Mësuesit dhe mjekët merren forcërisht në mitingun e Ramës

Mësuesit e gjimnazeve të Lezhës dhe mjekët e infermierët e Kurbinit janë marrë me forcë në mitingun elektoral të Partisë Socialiste ditën e mërkurë. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili i referohet informacionit, fotove dhe videos së qytetarit dixhital. “Shikoni si detyrohen punonjësit për të shkuar në takime të Ramës! Lexoni mesazhet dhe shikoni fotot dhe videon e qytetarëve dixhitalë”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“‪Shiko si po zbresin nga autobuzi mësuesit e gjimnazeve të gjithë Qarkut Lezhë edhe gruaja drejtorit të Arsimit, Bardhok Pula me të gjithë zyshat, duke u marrë me fushatën e Partisë siçiliste”, shkruan qytetari.
“Zoti Sali kam një shqetësim shumë të madh… në spitalin e qytetit Kurbin janë marrë me forcë i gjithë personeli i spitalit për t’i dërguar në mitingun e partisë siçiliste, prandaj ndaj këtë shqetësim me ju se ne qytetarët e thjeshtë s’kemi nga të ankohemi i gjithë stafi i spitalit është marrë nga kryetari i Partisë Socialiste të Kurbinit dhe po u bëjnë presion të gjithë këtyre se kush nuk vjen në miting të lerë vendin e punës. Flm për mirëkuptimin. Anonim, ju lutem”, shkruan një qytetar tjetër.
Një ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha denoncoi përfshirjen e të gjithë administratës së Delvinës dhe Sarandës në fushatën zgjedhore të PS. Berisha ka publikuar një lajm të portalit “Boom.al”, duke e shoqëruar edhe me fotot e punonjësve të administratës, të cilët bëjnë fushatë në orarin e punës. “Në narko shtetin e Noriegës të gjithë punonjësit e administratës janë pronë e Partisë-Shtet! Lexoni shkrimin dhe shikoni fotot e mëposhtme!”, shkruan Berisha.