Refuzoni mashtrimet e Ramës, hidhjani në fytyrë tesesat LSI-së

Kreu i opozitës Lulzim Basha në hapjen e fushatës elektorale në Korçë u ka bërë thirrje shqiptarëve që të ndëshkojnë me votë PS-LSI. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë tashmë në dorë fatin e tyre, për t’u treguar ministrave arrogantë dhe qeverisë vendin që ju takon. Basha deklaroi se, as LSI nuk është ndryshe nga PS, prandaj kërkoj që të gjithë qytetarët e Korçës t’i ndëshkojnë me votë. “Refuzojeni me votë njësoj si Edi Ramën, hidhja në fytyrë teserat LSI-së. Nuk jeni skllevër as të LSI-së as të Edi Ramës. Jemi të gjithë bashkë si asnjëherë këtu. Ky ministër ju pat thënë fermerëve votoni për ne, pastaj të shohim çfarë do të bëjmë për t’u dëmshpërblyer. Fermerë mos ja hapni derën këtij mashtruesi. Refuzojini sekserët, përzijini matrapazët. Merreni Korçën në dorë më 25 qershor. Duke votuar për Republikën e Re, votoni për ekonominë e fortë dhe për të nesërmen e sigurt, deklaroi Basha. Kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar nga Korça për shkarkimet e fundit në administratë. Gjatë një takimi elektoral në qytetin Juglindor, Basha tha se, ligjet e Republikës së Re po funksionojnë. Ai ftoi të gjithë qytetarët të denoncojnë presionet për prekjen e votës. “Sot republika e vjetër është sprapsur. Kjo ishte fitorja e parë e korçarëve të bashkuar, e qytetarëve të bashkuar. Vetëm sot janë shkarkuar mbi 12 zyrtarë të niveleve të larta dhe të mesme, që kanë shkelur Kodin Penal. Shumë prej tyre do të shkojnë për ndjekje penale, Republika e Re e ka arritur hapin e parë. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve, kartat e identitetit e pret ligji i Republikës së Re. Shkarkimi i menjëhershëm, ndjekja penale dhe të paktën 1 vit burg për cenimin e të drejtës së votës. Kjo është arritja juaj. Ndaj denonconi çdo përpjekje për t’ju prekur votën”. Gjatë hapjes së fushatës elektorale në qytetin e Korçës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se kushdo që prek votën e lirë të qytetarëve do e presë ndëshkimi i ligjit. “Një vendim i madh u mor në Tiranë dhe Korça solli mendjen e vet për Republikën e Re. Bashkë me ju hodhëm themelet e kësaj republike në 90 ditë. Vetëm ditën e sotme janë shkarkuar 12 zyrtarë që kanë shkelur ligjin dhe shumë prej tyre do të shkojnë për ndjekje penale. Kushdo që guxon të prekë votën e shqiptarëve e pret ligji i Republikës së Re. Kjo është arritja juaj ndaj denonconi çdo përpjekje për t’ju prekur votën”, tha Basha. Ndër të tjera, Basha tha se, Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por shkon në Korçë për qejfet e tij. Ai u shpreh se, Niko Peleshi ka bërë një pedonale dhe një kullë në qytet që t’i bëjë qejfin Edi Ramës. “Rama e trajtoi biznesin e vogël si një lopë për t’u mjelë. Edi Ramës i pëlqen të vijë këtu për fundjava dhe kur vjen ka hotelet e tij të preferuara, ka verat e tij të preferuara. Për t’i bërë qejfin, Nikua i bëri edhe një pedonale dhe një kullë. Kush e pagoi kullën? Miliona euro për qejfet dhe tekat e Ramës”, tha Basha.

