Sulmi kimik në mitingun e opozitës, analizat dërgohen në Gjermani

Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka kthyer përgjigje me shkrim Prokurorisë së Tiranës se nuk ka mundësi, që brenda një kohe të shkurtër të përcaktojë shkakun e helmimit të 140 pjesëmarrësve në mitingun hapës së fushatës të Partisë Demokratike. Përveç pamundësisë, nëse këto analiza do të kryheshin në Tiranë do të kishin një kosto të lartë, të cilën buxheti i Mjekësisë Ligjore nuk e përballon. Janë rreth 32 mijë substanca kimike, të cilat duhet të kalonin në sitën e ekspertëve.
Në këtë mënyrë, hetuesit do t’i nisin një letër porosi autoriteteve gjermane, ku do të kërkojnë ndihmën e tyre. Analizat e 20 personave, të cilët janë me kartelë mjekësore, pasi kanë qëndruar dy ditë në spital do të dërgohen në një laborator gjerman.
Grupi hetimor shpreson që brenda disa ditësh të ketë përgjigjen e saktë se çfarë solli helmimin e pjesëmarrësve në miting. Për Prokurorinë është një hetim kompleks dhe i vështirë. Prokuroria dyshon se, shkak mund të jenë bërë edhe ndriçuesit që u përdoren në miting. Ndërkohë, një tjetër ekspertim do të ketë për rrobat e personave të helmuar. Në dosjen e referuar pranë Prokurorisë së Tiranës, policia thotë se në përfundim të aktivitetit elektoral të PD për zgjedhjet parlamentare 2017, disa pjesëmarrës në të u regjistruan në kartela për ndihmë mjekësore, me simptomat e skuqjes së fytyrës, syve dhe qafës. Të tjerët janë paraqitur në spital për këshillim mjekësor, duke e çuar numrin e të dëmtuarve në 146.