Abrashi: Dua të luaj ndaj Izraelit

Nga kombëtarja është larguar në të njëjtën ditë me Taulant Xhakën, diçka më shumë se dy muaj më parë. Të dy të mërzitur me mosaktivizimin preferuan të mos ktheheshin në Tiranë, por Amir Abrashi e motivoi vendimin me argumentin se ishte i dëmtuar. Sot është sërish në kombëtare dhe bashkë me Ergys Kaçen ishin të parët që hapën serinë e konferencave për shtyp për ndeshjet e radhës. Abrashi pranon se nuk mund të bashkëjetojë lehtë me stolin, por mohon të ketë patur konflikt me trajnerin De Biasi.
“Jam një futbollist që dua të luaj në çdo ndeshje, por është trajneri ai që vendos formacionin, por në skuadër unë nuk jam i vetmi që dua të jem në fushë, sepse janë më shumë se 20 futbollistë që duan të luajnë me ekipin përfaqësues. Unë do të jap maksimumin sa herë që do të më jepet mundësia për të luajtur edhe pse në mesfushë, rivaliteti është shumë i madh. Nuk kam pas asnjë problem me trajnerin, edhe pse dua të luaj gjithmonë e rëndësishme është që skuadra të paraqitet mirë. Duam të marrim pikë ndaj Izrealit dhe kjo është më e rëndësishmja”, u shpreh Abrashi.
Një ndër lojtarët më të besuar në Europianin francez, Abrashi ka munguar ndaj Spanjës, Izraelit e Italisë, një seri humbjesh që ia dedikon në njëfarë mënyre edhe mungesës së preferencave të fatit. “Jemi një grup i mirë, por nuk kemi patur as fatin me vete siç ndodhi ndaj Izrealit. Ndaj një skuadre si Spanja është gjithmonë e vështirë, ndërsa ndaj Italisë treguam se kishim potencial duke humbur dy shanse të mira që në minutat e para që mund të ndryshonin fatin e ndeshjes”, tha ai.
Për të shpjeguar sindromën e ekipeve të vogla që e kanë të vështirë të përsërisin suksese të mëdha, vlen shumë edhe një paralelizëm mes Shqipërisë dhe Freiburgut, kura në futboll është universale, besim dhe kurrë të mos dorëzohesh. Besimi është fjala kod edhe për përballjen me Izraelin, në funksion të tij miqësorja me Luksemburgun. “Duhet të paraqitemi mirë me Luksemburgun, të fitojmë, të shënojmë gola në mënyrë që çdo lojtar të fitojë besim, në mënyrë që të shkojmë në Izrael për të dhënë maksimumin dhe pse jo për të fituar edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Ne gjithmonë si skuadër kemi patur një mbrojtje të fortë, objektivi ynë është të mos pësojmë gol dhe të krijojmë disa raste për t’i fituar ndeshjet”, tha ai.
20 ndeshje të luajtura në këtë sezon të Bundesligës me Freiburgun që shikon këtë verë dritaren e Europa League, por për një motor të vërtetë të mesfushës si Abrashi fjala lodhje nuk ekziston, aq më shumë kur bëhet fjalë për të rifituar një vend në formacionin e kombëtares. “Unë fizikisht jam shumë mirë, jam plotësisht i gatshëm për dy sfidat e radhës me kombëtaren”, tha Abrashi.