2600 biznese të mbyllura vetëm në Korçë

Një nga shtresat më të goditura në Korçë krahas ekonomisë së gjithë qytetarëve, janë bizneset ku numërohen rreth 2600 të tilla të mbyllura, ashtu si edhe fermerët, prodhimet e tyre po shkatërrohen për shkak të keqqeverisjes Rama. Basha ndau dje me korçarët hallet dhe problemet e tyre, ndërsa ofroi zgjidhje për ta përmes programit të Partisë Demokratike. “2600 biznese të mbyllura vetëm në Korçë. Por a janë hapur të reja? A janë hapur vende pune? Sa prej jush kanë kërkuar dhe kanë gjetur një vend pune në katër vite? Kush e ka rrogën më të lartë këto katër vite? Paguan taksa më të ulëta, faturë më të ulët të energjisë? A i bleni më lirë apo më shtrenjtë ushqimet? Ilaçet? Shërbime? Këto janë bëmat e Ramës me Korçën, ky është bilanci i tij punëtor, por hallemadh, kjo është e vërteta e qytetit të Korçës dhe akoma më e dhimbshme e fermerëve të Korçës, të cilët gjenden në ditët më të vështira”, tha Basha. Kreu i PD u ndal tek fisnikëria e qytetit të Korçës, ndërsa shprehu bindjen se korçarët janë rreshtuar në krah të Republikës së Re. “Korça ka standardin e artë republikan. Në ditë të zeza të kombit, korçarët ditën të bashkohen rreth vlerave të Republikës dhe unë e di se sot ju jo vetëm prisni me padurim 25 qershorin, por me këtë prani në këtë shesh tregoni qartë para Shqipërisë dhe para Korçës, se Korça nuk është thjeshtë dhe vetëm pjesë, por lidere e Republikës së Re, Republikës së Korçës, së korçarëve dhe gjithë qytetarëve. Ju e dini çfarë do të thotë kjo. Për katër vite me radhë, keni duruar dhe hequr mbi shpinë arrogancën dhe zullumin e republikës së vjetër që ju poshtëroi, ju varfëroi dhe ju shtyu drejt dëshpërimit”, tha Basha.

1.5 miliardë euro ka kushtuar shëndetësia

Me shifra reale, kreu i PD Basha denoncoi dje nga Korça, abuzimet e qeverisjes Rama në katër vitet e qeverisjes së tij. “Rama refuzon bilancin, refuzon të shpjegojë se përse nuk hapi 300 mijë vende pune, por çoi 300 mijë shqiptarë, korçarë, rininë e Korçës, intelektualë e sipërmarrës, në Gjermani, në Itali, në Amerikë e me radhë. Njerëzit për të cilët Korça ka më shumë nevojë, njerëzit me ide i detyroi të ikin nga Korça dhe ia dorëzoi Korçën dhe Shqipërinë një grushti kriminelësh. E ka të vështirë të vijë në Korçë të tregojë se ku është shëndetësia falas që premtoi, kush nga ju merr shërbim shëndetësor falas, a jeni të kënaqur me gjendjen e shëndetësisë në Korçë. Sepse shëndetësi falas nuk ka. Në katër vite, 1.5 miliardë euro ka kushtuar shëndetësia nga taksat tuaja, por taksat asnjëherë nuk u kthyen në shërbime se i mori Vilma me katër shokë dhe katër shoqe. Kjo është e vërteta, Shqipëria e Ramës është Shqipëria e miqve të tij që morën 350 milionë euro tendera. Shqipëria e Edi Ramës është Shqipëria e 250 milionë euro shpenzime për makina, për udhëtime, për orendi. Miliona euro të hedhura dëm për ta kthyer Bibliotekën e Korçës, monumentin e standardit të dijes në zyra për administratën, për njerëzit që janë kthyer në shushunja për ju. 400 milionë euro të tjera të shpenzuara për pllaka dhe palma, miliona euro të marra nga taksat që u rritën, dhe që nuk u kthyen asnjëherë tek ju, sepse Shqipëria për Edi Ramën është fasada”, u shpreh Basha.