Strakosha titullar te Lazio

Thomas Strakosha largon Federico Marchettin dhe Ivan Vargiçin nga Lazio. 22-vjeçari shqiptar, i cili rezultoi një nga suprizat më të bukura të këtij sezoni jo vetëm te skuadra bardhekaltër, por në të gjithë Serinë A i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij aq sa drejtuesit e Lazios kanë vendosur të prishin kontratat me dy portierët e tjerë që kanë në skuadër. Sipas asaj që raporton “Lalaziosiamonoi.it”, presidenti Claudio Lottito i ka dhënë ok-in, drejtorit sportiv Igli Tare për të larguar nga kryeqyteti italian, ish-portierin e përfaqësueses së kaltër Federico Marchetti dhe kroatin Ivan Vargiç, pasi edhe sezonin e ardhshëm ashtu si në pjesën më të madhe të sfidave të këtij edicioni titullar në portën e skuadrës bardhekaltër do të jetë Thomas Strakosha.
Në fakt, 22-vjeçari i përfaqësueses shqiptare do të ketë në krah një tjetër portier ekspert, të cilin Lazio do ta afrojë në këtë merkato, por edhe ky fundit do të bëhet pjesë e bardhekaltërve për të qenë zëvendësi i Strakoshës dhe për ta ndihmuar kuqeziun me eksperiencën e tij. Me 25 paraqitje në total gjatë këtij sezoni mes Serisë A dhe Kupës së Italisë, talenti shqiptar ka fituar jo vetëm zemrat e tifozëve të Lazios, por edhe besimin maksimal të trajnerit Simone Inzaghi dhe drejtuesve të klubit. Ajo paraqitje fantastike e Strakoshës në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit, ku portieri shqiptar evitoi një humbje me shifra shumë të thella për Lazion, do të kujtohet gjithmonë si nga sfidat, ku 22-vjeçari shqiptar u konfirmua si një portier me cilësi të jashtëzakonshme.