Shkodranët në këmbë me Bashën

Shkodranët pritën fuqishëm dje Lulzim Bashën dhe ekipin e tij fitues në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i PD, Basha e nisi fjalimin e tij me një dedikim të veçantë, ndërsa tha se, pa Shkodrën e pa shkodranët nuk do të kishte Parti Demokratike. “Si Kryetar i Partisë Demokratike, partisë që është simboli i demokracisë dhe i pluralizmit në këtë vend më lejoni tiu them pa Shkodër e pa shkodranë nuk ka Parti Demokratike, nuk ka demokraci, nuk ka liri, ju e keni provuar këtë jo thjeshtë me fjalë, jo vetëm me vepra, por me peshën e rëndë të sakrificës në altarin e demokracisë, askush nuk e harron, Shqipëria ia di për nder përjetë shkodranëve. Liria dhe demokracia është në radhë të parë e mbi të gjitha vepra e Shkodrës heroike, e Shkodrës së lirisë e Shkodrës së qendresës. Ndër vite, Shkodra ka qenë bastioni i lirisë, në 90 ditë të bashkimit më të madh të shqiptarëve për zgjedhjet e lira e të ndershme, Shkodra ishte guri i themelit, shtylla kurrizore, forca e Republikës së Re, ushtria e pamposhtur e të nesërmes që po vjen”, u shpreh Basha. Kreu i PD shprehu mirënjohjen ndaj shkodranët për qendresën e tyre të fuqishme në 90 ditët e protestës së Shehin e Lirisë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Basha tha se, sot falë sakrificës së shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve që u bashkuan në Sheshin e Lirisë vendi do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Në 90 ditë e sprapsëm planin ogurzi të republikës së vjetër për të vjedhur vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Ju u ngritët dhe nuk u ulët, sprapsja e republikë së vjetër është vepër e juaja. Rrëzimi i gjysmës së qeverisë së krimit dhe drogës është fitorja juaj. Është vetëm gjysma e punës, gjysma tjetër bëhet me votën e bashkuar të shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve më 25 qershor. Por sakrifica juaj ja vlejti, sot anë e mbanë Shqipërisë, e dinë dhe duhet ta dinë zuzarët, matrapazët, ata që blejnë dinjitetin dhe votën e shqiptarëve se marrëveshja politike që e detyroi të sprapsej republikën e vjetër dhe Edi Ramën asnjë përveç frikës nga bashkimi juaj, nuk e detyroi të sprapsej”, tha Basha. Kreu i PD paralajmëroi marrjen e masave të ashpra për të gjithë ata që shkelin ligjin, duke u përfshirë në fushatë elektorale. Teksa përmendi shkarkimin e disa funksionarëve që ishin përfshirë në fushatë, Basha paralajmëroi se ky është vetëm fillimi dhe se të gjithë që do të shkelin ligjin, qoftë edhe duke tentuar të mbledhin karta identiteti do të përfundojnë në fund. “Ai u spraps kur pa vendosmërinë tuaj për të mos lejuar më zgjedhje farsë në këtë vend. E sot që flasim, ministrat janë garant të kësaj marrëveshje. Do të shkarkohet çdo zyrtar që përdor ofiqin dhe pushtetin për të diktuar apo për të shtrembëruar vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Ky është vetëm fillimi! Ju themelues të republikës së re, qytetarët anëembanë tashmë jeni gardianë të votës suaj, të lirisë suaj, mos kini frikë të denonconi pranë PD, pranë shtabeve tona elektorale dhe ju që jeni mësuar të shkelni ligjin harrojini gjobat, prekët një kartë identiteti minimumi një vit në burg. Ndatë thasë me miell për të marrë votën minimumi një vit burg, nuk luhet më me votën, nuk luhet më me popullin. Këtë e vendosi Republika e Re”, u shpreh kreu i PD. Basha tha se, demokratët vijnë në këto zgjedhje më të bashkuar se kurrë, ndërsa të majtët vijnë në këto zgjedhje të përçarë për shkak të pazareve. “Fushata ka nisur, dhe unë jam sot këtu me nderin dhe peshën e madhe të prezantimit të ekipit