i zgjedhur, edhe pse me pazar, lere Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SHPK, matrapazllëqet nuk kanë vend në Republikën e re”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar se ekonomia e vendit është katastrofë dhe për këtë ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama.
Gjatë çeljes së fushatës në Krujë, Basha u shpreh se Rama nuk e kupton që gjendja ekonomike e qytetarëve është e keqe, pasi është rritur ekonomia e oligarkëve të Kryeministrit.
“Edi Rama ka një javë në fushatë dhe refuzon të flasë, refuzion të japë llogari se ku janë 300 mijë vendet e punës që premton. Ekonomia katastrofë, papunësia është ulur këmbëkryq. Edi Rama prapë se prapë thotë ekonomia është rritur, populli nuk e kupton. Edi Rama e thotë sepse ekonomia me të vërtetë është rritur, por për njerëzit me të cilët po rri, por jo ekonomia e ndershme, por ekonomia e drogës dhe e krimit. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës. Por kjo nuk është Shqipëria për ne”, tha Lulzim Basha ndër të tjera.
Pasi Edi Rama refuzoi publikisht debatin televiziv, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se Kryeministri i frikësohet argumenteve dhe fakteve, pasi nuk ka mbajtur asnjë premtim.
Justifikimet e Ramës për të mos dalë në debat, Basha i quajti mufka.
“Ka në javë që refuzon debatin, ka frikë nga ju, sigurisht ka frikë edhe nga unë, nga argumenti, nga ekipi im. Për t’i ikur debatit këput lloj-lloj mufkash nga mëngjesi deri në darkë. I kam thënë këto ditë ku i ke vendet e punës dhe nuk përgjigjet”, tha Basha.
Ditën e enjte, Rama refuzoi ftesën në emisionin “Opinion” duke thënë: “Një shfaqe ku shkëmbehen muhabete që njerëzit i kanë dëgjuar dhe i kam stërlodhur nuk kam ndërmend t’i bëj. Nuk jam në këtë fushatë që të ndihmoj Lulin. Debati është një kërkesë e një politikani që s’ka gjë për të humbur, nuk kam ndërmend ta ndihmoj”.

25 mln euro, çdo vit mbështetje të rinjve në fushën e teknologjisë

Kandidatja për deputete e PD-së në Tiranë, Jorida Tabaku ka postuar në faqjen e saj në Facebook një pjesë të programit politik të kësaj partie që ka të bëjë me rininë. Tabaku shkruan në faqjen e saj se programi ka si bazë një ekonomi të fortë e një ardhme të sigurtë për të shpëtuar rininë, ndërsa argumenton: “Sot, 1 në 3 të rinj është i papunë apo nuk ka një arsim. Papunësia ndër të rinj është 28.9% në fund të vitit 2016, ndërsa katër vjet më parë ajo ka qenë 27.2%. ‘Shqipëria është e pashpresë’ shprehen 104 mijë të rinjtë që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së përgjatë katër viteve”. Më tej Tabaku shkruan se, “Ne do t’ia rikthejmë shpresën vendit duke mbështetur pa hezitim kredimarrjen e sipërmarrjeve të nisura nga të rinjtë, duke përgjysmuar papunësinë tek to përmes zhvillimit ekonomik, novacioneve teknologjike, si dhe zhvillimit të turizmit. Do të shpezojmë 25 mln euro çdo vit për t’i mundësuar praktikën në fushën e teknologjisë dhe informatikës”. Kandidatja demokrate argumenton se në bazë të programit të PD-së do të ndërhyhet rrënjësisht në arsimin e lartë dhe atë parauniversitar duke i dhënë fokus arsimit profesional dhe sipas saj, duke u zotuar që të rinjtë shqiptarë që kompletojnë arsimimin e tyre në vitin 2021, ata do të jenë të aftë të konkurrojnë lirshëm me moshatarët e tyre në Bashkimin Europian.