Bare, Franca dhe e ardhmja te Atletico

Është vetëm 19-vjeçar, e pavarësisht moshës ka status “veterani” në kombëtaren Shpresa. Pas edicionit të kaluar ku ishte titullar fiks me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve, në kualifikueset e Europianit 2019 Keidi Bare do të jetë një prej pikave të referimit të skuadrës. Duke nisur nga miqësorja e 5 qershorit me Francën, që do të luhet në orën 21:05 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
“Franca është një ekip me shumë kualitet dhe lojtarë cilësorë, që luajnë në skuadra europiane. Kjo është një ndeshje deçizive për ne, sepse do të përgatitemi për sfidën kualifikuese me Estoninë. Ndeshja me Francën do të na ndihmojë të njohim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe shpresoj, përse jo të dalim me fitore”, u shpreh Bare.
Nga Franca te Estonia, kundërshtari i parë në ndeshjet zyrtare në Grupin 2, aty ku si kundërshtarë janë edhe Spanja, Sllovakia, Islanda dhe Irlanda e Veriut. Mesfushori fierak beson se Shqipëria mund të luajë shanset e saj për t’u kualifikuar në fazën finale. Talenti kuqezi shpreson në një sezon protagonisti edhe te Atletico e Madridit. Pas gjashtë muajve në ekipin e parë nën urdhërat e Diego Simeones dhe me merkaton e “Colchoneros” të bllokuar nga FIFA, Bare beson që do të ketë shanset e tij për të qenë protagonist.