tim në Shkodër, pjesë e ekipit fitues në mbarë Shqipërinë. Ne vijmë në këto zgjedhje më të bashkuar se kurrë. Për herë të parë në 27 vite të gjitha partitë e djathta, e gjithë opozita është e bashkuar në një sigël, nën siglën e Partisë Demokratike me numrin 6, në një kauzë, atë të Republikës së Re, ndërkohë që kundërshtarët tanë janë të përçarë, I përçau tepsia, i përçau pushteti, i përçau pazari, kanë një javë që vetëm për qytetarët nuk flasin”, tha Basha. Kreu i PD në hapjen e mitingut elektoral në Shkodër, ka theksuar se mazhoranca aktuale e kërkon votën e qytetarëve për 4 vitet e ardhshme vetë për t’u pasuruar, dhe kjo tashmë duket qartë dhe në fushatën e tyre elektorale. Sipas tij PS-LSI, në asnjë pikë të fushatës së tyre nuk përmendin qytetarët, por atakojnë njëra-tjetrën me synimin e vetëm se kush të marrë pjesën më të madhe të pushtetit dhe pasurisë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. “Në katër vite për ta pushteti ishte një mjet pasurimi dhe asnjë ditë të vetme për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ata vijnë në këtë fushatë pa kauzë, pa bilanc dhe të përçarë, ne jemi të bashkuar, më të fortë se kurrë, sepse kauza jonë është kauza juaj, kauza e qytetarëve shqiptarë. Vendimet që kam marrë për ekipin fitues kanë patur për qëllim evidentimin e mozaikut të qendresës, demokracisë, kontributit dhe të së ardhmes. Këto nuk janë asnjëherë vendime të lehta, por janë vendime që më takojnë t’i marr, ashtu siç duhet dhe do të marr vendimet që do të përmirësojnë ekonominë tuaj, financat dhe kapitalin. E nisa me vendimin e duhur për ekipin fitues të Republikës së Re”, është shprehur Basha.

Basha falenderon deputetët që kanë përfaqësuar Shkodrën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka falënderuar publikisht deputetët e PD që kanë përfaqësuar Shkodrën në Parlament. “E nisa me vendimet e duhura për ekipin fitues të Republikës së Re. Më lejoni të falënderoj nga zemra, përfaqësuesit e Shkodrës në Parlamentin që shkoi, duke nisur me znj.Jozefina Topalli, Irma Koplikun, Gjovalin Bzhetën dhe veçanërisht Helidon Bushatin”, tha Lulzim Basha ndër të tjera. Ndërsa theksoi se për herë të parë opozita hyn në këto zgjedhje më e bashkuar se kurrë, ku të gjitha forcat opozitare garojnë nën një sigël të vetme që është ajo e PD-së. “Fushata ka nisur dhe unë jam sot këtu të prezantimit të ekipit tim fitues. Ne vijmë në këto zgjedhje më të bashkuar se kurrë. Ju shkodranët e dini fare mirë si dhe unë se për herë të parë e gjithë opozita është nën një sigël në atë të PD-së me numrin 6-të, në kauzën e Republikës së Re, ndërkohë që kundërshtarët tanë janë të përçarë, i përçau pushteti dhe pazari. Kanë një javë që vetëm, për qytetarët nuk flasin, por për timonin. Për ata pushteti ishte vetëm një mjet pasurimi dhe jo mjet për të punuar për qytetarët. Ata po zihen për tepsinë. Ata vinë në këtë fushatë pa kauzë, pa bilanc, ne jemi të bashkuar”, deklaroi Basha. Pasi akuzoi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për korrupsion, tendera e koncesione, Basha përmendi sulmoi LSI-në, duke përmendur edhe shkarkimin nga ministri teknik i Drejtësisë të regjistruesit të ZVRPP Shkodër, Mondi Ndou, që është edhe kandidati i LSI për deputet në këtë qytet. “Është një parti që nuk mbjell as palma, e ka mendjen vetëm tek tepsia. Janë ata, të cilët këtu në Hipotekën e Shkodrës e jepnin pronën e gjyshit vetëm po të merrje teserën e LSI-së. Tepsia mori fund, matrapazët morën fund. Sot, iku drejtori i Hipotekës, nesër ikën hipoteka e pushtetit. Nuk ka më pazar me partitë e tepsisë”, tha kryetari i PD, Lulzim Basha.