Konkurrenca heton edhe monopolin me majanë e bukës

Autoriteti i Konkurrencës nisi procedurën e hetimit paraprak në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumërave për bukë dhe nënproduktet e saj, konkretisht ndaj ndërmarrjes “Nelly” SHPK.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës, më datë 12.04.2017 është paraqitur ankesë ndaj ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k, e cila ushtron aktivitet në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumërave për bukë dhe nënproduktet e saj.
Sipas ankimuesve ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k është distributor ekskluziv i produkteve “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T” të prodhuar nga kompania “Lesaffre”, kompani franceze, me qendër rajonale në Kroaci.
Ankimuesit pretendojnë se janë ndodhur përpara faktit të mosfurnizimit me këto produkte nga ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k dhe për këtë arsye kanë kontaktuar në telefon me z. Haki Hoxha, administratori i ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k, i cili i ka deklaruar se nuk do t’i furnizojë më, pasi ankimuesit kanë hapur një furrë buke (pikë shitjeje) në zonën e “Don Boskos” përballë furrës së bukës së kompanisë “SOMEG” dhe konkurrojnë këtë të fundit, i cili rezulton të jetë miku i z. Haki Hoxha, administrator i ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k.
Sipas ankimuesve, ndërmarrja “Nelly” Sh.p.k është i vetmi distributor i këtij produkti në Republikën e Shqipërisë, produkt të cilin e importon nga Kroacia dhe sipas tyre ky produkt nuk ka zëvendësues të tjerë në vend, duke i dhënë  ndërmarrjes “Nelly” Sh.p.k pozita “monopol” në tregtimin e këtij produkti, pozita të cilat ajo i përdor për të goditur ankimuesit, duke shkelur nenin 9 të Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar).
Ndërprerja e furnizimit me këtë produkt i shkakton një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm ankimuesve, pasi këta të fundit kanë kontrata me të tretë për furnizimin me bukë speciale, të cilat prodhohen me këto produkte dhe mospërmbushja e kontratës i ngarkon me penalitete, gjithashtu ankimuesit pretendojnë se 40% të produkteve të bukës që tregtojnë i prodhojnë me “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T” të prodhuar nga kompania “Lesaffre” me distributor në Shqipëri ndërmarrjen “Nelly” Sh.p.k.
Për sa më sipër, nga pretendimet e ankimuesit, si dhe faktet dhe provat e paraqitura prej tij rezulton se sjellja e ndërmarrjes “Nelly” shpk në tregun e tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumrave për bukë dhe nënproduktet e saj, duke refuzuar të furnizojë ankimuesit z. Hysen Caka, z.Ardian Caka dhe Znj. Lima Caka me produkte “Maja” dhe “Miell” të markës “Zrnopan” të tipit “S”, “Plus” dhe “T”, bazuar në nenin 9, pika 2 të Ligjit 9121/2003 mund të pengojë, kufizojë ose shtrëmbërojë konkurrencën në këtë treg.